Home / Sport / Spanjollët pranë ëndrrës, por festa sërish e ndarë

Spanjollët pranë ëndrrës, por festa sërish e ndarë

Skenat e festës dhe të triumfit janë parë në gjithë qytetet dhe ishujt në Spanjë, por jo në Barcelonë.

Nuk mjafton një Kupë Bote, një kualifikim për në çerekfinalen e saj, për të bashkuar një komb si Spanja. Fitorja 1-0 ndaj Portugalisë është pritur me nota entuziaste në shtypin spanjoll dhe në atë të Barcelonës, por jo në Barcelonë. Spanja tani e sheh më pranë ëndrrën e triumfit në Botëror, gjë që kuptohet lehtë nga titujt e gazetave. “Kjo është Spanja ime”, shkruante me të madhe “Marca” në faqen e parë. “Demat” do të ndeshen me Paraguajn në turin tjetër dhe nuk do të jetë një tur dosido, por çerekfinalja e Botërorit, në të cilën spanjollët kanë “ngecur” gjithnjë. Por, Europiani i fituar 2 vjet më parë ndaj Gjermanisë në Vjenë, duket se e ka lënë pas makthin e zakonshëm që ekzistonte te Spanja përpara ndeshjeve decizive. Në ekranin gjigand të vendosur përpara stadiumit “Bernabeu”, tifozët spanjollë kanë qenë të gjithë në delir të martën në mbrëmje. Flamuj kombëtarë, vuvuzela dhe shumë fanela të kombëtares. Ishte kjo panorama në kryeqendrën e Spanjës. Ndërkohë gazetat janë të bashkuara, duke synuar trofeun. “Spanja nis të ëndërrojë”, është titulli i El Pais. “Vija ndez ëndrrën e Spanjës”, përgjigjet El Mundo. Ndërkohë gazetat e Barcelonës i gëzohen blerjes së re të këtij klubi, David Vija. “Mara-Vija”, “Gjeniale” është titulli i El Mundo Deportivo. Edhe në të përditshmen Sport, notat janë optimiste. “Çfarë mrekullie!”, titullon ajo, sërish duke luajtur me emrin e David Vijës. Ndërkohë El Mundo përdor në mënyrë zbavitëse foton e futbollistëve spanjoll që gëzonin për fitoren të gjithë së bashku, nën titullin: “E gjithë Spanja sipër Vijës”.
Përçarja
Skenat e festës dhe të triumfit janë parë në gjithë qytetet dhe ishujt në Spanjë, por jo në Barcelonë. Kryetari i bashkisë së këtij qyteti Zhordi Hereu, pavarësisht kërkesave të shumta, nuk e konsideroi të arsyeshme të vendoste një ekran gjigand në qendër të qytetit, pasi kjo do të lejonte thirrjet pro Spanjës. Por, dy vjet më parë njerëzit dolën të gjithë në shesh për të festuar dhe tani janë të shumtë ata që i kërkojnë kryetarit të bashkisë të vendosë një ekran, por ai nuk bindet. Një gjë e tillë ndodh në një kohë që “zemra” e kombëtares spanjolle është e përbërë nga futbollistë të Barcelonës, duke nisur nga Vija, Pujol, Pike, Ksavi, Iniesta, Pedro, Serxhi Buskets apo Viktor Valdes. Por, politika është politikë, Katalonja ndjehet larg Spanjës dhe dëshiron të largohet akoma më shumë. Më pas, nga gushti e tutje të gjithë merren me Real-Barcelona.

Gjithashtu lexo

Osmani: Bëmë gabime në mbrojtje, do të ndryshojmë në lojën e ardhshme

Trajneri i Shkëndijës së Tetovës, Qatip Osmani nuk e ka përjetuar mirë humbjen nga Milani. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *