Home / Sport / SHKËNDIJA SUSPENDON NAFIUN

SHKËNDIJA SUSPENDON NAFIUN

Shkëndija supsendon futbollistin Valmir Nafiun, për shkak se prindi i tij nuk pranon të lejojë realizimin e transferimit në Dinamo Zagreb. Drejtuesit “kuq e zi” shprehen të pakënaqur me sjelljen e prindit të Valmirit, ndërsa Ixhet Nafiu mendon se ka të drejtë të pyetet për të ardhmen e djalit të tij, duke shtuar se megjithatë me drejtuesit e Shkëndijës përsëri do të ulet të bisedojë, me shpresë që të gjendet nëj zgjidhje që do të pranohej nga të dyja palët.

Futbollisti i ri i Shkëndijës dhe anëtari i përfaqësueses së Maqedonisë U 17, Valmir Nafiu është suspenduar nga kryesia e klubit për kohë të pacaktuar. Ky është epilogu i mosmarëveshjeve mes prindit të futbollistit dhe drejtuesëve “kuq e zi”. Në fakt sipas asaj që thuhet nga zyrat e Shkëndijës, në adresë të tyre ka arritur ofertë e favorshme nga ekipi i njohur kroat Dinamo Zagreb, të cilët kërkojnë të sigurojnë shërbimet e Valmir Nafiut, ndërsa realzimin e transferimit e bllokon prindi i futbollistit. Drejtuesit e Shkëndijës kanë disponim pozitiv për të pranuar ofertën e kroatëve, e cila do të ishte e mirë edhe për klubin, por edhe për zhvillimin e mëtejshëm të Valmirit.

“Valmir Nafiu për momentin është i suspenduar në afat të pacaktuar kohor, për shkak të mungesës së diciplinës. Kur e them këtë dua të potencoj se problemin e krijon prindi i tij, i cili refuzon të pranojmë ofertën tejet të favorshme që ka arritur për Valmirin, nga skuadra e njohur Dinamo Zagreb. Më vjen keq për këtë që ndodh pasi më shumë do të humb futbollisti, për të cilin ne gjithmonë kemi treguar kujdes të veçantë, duke e favorizuar gjithnjë më shumë se çdo kënd tjetër. Si do që të jetë, presim që në ditët në vijim të vendoset më saktësisht për epilogun e rastit “Nafiu””., – deklaroi nënkryetari i Shkëndijës, Idriz Ibishi.

Ndërkohë në anën tjetër prindi i Valmirit, Ixhet Nafiu është i mllefosur me faktin se dikush dëshiron t’i imponojë të pranojë këtë ofertë, pa kërkuar nga ai pajtueshmëri.

“Së pari dua të them se nuk dëshiroj që ky rast të zmadhohet, pasi nuk është ndonjë problem aq i madh dhe për më shumë ne nuk jemi hidhruar me drejtuesit e Shkëndijës. Bëhet fjalë vetëm për mosmarëveshje në lidhje me të ardhmen e birit tim. Unë më shumë jam mllefosur me faktin se duan të ma imponojnë të pranojë këtë ofertë. Për më shumë, duhet të kemi parasysh se nuk flasim për ndonjë futbollist në moshë, por vetëm për një fëmijë, dhe unë si prind pa dyshim se dua të pyetem dhe të kujdesem për të ardhmen e tij. Mendoj se drejtuesit e Shkëndijës duhet të kenë parasysh edhe kërkesat tona dhe të paktën të tregojnë respekt ndaj neve”, – tha prindi i Valmirit, Ixhet Nafiu, duke shtuar me tej: “ Oferta si ofertë është pozitive, mirëpo a nuk kemi të drejtë të pyetemi edhe ne se a duam ta pranojmë atë? Thjesht vjen dikush dhe na imponon të pranojmë. Mendoj se nuk është korrekte kjo sjellje, por megjithatë une jam optimist se do të gjejmë një zgjedhje që do të na konvenonte të dyja palëve. Unë jam mirënjohës për gjithçka që ka bërë Shkëndija për djalin tim dhe në asnjë moment nuk dua që klubi të lihet në plan të dytë. Dua vetëm që të dyja palët me marëveshje korekte të gjejmë zgjedhjen që do të kënaqte edhe klubin por edhe neve”, – përfundoi Ixhet Nafiu.

Si do që te jetë, mbetet të shihet në ditët në vijim, se cili do të jetë epilogu i rastit “Nafiu”. Por që tani një gjë është e sigurtë, gjithë mosmarëveshja mes klubit dhe prindit të futbollistit, nuk është mirë për Valmirin, i cili kohëve të fundit gjithnjë e më tepër merte rastin për të luajtur dhe këtë vit planifikohej si një prej futbollistëve të rrinjë, të cilit do t’i jepej rasti të luaj për ekipin e parë në elitën e futbollit vendor.
Rikujtojmë se Valmir Nafiu është futbollist 17-të vjeçar, që rrjedh nga shkolla e futbollit të Shkëndijës. Ai këtë vit pa i mbushur të shtatëmbëdhjetat debutoi në ekipin e parë, madje duke shënuar gol që në paraqitjen e parë. Me lojërat e mira u bë bartës kryesor i lojës së reprezentacionit të Maqedonisë U 17, ndërsa me juniorët e Shkëndijës u shpall kampion i Maqedonisë, si dhe finalist i kupës së Maqedonisë për juniorë. Kohë më parë Nafiu ishte në prova disa ditore tek skuadra e Barcelonës, nga ku vinin vlerësime pozitive. Tani Dinamo e Zagrebit është e gatshme që ta ofrojë në rradhët e saj, mirëpo mos-pajtueshmëritë në mes të kryesisë së klubit dhe prindit të futbollistit, Valmir Nafiun e vëndosin në një udhëkryq i cili mund të sjell vetëm humbje për të gjitha palët. Për Shkëndijën, pasi humb një shpresë të vërtetë, për futbollistin i cili do të bllokonte zhvillimin e mëtejshëm dhe për futbollin shqiptar në përgjithsësi, pasi sipas parashikimeve të njohësve të mirë të futbollit, Valmir Nafiu posedon të gjitha predispozitat për të bërë një karierë të bujshme.

Gjithashtu lexo

Osmani: Bëmë gabime në mbrojtje, do të ndryshojmë në lojën e ardhshme

Trajneri i Shkëndijës së Tetovës, Qatip Osmani nuk e ka përjetuar mirë humbjen nga Milani. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *