Home / Sport / Barça-Real dominojnë merkaton, vazhdon sfida dyshe në La Liga

Barça-Real dominojnë merkaton, vazhdon sfida dyshe në La Liga

Katalanët dhe madrilenët mbeten protagonistët e vetëm në kampionatin iberik, duke dominuar në merkato dhe në mënyrë indirekte duke paralajmëruar se do të vazhdojnë dominimin e tyre në La Liga.

Nuk është më koha e “galaktikëve”, por e specialëve. Vetëm 12 muaj pas milionave të shpenzuara për lojtarë si Kristiano Ronaldo, Kaka, Benzema, Ksabi Alonso e të tjerë, presidenti i Realit të Madridit, Florentino Perez, ka vendosur të investojë në pankinë. Ai ia ka besuar skuadrën trajnerit më të suksesshëm të këtyre viteve të fundit, Zhoze Murinjos. Në “Santiago Bernabeu” ka përfunduar koleksioni i yjeve dhe tashmë klubi do të përqendrohet në blerjen e lojtarëve të menduar mirë. Deri më tani nuk është bërë asnjë prezantim “Hollivudian”, megjithatë La Liga nuk e ka humbur bukurinë. Në të vërtetë, merkato e verës ka konfirmuar diferencën e jashtëzakonshme që dy mbretëreshat Real dhe Barcelona, kanë me skuadrat e tjera. Valencia, që aspiron të jetë klubi i tretë në Spanjë ka humbur lojtarët kryesorë, ndërsa Sevilja nuk ka bërë asnjë përforcim të bujshëm.

Blerja më e madhe e kampionatit spanjoll ka qenë padyshim ajo që realizoi Barcelona, vetëm pak ditë përpara Botërorit 2010: David Vija iu bashkua skuadrës kampione, duke i bërë të gjithë të lumtur, përveç Zlatan Ibrahimoviçit. “Maravija” është perfekt për stilin e lojës së “blaugranave”, të cilët kanë përforcuar edhe krahun e djathtë me Adrianon, i cili u transferua nga Sevilja për 9 milionë euro. Deri më tani, Reali i Madridit është kundërpërgjigjur me afrimin e Angel Di Marias, sulmues i krahut të majtë (i blerë 25 milionë euro nga Benfika). Por, Perez është shfaqur si presidenti më aktiv në merkato, duke shpenzuar edhe 26 milionë euro të tjera (në total 51 milionë euro): 10 për Khediran e Shtutgartit, 10 për Pedro Leon, ish-mesfushor i Getafes dhe 6 për Serxho Kanales, yllin e përfaqësueses U-19 spanjolle, që gjatë sezonit të kaluar luante me Rasing.

Në të vërtetë, skuadra më aktive e La Ligas në merkato ka qenë Valencia: por, për fatin e keq të tifozëve të këtij klubi, thuajse të gjitha transferimet lidhen me shitjen e lojtarëve. Shkak janë bërë borxhet e shumta, prej të cilave klubi ka rrezikuar disa herë falimentimin. Përveç Vijës, u sakrifikuan edhe David Silva (Mançester Siti), Zigiç (Birmingam) dhe Marçena (Vijarreal). Me këto shitje, Valencia përfitoi afro 80 milionë euro, ndërsa për të luajtur në Champions League të larguarit u zëvendësuan me lojtarë cilësorë, por më të lirë si sulmuesit Soldado dhe Aduriz dhe mesfushorët Tino Kosta dhe Mehmet Topal. Situatë më të keqe po përjeton Majorka, klub që UEFA e përjashtoi nga Europa League për shkak të problemeve financiare. Drejt zhytjes duket edhe “nëndetësja” Vijareal, që nuk po gjen forcën të ringrihet. Pas Barçës dhe Realit, moment më të mirë duket se po kalon Atletiko Madrid: kampionët e Europa League kanë mbajtur të gjithë lojtarët kryesorë, ndërsa janë përforcuar në mbrojtje.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *