Home / Lajme / Maqedoni / Zëvendëskryeministri Ademi: Së shpejti ndërmjetësi Nimic do ofroj propozim të pranueshëm për të dy palët

Zëvendëskryeministri Ademi: Së shpejti ndërmjetësi Nimic do ofroj propozim të pranueshëm për të dy palët

1 korrik-
Ademi ka vlerësuar se Maqedonia i konsideron si të rrezikshëm zërat për një shkëmbim territoresh mes Kosovës e Serbisë, ndërkohë që paralajmëroi se vitin e ardhshëm, si pjesë e Korridorit të Tetë do të nisë ndërtimi i hekurudhës që do ta lidhë këtë vend me Shqipërinë.

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Abdylaqim Ademi, në një intervistë dhënë BBC-së, servisit në gjuhën shqipe, ka sqaruar së shpejti ndërmjetësi i Kombeve të Bashkuara, Metju Nimic, t’i ofrojë Shkupit dhe Athinës zyrtare një propozim të ri për emrin e Maqedonisë, i cili do të jetë i pranueshëm për të dyja palët.

Ademi në këtë intervistë ka folur edhe për zërat e fundit për një shkëmbim territoresh mes Kosovës e Serbisë, ide të cilat Maqedonia i konsideron si të rrezikshëm, ndërkohë që paralajmëroi se vitin e ardhshëm, si pjesë e Korridorit të Tetë do të nisë ndërtimi i hekurudhës që do ta lidhë këtë vend me Shqipërinë.

Në pyetjen e BBC-së në lidhje me kërkesën e opozitës për zgjedhje të parakohshme, Ademi ka deklaruar se Maqedonia nuk duhet t’i ketë epërsi zgjedhjet e parakohshme, por epërsi e saj duhet të jetë stabiliteti i brendshëm politik dhe ai i përgjithshëm. “Sigurisht, një prioritet tjetër, më i madh është edhe zgjidhja e çështjes së emrit dhe tejkalimi i krizës financiare që ka kapluar jo vetëm vendin tonë, por edhe vendet e rajonit dhe më gjerë. Prandaj ne vlerësojmë se epërsi duhet të jetë zgjidhja e këtyre temave që i përmenda dhe jo zgjedhjet e parakohshme”, ka deklaruar Ademi.

Emri është pengesa për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Abdylaqim Ademi ka folur edhe për çështjen e emrit. Sipas tij, takimet e drejtpërdrejta që kishin dy kryeministrat, Gruevski e Papandreu, gjatë muajve të kaluar, janë takime që japin edhe stimul edhe shpresë dhe japin sinjal se diçka po lëviz në drejtim të duhur rreth tejkalimit të mosmarrëveshjeve sa i përket çështjes së emrit i cili duhet thënë realisht se tani është pengesa më e madhe për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

“Ne duke pasur tanimë një përvojë të hidhur siç ishte ajo e Bukureshtit, kur Maqedonia nuk u pranua bashkë me Kroacinë dhe Shqipërinë në NATO, jemi të vetëdijshëm që ky problem do të duhet të zgjidhet. Prandaj edhe takimet janë të drejtpërdrejta, takimet janë intensifikuar dhe, ashtu siç e theksuat edhe ju, presim që mediatori Nimic të vijë tani me një propozim konkret i cili do të mund të ishte i pranueshëm për të dyja shtetet”, ka vlerësuar zëvendëskryeministri.

Zëvendëskryeministri Ademi në lidhje me krizën ekonomike për të cilën opozita thotë se ka edhe pastrim të mëdha të parave, i ka vlerësuar si deklarata politike të opozitës për të cilat, nëse do të ishin të vërteta duhet të jenë lëndë e organeve kompetente në bazë të ligjin.

”Është e qartë se në çdo vend demokratik, në çdo vend ligjor, do të duhet të respektohen ligjet dhe ne parimisht jemi dhe kemi luftuar krimin e organizuar, korrupsionin, kemi luftuar bartësit e funksioneve të ndryshme të cilët kanë shkelur ligjet, kështu që, parimisht, nëse eventualisht ka ndonjë që mund të ketë shkelur ligjet sigurisht që ai do të duhet të përgjigjet personalisht para organeve të drejtësisë”, tha Ademi për BBC-në.

Një varg investimesh e projektesh në viset shqiptare

Në këtë intervistë, Ademi ka folur edhe për akuzat e opozitës shqiptare në lidhje me investimet në viset shqiptare. “Në këtë krizë financiare, në këtë krizë ekonomike që ka përfshirë edhe vendin tonë, ne tani jemi edhe në fazën e ribalancimit të buxhetit të vitit 2010. Kemi edhe projeksione të reja të cilat janë të harmonizuara edhe me parashikimet dhe me mundësitë që ka Maqedonia për të pasur një buxhet me komponente investuese dhe zhvillimore”, është shprehur Ademi, zëvendëskryeministër dhe sekretar gjeneral i Bashkimit Demokratik për Integrim, duke sqaruar disa prej tyre.

”Janë disa projekte infrastrukturore në rajonin e Likovës. Atje do të ndërtohet një ujësjellës rajonal që do të furnizojë disa vendbanime të kësaj komune. Gjithashtu është projekti i rrugës që do të lidhë Kumanovën me Haraçinën nëpërmjet Likovës. Fjala është për një rrugë rajonale që lidh mëse 40 mijë banorë. Kemi rrugën Tetovë-Jazhincë, në drejtim të kufirit me Kosovën e cila tanimë po rikonstruohet. Është rruga Dibër-Kërçovë që së shpejti do të fillojë të ndërtohet. Tanimë kanë filluar ndërtimet në zonën e lirë ekonomike në Tetovë. Këtu parashikohet të ngrihen mbi 80 fabrika të vogla dhe të mesme dhe numri i përgjithshëm i punëtorëve që do të angazhohet pritet të arrijë rreth 8 mijë vetë. Po përmend me këtë rast edhe segmente të Korridorit të Tetë në pjesën perëndimore të vendit, rrugën Gostivar-Qafëthanë”, ka sqaruar Ademi.

Projekti tjetër shumë me rëndësi sipas Ademit është edhe hekurudha nga Kërçova që lidhë Maqedoninë me Shqipërinë.

“Vitin e ardhshëm pritet të nisë edhe ndërtimi i hekurudhës nga Kërçova që lidh Maqedoninë me Shqipërinë. Nëse do të ketë sukses koncesionimi i cili është në përfundim e sipër, shumë shpejt do të nis edhe ndërtimi i rrugës Shkup-Bllacë që lidh Shkupin me Kosovën. Pra, është një varg projektesh që sigurisht se nuk mund të realizohen brenda një muaji apo një viti, por janë projekte që do të kenë efekte në përmirësimin e kushteve për një jetë dhe mirëqenie sociale të banorëve të kësaj ane. Ne kemi bërë goxha investime edhe në infrastrukturën shkollore që është shumë e rëndësishme për shqiptarët, sidomos në objektet e Universitetit Shtetëror të Tetovës, si në këtë qytet, por edhe në Kumanovë, Shkup, Gostivar”, deklaroi Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Abdylaqim Ademi.

Maqedonia kundër ndarjes së Kosovës

Ademi ka vlerësuar se Maqedonia i konsideron si të rrezikshëm zërat për një shkëmbim territoresh mes Kosovës e Serbisë, ndërkohë që paralajmëroi se vitin e ardhshëm, si pjesë e Korridorit të Tetë do të nisë ndërtimi i hekurudhës që do ta lidhë këtë vend me Shqipërinë.

“Mendoj se janë ide të vjetra, janë ide gjithashtu të rrezikshme dhe tendencioze, në radhë të parë për shqiptarët, sepse janë ide të cilat pikërisht shqiptarët do t’i dëmtonin më së shumti se çdo kënd tjetër në rajon. Mendoj se këto ide jepen nga Serbia edhe për të defokusuar vëmendjen e opinionit nga ajo që ndodh me shtetin e ri, me institucionet e reja në Kosovë, me zhvillimin që ka Kosova dhe me zhvillimin që kanë popujt e rajonit në krahasim me Serbinë. Mendoj që këto ide janë të papranueshme, në radhë të parë, për Kosovën dhe popullin e Kosovës dhe pastaj edhe për shtetet e tjera. Pra, e papranueshme është edhe për Maqedoninë. Kosova tanimë po dëshmon se është shtet që prodhon stabilitet. Kosova është e pranuar nga një sërë shtetesh të botës dhe ata që e pranojnë pavarësinë e Kosovës e pranojnë sigurisht edhe planin e presidentit Ahtisari, i cili Kosovën e njeh me kufijtë administrativë dhe ata kufij tanimë janë kufij të njohur ndërkombëtarisht. Janë kufij të shtetit të Kosovës”, deklaroi zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Abdylaqim Ademi për BBC-në

Gjithashtu lexo

Armata e Maqedonisë shënon 25 vjetorin e formimit të saj

Armata e Republikës së Maqedonisë sot shënon 25 vjet nga formimi i saj. Solemniteti qendror është …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *