Home / Sport / Atletiko Madrid-Inter, sonte luhet Superkupa e Evropës

Atletiko Madrid-Inter, sonte luhet Superkupa e Evropës

Sot në mbrëmje (ora 20:45) në stadiumim “Luigji II” të Monakos, Atletiko e Madridit dhe Interi do të diskutojnë trofeun e Superkupës së Evropës.

Si kampionët e Evropës ashtu edhe fituesit e Ligës së Evropës marrin pjesë për të parën herë në një finale të tillë. Herën e parafundit që Interi fitoi Kupën e Kampionëve, Superkupa nuk kishte lindur ende. Kurse në 1998-ën, kur zikaltrit fituan Kupën Uefa, Superkupa diskutohej mes fituesve të Ligës së Kampionëve dhe atyre të Kupës së Kupave.

Statistikat na mësojnë se prej 1999-ës, kur Superkupa u përcaktua në formatin aktual, fitues ka qenë pesë herë ekipi që ka ngritur trofeun e Ligës së Kampionëve, e po kaq herë skuadra e Uefas dhe e Ligës së Evropës. Pra, pothuajse gjithçka e barabartë para sfidës së sotme. Duke parë përbërjen e formacioneve, të vetmit që mund të kishin një fanellë titullari në ekipin zikaltër, janë Forlan dhe Serxho Aguero. Bardhekuqtë e mbyllën në vendin e nëntë kampionatin e kaluar, 52 pikë pas Barcelonës kampione.

Sa i përket formacioneve, Interi me shumë mundësi do ta nisë me 11-shen e finales së Championsit në Madrid. Me të njëjtët lojtarë, ndoshta me ndryshimin e vetëm se Eto do të luajë në të majtë të treshes së sulmit pas Militos. Në këtë mënyrë kamerunasi do të jetë më pranë portës kundërshtare i mbuluar nga Kivu në prapavijë, ndërkohë që në të djathtë i takon Pandevit të mbulojë shpërthimet e Maikonit. Zaneti dhe Kambiaso do të vendosen para mbrojtjes e cila në takimin e sotëm pritet të luajë disi më përpara.

Në krahun tjetër, spanjollët kanë disa dyshime lidhur me formacionin, që vjen si pasojë e një merkatoje pak a shumë aktive. Mendohej se ish-juventini Tiago nuk do të ishte mes të grumbulluarve, por portugezi mund ta nisë si titullar përballjen me zikaltrit. Megjithatë Asunçao dhe Raul Garsia duken më të favorizuar. Në krahët e mesfushës do të vendosen Rejes dhe i riu Merida (i ardhur nga Arsenali), ndërkohë që në qendër të mbrojtjes, i sapoardhuri Godin do të luajë përkrah Domingezit. Në të djathtë luan Ujfalushi e në krahun tjetër kapiteni Antonio Lopez. Porta do t’i besohet 20-vjeçarit De Gea, titullar prej mesit të sezonit të kaluar. Pak dyshime edhe përpara, ku detyra për të shënuar i takon Forlanit dhe Serxho Agueros.

E sotmja do të jetë e para finale e Superkupës që do të gjykohet nga gjashtë gjyqtarë. Përveç katër “bilbilave” të zakonshëm, do të shtohen edhe dy të tjerë në zonën e rreptësisë, rregull i zbatuar që në sezonin e shkuar në Ligën e Evropës. Gjashtëshja e përcaktuar nga Pierluixhi Kolina do të jetë e gjitha zvicerane, me kryesor 41-vjeçarin Masimo Busaka. Në stadiumin “Luigji II” është gjithçka gati: 17265 vende, tre mijë bileta për italianët, po kaq për spanjollët.

Atletiko Madrid – Inter, formacionet e mundshme:

Atletiko Madrid (4-4-2): De Gea; Ujfalushi, Godin, Domingez, Antonio Lopez; Rejes, Asunçao, Raul Garsia (Tiago), Merida; Forlan, Aguero. Trajner: K. Flores

Inter (4-2-3-1): Hulio Sezar; Maikon, Lusio, Samuel, Kivu; Kambiaso, Zaneti; Pandev, Shnajder, Eto; Milito. Trajner: R. Benitez

Gjyqtar: M. Busaka (Zvicër)

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *