Home / Sport / TË MARTËN SPEKTAKËL NË TETOVË:SHKËNDIJA-TETEKSI

TË MARTËN SPEKTAKËL NË TETOVË:SHKËNDIJA-TETEKSI

Të martën në stadiumin e qytetit në Tetovë do të zhvillohet derbi lokal mes Shkëndijës dhe Teteksit, në takimin ku priten numër i madh i tifozëve. Pas një viti pauzë qytetit rrëzë Sharrit i kthehet derbi mes rivalëve të përbetuar, por tani për herë të parë takimi do të jetë në kuadër të elitës së futbollit vendor. Tifozët e Shkëndijës “Ballistët”, paralajmërojnë “show” të tyre.

Që në start të sezonit të ri në Ligën e Parë të Maqedonisë në futboll do të ketë derbi të madh lokal, kur në stadiumin e qytetit në Tetovë do të “përplasen” anëtari i ri i elitës Shkëndija dhe përfaqësuesi i Maqedonisë në Europa Ligë, Teteksi. Një Shkëndijë e rrikthyer në kategorinë e parë, e përforcuar në fondin e futbollistëve, që ka lënë pas përgatitje cilësore në Asutri ku ka zhvilluar disa ndeshje kontrolluese me kundërshtarë të fortë dhe mbi të gjithë e motivuar deri në qiell për të treguar ku e ka vendin, do të ketë përballë kundërshtarin më të “uryer” (dhe që motivon më shumë), fqiun e parë, të cilët kishin paraqitje të suksesshme në Europa Ligë (ndeshjen e fundit e humbën 5:0 nga Elfsborgu). “Kuq e zinjtë” as që kishin mundur të zgjidhinin kundërshtar më të mirë se Teteksi, pasi në këto ndeshje çdo herë adrenalini ngritet në maksimum ndërsa stadiumi grumbullon numër të madh të shikuesëve. Skuadra e Teteksit vitin e kaluar për herë të parë pas 16-të viteve hyri në elitën e futbollit, mirëpo që në sezonin e parë arritën të fitojnë Kupën e Maqedonisë, duke siguruar dalje në Europa Ligë, ku u paraqitën me mjaft sukses. Mirëpo tani është koha për kampionatin vendor dhe në taborin e Shkëndijës mendojnë se janë të përgatitur për të bërë një sezon pozitiv. Elmedin Rexhepi në afatin kalimtar veror i’u bashkua Shkëndijës pikërisht nga rradhët e Teteksit dhe që në ndeshjen e parë në fanellën “kuq e zi” do të përballet me ish-skuadrën e tij. Rexhepi pret ndeshje cilësore dhe fitore të Shkëndijës, ndërsa nuk fsheh dëshirën që nëse i jepet rasti të regjitrohet në listën e golashënuesëve.
“Që në start dua të potencoj se ne të përgatitur presim kampionatin, ndërsa duam fitore në ndeshjen e parë, për të shënuar start të suksesshëm të sezonit të ri. Shkëndija këtë vit ka ambicie të mëdha dhe ne mendojmë vetëm për fitore. Fakti që Teteksin do ta kemi kundërshtar të parë nuk ndryshon asgjë, pasi neve na interesojnë vetëm tre pikë. Unë kam kaluar disa vite të mira në Teteks, mirëpo tani jam në Shkëndijë dhe mendoj vetëm për këtë klub. Gjithsesi se pres fitore dhe për më shumë shpresoj që nëse luaj, pikërisht unë të jem ai që do të tundë rrjetën kundërshtare. Megjithatë më e rëndësishme është që skuadra të fitojë, ndërsa unë nuk ndjej kurfarë emocioni para kësaj ndeshje, pasi Teteksi i takon vetëm të kaluarës sime”, deklaroi Rexhepi para derbit lokal të Tetovës.
Trajneri Qatip Osmani mund të llogarisë në formacionin më të fortë, ndërsa si një person që ka luajtur disa deri të këtillë lokal, madje disa herë duke qenë vendimtarë në fitoret e Shkëndijës, tani për herë të parë si trajner do të ketë një përvojë në duelin lokal.
“Sigurisht që kujtoj shumë mirë atmosferën që krijohet para, gjatë dhe pas ndeshjeve mes Shkëndijës dhe Teteksit. Duel interesant, tërheqës për të cilin nuk duhet t’i motivosh futbollistët, pasi ata i motivon vetë rëndësia e kësaj ndeshje. Dua të potencoj se në të kaluarën ka ndodhur që Shkëndija apo Teteksi ka patur ekip më të dobët se kundërshtari, por kur skuadrat hynë në fushë, vetë rivaliteti sjell që ekipet të jenë të barabarta dhe ndonjëherë të fitojë skuadra që objektvisht ka patur formacion më të dobët. Megjithatë tani mendoj se përparësia është në anën tonë, kemi ekip cilësor, të përforcuar me futbollistë shumë të mirë dhe mendoj se do të arrijmë të dalim me tre pikë nga ky duel”, – deklaroi “Qato”-ja duke kujtuar me emocione të kaluarën dhe duelet mes Teteksit.
“Shkëndija do të hyjë për të fituar, jo vetëm në duelin me Teteksin, por në çdo ndeshje të ardhshme kampionale, të Kupës por edhe miqësore. Duhet të krijojmë atmosferë fituese dhe këtë ta mbjellim në mendjen e më të rrinjëve. Të martën mendoj se duhet të mendojmë vetëm për tri pikë, për të dëshmuar forcën tonë. Në të kaluarën mbaj mend që këta takime bartnin shumë emocione dhe nxitje, mirëpo patjetër të theksoj se disa vite të kaluara kur Shkëndija kishte një ekip të fortë (mbase edhe tani jemi në atë pikë, nëse jo më të fortë) çdo herë ka dominuar ndaj Teteksit. Prandaj unë pres fitore të Shkëndijës, për të gëzuar tifozët tanë të zjartë “Ballistët””, – deklaroi mesfushori dhe njëri prej futbollistëve më me përvojë të Shkëndijës, Nebi Mustafi.
Është interesant fakti se edhe Qatip Osmani edhe Nebi Mustafi në të kaluarën kanë qenë pjesë e Teteksit, mirëpo afirmimin e vërtetë e arritën pikërisht në Shkëndijë. Ata kanë luajtur disa derbi lokal kundër Teteksit, dhe tani pas disa viteve të kaluara në mjedise të ndryshme, ata përsëri do të jenë kundër rivalit lokal.
Përballja ndërmejt Shkëndijës dhe Teteksit zhvillohet të martën (është shtyrë për shkak të pjesëmarjes së Teteksit në Europa Ligë edhe pse duket se këtu ka disa lojra të “pista” të Teteksit dhe FFM-së pasi disa herë ndrohet termini i ndeshjes. Si duket qëllimi është që të krijohet huti në opinon rreth orarit të zhvillimit të kësaj përballje me qëllim që mos të ketë numër të madh të shikuesisht) në stadiumin e qytetit në Tetovë me fillim në orën 17:00 dhe pritet që të ndiqet nga numër i madh i shikuesëve. Këta dy skuadra do të përballen pas një viti, ndërsa vlen të ceket se kjo do të jetë hera e parë që Shkëndija dhe Teteksi do të luajnë në një ndeshje të Ligës së Parë të Maqedonisë, pas paraprakisht të gjitha takimet i kanë zhvilluar në kuadër të Ligës së Dytë.

KRYESIA KËRKON MBËSHTETJE NGA TIFOZËT

Kryesia e Shkëndijës bën apel drejt adhuruesve të Shkëndijës që të vijnë në numër sa më të madh dhe të përkrahin ekipin. Gjithsesi këtë le ta bëjnë me stil të lartë, pa ofendime dhe pa hudhjen e gjësendeve të ndrsyhme në teren, pasi nga FFM-ja mezi se presin të dëndojnë klubin, tani kur të gjithë e kanë të qartë se Shkëndija është e fortë dhe është duke krijuar ekip që do të dominojë futbollin në Maqedoni.
Prandaj edhe një herë luten gjithë ata që e duan klubin, të martën të vijnë në numër sa më të madh në stadium dhe në mëndyrë korekte ta përkrahin Shkëndijën. Pa ofendime, pa sharje, pa politikë. Le të jehojnë këngë vetëm për Shkëndijën, vetëm për shqiptarët. Le të përkrahen në maksimum futbollistët dhe në fund dhashtë Zoti të gjithë së bashku të festojmë rrikthimin në Ligën e Parë me një fitore ndaj Teteksit, për më shumë për të treguar se kush është Shkëndija.

Gjithashtu lexo

Ylli i Shkëndijës: Nuk kemi çfarë të humbasim ndaj Milanit

Ardian Cuculi ka thënë se Shkëndija do të tentojë të bëjë lojën e saj dhe …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *