Home / Sport / Spanja e Holanda luajnë ndeshjen e tyre të jetës

Spanja e Holanda luajnë ndeshjen e tyre të jetës

Spanja dhe Holanda do të kërkojnë sot në mbrëmje një vend në histori, mes më të mirëve të futbollit botëror. Edhe pse këto dy skuadra gjithnjë kanë qenë në nivele të larta përsa i përket asaj çfarë kanë treguar në fushë, trofetë për to mungojnë.

Është kjo arsyeja përse finalja e sotme është më interesante se kurrë. Përballë do të jenë dy skuadra që zhvillojnë futbollin më të bukur në Evropë, ndonëse tulipanët këtë edicion janë kthyer në një ekip cinik. Për të gjithë, peshorja nga ana e Spanjës, skuadër që ka 7 futbollistë të Barcelonës në formacionin titullar, ndërsa kësaj “fizarmonike” i shtohen emra si Ksabi Alonso, Iker Kasijas, Serxho Ramos apo Joan Kapdevila. Trajneri Vicente del Boske është njeriu që mund të futet në histori në vendin iberik. Futbollistët dhe trajneri spanjoll janë të gjithë të vetëdijshëm për forcën e tyre. “Nëse jemi këtu, është sepse e kemi merituar, – thotë Del Boske. – Të gjithë ne kemi një karrierë të rëndësishme mbi shpatulla, por një finale e Kupës së Botës është më e rëndësishme se gjithçka. Është një ndeshje e hapur, si ne, ashtu edhe Holanda, e kemi merituar të jemi këtu”, shprehet më tej ai në konferencën për shtyp të mbajtur mbrëmë.
Në Spanjë, flamujt kombëtarë duken gjithandej, madje edhe në komunitete ku nuk shihet zakonisht një gjë e tillë?
Sporti i bën shpesh këto gjëra, ndihmon në lidhjet mes njerëzve.
Holanda ka humbur dy finale, ndërsa ju jeni për herë të parë këtu, keni më shumë presion juve, siç thotë edhe Krujf?
Cilësia e futbollistëve është e lartë te të dyja skuadrat, por fusha do të hedhë poshtë çdo fjalë.
Holanda mund të bëjë si Interi, duke qenë se Spanja ka të njëjtin stil loje si Barcelona…?
Jo, nuk besoj se Holanda do të luajë si Interi, do të ruajë stilin e saj, siç e ka treguar në këtë Botëror.
Nëse gjërat nuk shkojnë sipas parashikimit, keni ndonjë plan B?
Kemi një organikë që na lejon për shumë variante, por të shpresojmë që gjërat do të shkojnë siç duhet.
Si mendoni se do të luajë Holanda? Dhe çfarë mendoni për trajnerin e saj?
Me Van Marvijk kam një raport të mirë, e vlerësoj shumë. E ka treguar veten e tij në këtë Botëror, ashtu siç ka bërë edhe me Fejnordin. Çdo kundërshtar i yni ka pasur gjithnjë një identitet dhe nuk e ka ndryshuar, nuk besoj se Holanda do të ndryshojë stilin e saj për të na u përshtatur neve. Ka një gen të sajin që të luajë me lojën vertikale.
Si përgatitet një finale Botërori? Është e vështirë?
Të përgatisësh një ndeshje si kjo, nga ana psikologjike, është shumë e thjeshtë. Çdo futbollist i gjen vetë motivimet.
Keni një plan special anti-Shnajder?
Para tij ka qenë Ozil, por edhe të tjerë. Futbollistët që luajnë në limite janë të vështirë të kontrollohen, por jemi mësuar dhe nuk do të kemi asnjë plan special. Po ashtu, nuk kemi përgatitur asgjë speciale për penalltitë.

Van Marvijk: Spanja më e mirë, por do t’ia dalim
Që i vogël shikoja Botërorin në televizion dhe kam parë Maradonën, Kafunë e Dungën të ngrinin lart Kupën, duke ëndërruar që një ditë të isha në vendin e tyre. Pak futbollistë e kanë pasur këtë privilegj dhe për mua do të ishte një ëndërr. E ka nisur me këto fjalë konferencën për shtyp para finales, kapiteni i Holandës Xhovani Van Bronkhorst. Me pak fjali, ai ka shpjeguar gjendjen e skuadrës tulipane, që është shumë pranë një takimi me historinë. Një takim, që askush në shtëpinë portokalli nuk dëshiron ta dështojë. “Është ndeshja më e rëndësishme e jetës sonë, – thotë trajneri Bert Van Marvijk. – Asnjë holandez nuk është bërë kampion bote dhe nëse do të ndodhë, do të jetë fantastike për mua, për skuadrën dhe për të gjithë popullin tonë”. Ish-trajneri i Fejnordit beson shumë në realizimin e kësaj ëndrre, që nuk mundën ta bëjnë dot realitet as të mëdhenjtë e viteve ’70. “Me gjithë respektin për Spanjën, jam i bindur se mund të fitojmë. Gjëja më e rëndësishme është të qëndrojmë të bashkuar dhe të tregojmë futbollin që të gjithë njohim”, shton trajneri Bert Van Marvijk. Tekniku holandez e pranon se Spanja luan një futboll më të mirë, ndërsa nuk pranon të japë asnjë detaj nga formacioni apo mënyra sesi skuadra do të zbresë në fushën e lojës. “Për formacionin flas me lojtarët e mi dhe jo në një konferencë shtypi, – shprehet Van Marvijk. – Spanja deri këtu ka luajtur pak më mirë se ne, por nuk besoj se është e nevojshme t’ju kujtoj se Holanda nuk ka humbur asnjë ndeshje, ndërsa iberikët janë mundur nga Zcicra në takimin e parë… Përderisa jemi në finale, e meritojmë. Kemi mundur Brazilin, ndërsa ata Gjermaninë. Spanja bën një futboll më interesant se ky i yni, por të dyja skuadrat do ta kërkojnë golin në stilin e tyre”. Ndërkohë, Van Bronkhorst do të ritakojë në këtë takim miqtë e tij të vjetër te Barcelona, Ksavi e Pujol. “Na lidh një respekt i madh, – shprehet kapiteni i tulipanëve. – I dërgojmë sms njëri-tjetrit dhe është pak e çuditshme që do të përballemi në një finale Botërori. Por, vetëm një skuadër mund të fitojë dhe ne duam të jemi ne. Nuk ka rëndësi se luan kundër miqve të tu, gjëja më e rëndësishme është të fitosh”, shton Xhovani Van Bronkhorst. Ndërkohë, Mark Van Bomel ka një motiv më shumë për të triumfuar në finalen e sotme. “Është shansi im i fundit për të fituar një Kupë Bote dhe do të bëj gjithçka për të mos e shkuar dëm. Do të sakrifikohem me dëshirë për skuadrën. Duhet të jesh i vetëdijshëm se kur duhet të bësh faull, por duhet edhe durim nëse merr një të verdhë”, shton kapiteni i Bajernit të Mynihut.

Gjithashtu lexo

Shikoni çfarë ka bërë Barcelona pas sulmit terrorist (FOTO)

Klubi i Barcelonës ka reaguar pas sulmit terrorist në Barcelonë. Katalunasit e kanë bërë një …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *