Home / Lajme / Maqedoni / 9 vjet pas Marreveshjes se Ohrit – Imer Aliu: “Për shqiptarët, Ohri s’ka më kuptim”

9 vjet pas Marreveshjes se Ohrit – Imer Aliu: “Për shqiptarët, Ohri s’ka më kuptim”

25 gusht-
“Partia Demokratike Shqiptare, pas shumë analizash të procesit të implementimit të Marrëveshjes së Ohrit, pas shumë kritikash drejtuar modifikimeve substanciale, të papërgjegjshme të kësaj Marrëveshjeje dhe pas shumë hezitimesh të përgjegjshme, doli me vlerësimin se ajo e ka humbur kuptimin e vet, se asaj i ka skaduar afati, madje ajo është bërë pengesë për zhvillimin e mëtejmë të shoqërisë mbi standardet e reja. Pikërisht për këto arsye Partia Demokratike Shqiptare doli me projektin Marrëveshja e Re.

Nëse do të shikosh fenomenin e politikës shqiptare të Tiranës, mund ta zbulosh me interpolim në kahun e shqiptarëve të Maqedonisë. Të vendosur vazhdimisht në vështirësi nga maxhoranca maqedonase, politikanët shqiptarë një pjesë të veprimtarisë së tyre u duhet që ta kalojnë në luftë të pakompromis me njëri-tjetrin, në vend që të merren me probleme madhore.
Imer Aliu, deputet dhe Sekretar i Përgjithshëm i PDSH-së, ka folur ditët e fundit për MAPO-n me një analizë të gjatë. Ish-zëvendëskryeministri ka shpjeguar mosfunksionimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe me tonin tepër të lartë të Partisë së tij ka treguar realisht me gishtin e fajtorit, Partinë tjetër shqiptare që është në pushtet, BDI, e cila drejtohet nga Z. Ali Ahmeti, një ish-eksponent i UÇK-së dhe kuptohet mossinqeritetin e vazhdueshëm të palës maqedonase. Pak ditë më parë, Z. Imer Aliu, që i përket gjeneratës së politikanëve të ri shqiptarë të Maqedonisë, ka ftuar në debat televiziv, zv/kryeministrin aktual shqiptar të Maqedonisë, Z. Abdylaqim Ademi për të shqyrtuar të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit. Asgjë pastaj, veçse ky i fundit e ka akuzuar Z. Aliun se ai kur ishte në postin e tij, ishte përgjegjësi kryesor për mos implementimin e duhur të Ohrit…
Në këtë intervistë të gjatë, Z. Aliu ka treguar sepse nuk ka funksionuar pala shqiptare dhe problematikën e tyre, ku përfshihet punësimi dhe mbijetesa. Kuptohet se theksi dhe fushëpamja shkon më shumë nga krahu i PDSH, ku ai është figura kryesore publike pas Menduh Thaçit. Në fund, Z. Aliu ka treguar se Marrëveshja për PDSH-në tashmë s’ka asnjë kuptim dhe që ky formacion politik ka përgatitur një material për një dokument të ri, që do të quhet Marrëveshja e Re. Në intervistë ka pasur dhe disa nota keqkuptimi, por Z. Aliu u është shmangur me kujdes, duke treguar me kujdes dhe të artikuluar shumë saktë vizionin e tij politik…
Nëntë vjet pas firmosjes së Marrëveshjes së Ohrit, duket se ka shumë pengesa në implementimin e saj. Juve, si një nga personazhet kryesore, për implementimin e saj, si e justifikoni këtë?
“Para se të hyjmë dhe të analizojmë pengesat për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, duhet të kthehemi pas, të analizojmë rrethanat e atëhershme në Maqedoni si dhe faktorët që ndikuan për arritjen e asaj që quhet Marrëveshja e Ohrit.
Më 2001, në Maqedoni filluan të shfaqeshin grupe të armatosura të cilat pastaj u profilizohen si “Ushtria Çlirimtare Kombëtare” me përfaqësues politikë dhe një garniturë udhëheqëse të përbërë kryesisht nga persona që jetonin në mërgim. Vetë nocioni “Ushtria Çlirimtare Kombëtare” me të drejtë te shqiptarët në Maqedoni u kuptua si një kushtrim kombëtar, pasi që, nisur nga emri i kësaj ushtrie do të bëhej çlirimi i trojeve ku jetojnë shqiptarët në Maqedoni. Të përkujtojmë se në Kosovë më 1999 me intervenimin e forcave të NATO-s u kurorëzua lufta për çlirim kombëtar nga Serbia dhe kjo padyshim, ndikonte shumë gjatë kohës së konfliktit në Maqedoni për mobilizimin e shqiptarëve.
Në 5 (pesë) komunikatat e para “Ushtria Çlirimtare Kombëtare “ bënte thirrje për “ çlirim kombëtar…ta luftojmë armikun… kundër forcave pushtues policore sllavo-maqedonase…”, krijoheshin “zona të lira” që padyshim ndikonin te shqiptarët për bashkëngjitje në radhët e kësaj “Ushtrie Çlirimtare Kombëtare”.
Në komunikatën nr. 6 të “Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare” dhe deklaratat e përfaqësuesit politik të kësaj “ushtrie” Z. Ali Ahmeti i cili sot është kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim , filluan të renditen deklarata duke ju shmangur skajshmërish kërkesave kombëtare se “këta dy ushtri ( pra armata e Maqedonisë dhe Ushtria Çlirimtare Kombëtare) luftojnë për këtë Maqedoni…”.
Pra, mohimi publik që ju bëhet 5 komunikatave të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, distancimi nga “zonat e shpallura të lira”, zhvillimi i konfliktit vetëm në mjedise të thella ku jetojnë shqiptarët, eliminon definitivisht komponenten kombëtare të këtij konflikti , nga ana e garniturës udhëheqëse të kësaj “ushtrie” që më pas u shndërrua në lidership të BDI në krye më z. Ali Ahmeti.
Motivi i vetëm i këtij konflikti që mjeshtërisht kamuflohej para shqiptarëve, nga kjo garnitur që udhëhiqte “Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare”, ishte rrëzimi me dhunë i PDSH-së nga qeverisja e asaj kohe dhe instalimi i tyre në pushtet me çdo kusht.
Faktori ndërkombëtar ndërhyri, duke i ulur në tryezë forcat relevante politike në Maqedoni si VMRO-DPMNE,LSDM,PDSH dhe PPD që u finalizua si “kornizë e Marrëveshjes së Ohrit” më 13 gusht 2001.
Pra Marrëveshja e Ohrit ishte një kornizë për ndërprerjen e këtij konflikti për disa i pakuptimtë por për shqiptarët fatkeqësisht një konflikt me motive tepër të ulëta, rrëzimi me dhunë i një subjekti politik shqiptar ( PDSH ) dhe instalimi i një garniture që vinte nga mbeturinat e lëvizjeve marksiste –leniniste që vepronin në Perëndim, si Ali Ameti, Fazli Veliu, Musa Xhaferri etj.
Për t’u rikthyer në pyetjen tuaj, lidhur me pengesat për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, e bëra përshkrimin më lartë, që të jetë më qartë se me çfarë garniture kemi të bëjmë. Pra së pari të shohim brenda “oborrit “ tonë e pastaj të shohim më larg. Kjo garniturë politike, BDI udhëhequr nga z.Ali Ameti gjatë periudhës 2002-2010 në qeverisjen qendrore ka qenë plot 80 muaj kurse PDSH 18 muaj ( dy vjet para afatit braktisi qeverinë në viti 2008) !
PDSH hyri në qeveri në fund të vitit 2006 dhe tentonte me çdo kusht që proceset dhe vetë implementimin e Marrëveshjes së Ohrit ti vinte në binarë të drejtë, proces ky skajshmërisht i devijuar gjatë periudhës së qeverisjes së parë të BDI-së(2002-2006). Unë kam qenë personazh i kësaj “drame” por megjithatë ishte e pamundur. Prandaj ne si parti në pranverën e 2008 braktisëm qeverinë duke sinjalizuar publikisht se nuk ka gatishmëri nga pala tjetër maqedonase jo vetëm për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit por edhe për procese tjera me rëndësi si procesi i integrimit në UE dhe NATO”.

Duke këmbëngulur në pjesën shqiptare. Duket se ka pasur një ton shumë servil në kohë të politikanëve shqiptarë, që kanë qenë në qeveritë maqedone. Mendoni se performanca e tyre jo e drejtë e ka penguar implementimin?
“Mbase nuk do të pajtohem në tërësi me formulimin “ ton shumë servil në kohë të politikanëve shqiptar” pasiqë të gjithë nuk janë ashtu. Nuk mund të thuhet p.sh. për kryetarin e PDSH-së z. Menduh Thaçi, i cili mbase është një ndër politikanët e vetëm jo vetëm në Maqedoni por në rajon e më gjerë që ka tre dosje politike të hartuara nga ana e Shërbimit Sekret dhe atë gjatë periudhës 1985-1991, 1993-1998 dhe 2002-2006 !-Këto dosje politike për kryetarin e z. Menduh Thaçi kanë mbi 6500 faqe të cilët PDSH tanimë i posedon!
Fatkeqësisht, pjesërisht keni të drejtë pasiqë s’kemi ndryshe si ti komentojmë deklaratat e kryetarit të BDI-së z.Ali Ahmeti ,se “…nëqoftëse ma hapni zemrën aty do ta gjeni Maqedoninë…”ose “…jemi të gatshëm që Johan Tarçullovskin ta mbrojmë në Hagë…”- ( sqarim: Johan Tarçullovski oficer i policisë së Maqedonisë i cili është dënuar nga Tribunali i Hagës për krime lufte kundër shqiptarëve ) etj. etj.
Pa komentuar më tutje faktin se z. Ali Ameti me disa deputet ende ndiqet nga gjyqësia me akuza për krime lufte edhe pse Tribunali i Hagës i ktheu në Maqedoni për mungesë provash . Ai dhe partia e tij që janë në bashkëqeverisje me partinë e z. Nikolla Gruevski me “dy këmbë “ shkelin ligjin për amnisti ! Përveç servilizmit do të thosha edhe shantazhimi i kësaj garniture politike shqiptare (BDI) për raste koruptive dhe kriminale paraqet pengesë serioze…”.

Ndërsa flitet de jure për zbatimin e saj, de facto kemi një ngecje të frikshme. Nuk respektohet përqindja e punësimit, gjuhës dhe e shkollimit të shqiptarëve. Duket si një hakmarrja e fshehtë ndaj luftës së shqiptarëve më 2001. Ju, vetë, sa keni mundur ta zbusni këtë përshtypje?
“Paraqitja e realitetit në këtë mënyrë, d.m.th se ligjet qe burojnë nga Marrëveshja e Ohrit janë miratuar por që ka pengesa ne implementimin e të njëjtëve në praktikë, bëhet me të vetmin qëllim që të mbulohet dështimi i kësaj Marrëveshje. Realiteti flet se pikërisht ligjet e miratuara kinse në frymën e Marrëveshjes së Ohrit janë faktori kyç që thellon ngërçin që i ka kapluar shqiptarët e Maqedonisë.
Ligji për përdorim të gjuhëve që i flasin së paku 20% e qytetarëve në Maqedoni apo siç pëlqejnë ta quajnë ligji për përdorim zyrtar i gjuhës shqipe, i miratuar para dy vitesh, është shembulli tipik i konstatimit tonë se kjo Marrëveshje nuk realizohet. Përderi sa në Kushtetutë, gjuha shqipe trajtohet si gjuhë e dytë zyrtare, në këtë ligj ajo segregohet në krahasim me gjuhën maqedonase dhe trajtohet si gjuhë e dorës së dytë. Ligji për amnisti i miratuar ne kohën e qeverisjes së parë të PDSH-së nuk respektohet dhe si pasojë proçesohen nga gjykatat e vendit 4 rastet e 2001 të njohura si rastet e Hagës edhe pse me ligjin për amnisti një gjë e tillë ndalohet.
Grupi parlamentar për ta pamundësuar këtë deponoi në Parlamentin e Maqedonisë Iniciativën për interpretim autentik të ligjit për amneisti me çka do të pamundësohesh procesimi i këtyre rasteve në gjykatat e vendit. Kjo iniciativë është deponuar para dy vitesh dhe ende nuk është vendosur në rend dite të këtij institucioni dhe ishte një nga arsyet e bojkotimit të parlamentit nga ana e grupit parlamentar të PDSH-së. Përkundër kësaj deputetët e BDI-së votojnë marrjen e imunitetit të dy deputetëve të tyre të cilët akuzohen për rastet e Hagës. Të përkujtojmë se tentim për hapje të 4 rasteve të Hagës kishte edhe në kohën e qeverisjes 18 mujore së PDSH-së por kjo u pamundësua nga ana jonë.
Decentralizimi si një nga shtyllat kryesore të Marrëveshjes së Ohrit duhej të ishte në funksion të bartjes së kompetencave dhe një autonomi më të madhe në funksionimin e komunave ka dështuar dhe si pasojë komunat me shumicë shqiptare, në veçanti ato rurale, në mungesë të fondeve nuk mund të realizojnë asnjë projekt në interesat e qytetarëve pasi janë totalisht të varura nga pushteti qendror.
Me Ligjin për ndarjen territoriale të Maqedonisë, miratuar në vitin 2004 nga ana e BDI-së, hapësirat me shumicë shqiptare zhveshin totalisht nga objektet me rëndësi të veçantë për zhvillim dhe funksionim normal të tyre si fabrikat, vendkalimet kufitare, aeroportet, fabrikat etj. Ndërpritet vazhdimësia e territoreve me shumicë absolute shqiptare duke krijuar komuna artificiale maqedonase si tampon zona (komuna e Jegunocit, Mavrovës, Debarcës) etj”.
A është e vërtetë se shqiptarët, që janë në qeverinë maqedone, nuk e përligjin si duhet nga ana profesionale institucionale vendin e tyre? Është e vërtetë se tashmë janë 20% e shqiptarëve në administratë?
“Funksionimi 26 mujor i BDI-së në qeveri karakterizohet me një servilizëm ndaj maqedonasve të paparë deri më tani. Kjo situatë nuk mund të krahasohet as me periudhën e komunizmit kur përfaqësuesit e shqiptarëve i” zgjidhte” sistemi. Në institucionet ku bartës de jure janë funksionarët e kësaj partie, de facto pushtetin real e ushtrojnë zëvendësit e tyre maqedonas.
Manipulimi më i madh nga ana e partisë shqiptare në pushtet bëhet pikërisht me përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në institucionet e shtetit. Ata në pamundësi që të grumbullojnë të dhëna nga institucionet e vendit për numrin e shqiptarëve të punësuar në sektorin publik, për shkak se nuk përfillen fare nga bartësit e këtyre institucioneve dhe nuk ju dorëzojnë të dhëna, manipulojnë me shifra për kinse rritje të numrit të shqiptarëve në administratën shtetërore. Në fakt ndodh e kundërta kemi largim nga puna dhe degradim të një numri të madh të shqiptarëve sektorin publik. Me arsyetimin e krizës globale financiare pamundësohet punësimet e reja kurse ato pak që pranohen ne punë, rinë në shtëpi për shkak të paaftësisë së BDI-së që ti sistemojë nëpër institucione.
Të dhënat e publikuara nga Avokati i Popullit flasin se ekzistojnë më shumë se 100 institucione ku nuk ka të punësuar asnjë shqiptar. Para disa ditësh, me rastin e ditës së Armatës, u ngritën në detyrë dhe u graduan dhjetëra oficer në mesin e tyre asnjë shqiptarë”.

A duket si prirje që shqiptarët e kanë më lehtë të përdorin gjuhën maqedone për të përmbushur problemet e tyre?
“Amendamenti i pestë (5) i Kushtetutës, miratuar më Nëntor të vitit 2001, e që buron nga Marrëveshja e Ohrit thotë “gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e popullatës është gjithashtu gjuhë zyrtare”, kur dihet se shqiptarët janë i vetmi popull në Maqedoni që përbëjnë mbi 20% nuk duhet të jeshë jurist i zoti që të konstatosh se gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në shtet.
Ishte pikërisht BDI që para dy vitesh miratoi ligjin e gjuhëve( ofertë të cilën e ka pasur edhe PDSH-ja por që ne nuk pranuam) ligj që është në kundërshtim me Kushtetutën dhe me të cilin statusi i gjuhës shqipe u degradua skajshmerisht me çka ndër të tjera ju pamundësua shqiptarëve ta përdorin gjuhën e tyre në komunikim me institucionet.
Qytetarët shqiptarë edhe mund ta provojnë të bëjnë kërkesa institucioneve të shtetit në gjuhën e vetë amtare por ama asnjëherë nuk do të marrin përgjigje nga ata institucione dhe asnjëherë nuk do të mund ti përmbushin problemet apo kërkesat që i kanë ndaj institucioneve të shtetit. Të gjendur para kësaj situate ata janë të detyruar të përdorin gjuhën maqedone për komunikim me institucionet e shtetit.

Ka shumë akuza për qeverinë e Z. Gruevski, se po e minon këtë Marrëveshje. Ju vetë ku e shikoni këtë, nëse është e tillë?
“Në një situatë kur lideri i BDI-së Ali Ahmeti dhe zv/kryeministri përgjegjës për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit konstatojnë se gjithçka është në rregull dhe se Marrëveshja e Ohrit është implementuar 95%( thënë para 18 muajsh) shtrohet pyetja se cili do ishte konstatimi i Kryeministrit maqedonas ?!
Problemi real janë përfaqësuesit shqiptarë në qeveri pasi nuk kanë ndikim, kapacitet dhe dije që të imponohen si faktor vendimmarrës edhe pse kanë 18 deputet që përbëjnë shumicën parlamentare”.

“Mbetemi tërësisht të përkushtuar ndaj Marrëveshjes kornizë të Ohrit dhe presim që të gjithë pjesëmarrësit të marrin përsipër obligim të plotë për atë që paraqet proces të vazhdueshëm dhe ta mbështesin zbatimin e Marrëveshjes edhe si tekst, por edhe frymën e saj”, thuhet në deklaratën e përbashkët të firmosur nga ambasadorët e BE-së, SHBA-ve, NATO-s dhe OSBE-së në Maqedoni. Sipas jush Z. Aliu a ju janë përmbajtur si duhet detyrimeve të tyre, funksionarët më të ulët të këtyre strukturave në Maqedoni?
“Implementimi i Marrëveshjes së Ohrit ishte i afatizuar, ishte viti 2004 limiti kur duhej të përfundonte procesi i jetësimit të kësaj marrëveshje, dhe sot kur faktorë të jashtëm dhe të brendshëm flasin për implementim ata në fakt vërtetojnë konstatimet tona se kjo Marrëveshje nuk është implementuar!”

Si e shikoni të ardhmen e këtij dokumenti për shqiptarët dhe maqedonët?
“Partia Demokratike Shqiptare, pas shumë analizash të procesit të implementimit të Marrëveshjes së Ohrit, pas shumë kritikash drejtuar modifikimeve substanciale, të papërgjegjshme të kësaj Marrëveshjeje dhe pas shumë hezitimesh të përgjegjshme, doli me vlerësimin se ajo e ka humbur kuptimin e vet, se asaj i ka skaduar afati, madje ajo është bërë pengesë për zhvillimin e mëtejmë të shoqërisë mbi standardet e reja. Pikërisht për këto arsye Partia Demokratike Shqiptare doli me projektin Marrëveshja e Re.
Marrëveshje e re, kontratë e re që do t’i përkufizojë të drejtat dhe obligimet e ndërsjella të shqiptarëve dhe maqedonasve e cila përfshin:
Zbatimin e plotë dhe në afat të caktuar të pikave të marrëveshjes (kontratës). Në këtë vijë duhet të nxirret një ligj i veçantë ku parashikohen masa ndëshkuese për shkeljet dhe zvarritjet, për të gjitha manipulimet që ndikojnë që një e drejtë të bëhet e pashfrytëzueshme;
Barazinë e plotë dhe përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve në sistem, si në shfrytëzimin e begative të sistemit, ashtu edhe në vendimmarrje. Kjo fushë do të kontrollohet me parimin e konsensusit të plotë. Këtu bën pjesë edhe ndarja proporcionale e buxhetit. Nëse kjo ndarje nuk do të ishte e barabartë, të drejtat e ofruara, ashtu si u theksua më lart, do të shndërrohen në oferta të parealizueshme;
Përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe pa segregime fyese;
Përfaqësimin e drejtë të kontrolluar;
Marrëveshjen që njëri nga tri postet kryesore të shtetit (presidenti,kryeministri, ose kryetari i Parlamentit) t’i takojë përfaqësuesit shqiptar;
Ligjin e ri për funksionim konsensual të Qeverisë;
Decentralizimin e njëmendtë në vend të dekoncentrimit që krijon iluzionin se mjetet buxhetore janë decentralizuar;
Ndarjen e re territoriale që merr parasysh aspektin etnik, kulturor, ekonomik, infrastrukturor;
Themelimin e institucioneve në funksion të zhvillimit të vlerave kulturore shqiptare;
Respektimin e përpiktë të konceptit shekullar të shtetit;
Deetnizimin e simboleve të shtetit, të himnit, të stemës dhe të simboleve të tjera shtetërore;
Përcaktimin strategjik dhe pa ekuivoke për integrim në NATO dhe UE”.
(marre nga revista Mapo)

Gjithashtu lexo

Lumi në Poroj të Tetovës ende mbetet pezull, banorët bllokojnë rrugën Tetovë-Jazhincë

Banorët e fshatit Poroj, sot (18 gusht), prej ora 14:00 e kanë bllokuar rrugën rajonale …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *