Home / Sport / Champions, surprizat e para

Champions, surprizat e para

Ka filluar me surpriza raundi i parë i “play-off”-it për kualifikueset e Ligës së Kampionëve. Sot luhen pesë ndeshje të tjera.

Surprizën më të bukur e dhuruan zviceranët e Jang Bojs, të cilët mundën Totenhemin 3-2 në Bern. Anglezët e Herri Redknap e panë veten në disavatazhin e tre golave pas vetëm 29 minutash lojë. Luliç (5’), Bienvenu (13’) dhe Hokstraser (29’) i dhanë fillimisht epërsinë e trefishtë skuadrës zvicerane, ndërkohë që “gjelat” shkurtuan diferencën tre minuta nga fundi i pjesës së parë me Basong. Në të 83-tën, Roman Pavliçenko realizoi golin e shpresës për Totenhemin në ndeshjen e kthimit.

Rusëve të Zenitit u mjaftoi goli i Kerzhakovit që në minutën e tretë, për të siguruar një fitore minimale në shtëpi përballë francezëve të Okserit. Skuadra e drejtuar nga italiani Luçiano Spaleti pati edhe raste të tjera për shënim, por Shirkov nuk u tregua i saktë në minutat 30’ dhe 48’. Me këtë rezultat skuadra nga Petërburgu më pranë kualifikimit në fazën e grupeve.

Gjithçka e barabartë në Ukrainë, aty ku vendasit e Dinamos së Kievit dhe holandezët e Ajaksit janë ndarë në paqe, 1-1. Skuadra e Martin Jolit gjeti avantazhin në minutën e 13-të me anë të Vertohghenit, por Gusev barazpeshoi në të 22-tën. Një nga më të mirët në fushën e lojës ishte portieri 18-vjeçar i ukrainasve, Koval, i cili i mohoi dy herë golin talentit Luis Suarez. Gjithçka mbetet e hapur në “Amsterdam Arena”.

Raundi i parë i derbit nordik midis Rozenborgut dhe Kopenhaenit u takoi norvegjezëve, por fusha e lojës tregoi se ndeshja e kthimit në Danimarkë do të jetë plotësisht e hapur. Vendasit kaluan përpara me Iversen në minutën e 23-të, kurse Henriksen dyfishoi në të 57-ën. Golin e shpresës për kampionët e Danimarkës e shënoi Gronkjaer gjashtë minuta nga fundi.

Edhe derbi i ish-Çekosllovakisë mes Sparta Pragës dhe Zilinës dhuroi një të papritur të madhe mbrëmjen e djeshme. Sllovakët treguan një nivel tekniko-taktik në të lartë në krahasim me klubin e vjetër çek, duke arritur një fitore 2-0 në fushën e këtyre të fundit. Cesai (6’) dhe Horacev (73’) vulosën rezultatin përfundimtar dhe bëjnë që Zilina të ëndërrojë sot më tepër se kurrë për pjesëmarrjen e parë në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.

Mbrëmja e sotme rezervon të tjera surpriza në pesë ndeshje. Kryesfida e mbrëmjes është ajo që do të luhet në Gjermani mes vendasve të Verder Bremenit dhe italianëve të Sampdorias. Sevilja udhëton drejt Bragës në derbin iberik, kurse Anderlehti luan në Serbi me Partizanin e Beogradit. Sherifi i Tiraspolit, i cili eliminoi Dinamon e Tiranës, do të udhëtojë drejt Belgjikës për t’u përballur me Bazelin, ndërkohë që Salzburgu pret në Austri izraelitët e Hapoel Tel-Avivit.

Dje
Zenit 1 – 0 Okser
Jang Bojs 3 – 2 Totenhem
Rozenborg 2 – 1 Kopenhagen
Dinamo Kiev 1 – 1 Ajaks
Sparta Praga 0 – 2 Zilina

Sot
Verder Bremen – Sampdoria
Braga – Sevilja
Partizan Beograd – Anderleht
Bazel – Sherif Tiraspol
Red Bull Salzburg – Hapoel Tel-Aviv

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *