Home / Sport / 10 transferimet më të mira të verës

10 transferimet më të mira të verës

Merkatoja e kësaj vere ka qenë intensive për disa prej klubeve dhe futbollistëve kryesorë në Evropë. Ja një renditje me 10 transferimet më të mira deri tani, pak orë nga mbyllja zyrtare.

1. Zllatan Ibrahimoviç (nga Barcelona te Milani, 24 milionë euro)
Pas bisedimeve intensive gjatë ditëve të fundit, në në fund u arrit marrëveshja për rikthimin në Itali të suedezit. Sulmuesi do të jetë në formë huazimi për një vit me të drejtë blerjeje përfundimtare për tre vite të tjera. Në arkat e Barcelonës do të shkojnë 24 milionë euro që do të paguhen brenda tre viteve.

2. David Vila (nga Valencia te Barcelona, 40 milionë euro)
Marrëveshja e arritur që në fillimin e merkatos, solli në “Kamp Nou” një nga shënuesit më të mirë të kampionatit spanjoll vitet e fundit, duke i shtuar një armë më tepër kampionëve të Barcelonës. Pas formës së shkëlqyer në botërorin e Afrikës, Vila edhe këtë vit do të jetë një kandidatët kryesorë për të fituar Këpucën e artë.

3. Mario Baloteli (nga Interi te Mançester Siti, 30 milionë euro)
Një nga telenovelat më interesante të verës u mbyll me një fund të lumtur. Pas javësh të tëra negociatash, më në fund Interi dhe Mançester Siti gjetën gjuhën e përbashkët pasi më parë klubi anglez kishte arritur marrëveshjen me lojtarin. Te Siti, 20-vjeçari rigjen Roberto Mançinin, ish-trajnerin në kohën e Interit.

4. Jaja Ture (nga Barcelona te Mançester Siti, 29 milionë euro)
Ndërkohë që klubet e tjera të Premier Ligës ishin të përgjumur, Mançester Siti tregoi muskujt financiarë në merkaton e kësaj vere, duke blinduar mesfushën me një tjetër lojtar të fuqishëm. Ivoriani gjen në ekipin e Citizens të vëllanë Kolo, i cili mban shiritin e kapitenit.

5. Mesut Ozil (nga Verder Bremeni te Reali i Madridit, 15 milionë euro)
Një nga lojtarët më të mirë të botërorit afrikan mund të ishte larguar me parametra zero në fund të sezonit tjetër, por Reali nuk mund të rrezikonte të përballej me konkurrencën e rivalëve anembanë Evropës të cilët ishin të gatshëm ta rrëmbenin në çdo moment turko-gjermanin. Marrëveshja u mbyll brenda katër ditësh dhe Hoze Mourinjo mbeti shumë i kënaqur.

6. David Silva (nga Valencia te Mançester Siti, 30.2 milionë euro)
Pas shtatë vitesh, anësori i talentuar vendosi të ndryshojë ambient duke zgjedhur Premier Ligën. Gjeti pak hapësira në Kupën e Botës, por shpreson të justifikojë çmimin e lartë duke ndihmuar Sitin të sigurojë Ligën e Kampionëve në sezonin e ardhshëm.

7. Angel Di Maria (nga Benfika te Reali i Madridit, 25 milionë euro)
I riu nga Argjentina ishte blerja e parë “galaktike” e kësaj vere nën Hoze Mourinjon, si pjesë e projektit të këtij të fundit për ta bazuar lojën nga krahët. Deri tani mbetet blerja më e shtrenjtë e spanjollëve dhe shpreson të tregojë vlerat e tij në Primera Divizion.

8. Hernanes (nga Sao Paolo te Lacio, 10 milionë euro)
I cilësuar si një nga talentet më të mëdha të futbollit brazilian në vitet e fundit, ish-mesfushori i Sao Paolos ishte nën vëzhgimin e gjigandëve të Serisë A: Interit, Milanit dhe Juventusit. Por në fund Lacio u tregua më e gatshme për të derdhur 10 milionë euro në arkat e klubit brazilian.

9. Marun Çamakh (nga Bordoja te Arsenali, kosto zero)
Blerje “alla Venger”: lojtar i mirë me kosto të ulët. Madje pa kosto fare. Trajneri francez vijon politikën e tij “dorështrënguar” dhe një rast i tillë nuk mund t’i shpëtonte nga duart. Marokeni është një forcë më tepër në sulmin e “Topçinjve”, së bashku me Van Persin, Ualkotin dhe Arshavinin.

10. Xho Kol (nga Çelsi te Liverpuli, kosto zero)
Anësori i kombëtares së Anglisë me siguri ka diçka për të treguar pas botërorit që zhvilloi si zëvendësues në Afrikën e Jugut dhe largimit jo fort të këndshëm nga Çelsi. Ai do përpiqet t’i bëjë të ditur londinezëve se ajo që për ta konsiderohej i pavlefshëm, për Liverpulin mund të rezultojë një thesar i vërtetë.

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *