Home / Sport / DRITA DEKLASOI CEMENTARNICËN

DRITA DEKLASOI CEMENTARNICËN

Të dielën u zhvilluan ndeshjet e javës së tretë në Ligën e Dytë të Maqedonisë në futboll, në të cilën skuadra e Dritës nga Bogovina ka marrë fitoren e parë në këtë sezon. Në duelin e skuadrave shqiptare, në Gostivar Rinia dhe Vllazërimi u ndanë me barazimin pa gola. Tikveshi shënoi fitoren e rradhës dhe është skuadra e vetme me efekt të 100% pas tre javëve të para.

Në stadiumin e fshatit Bogovinë të Tetovës skuadra e Dritës me lojë bindëse dhe dominuese arriti që të deklasojë Cementarnicën, duke e mundur me rezultain e lartë 3:0. Për bogovinasit kjo ishte fitorja e parë në sezonin e ri, pasi në javën e parë barazoi 2:2 me Vllazminin, ndërsa në kuadër të javës së dytë u mundën nga Miravci. Pikërisht për këtë qëllim futbollistët e Dritës që në start hyrën furishëm si rezultat i së cilës arritën të avansojnë në minutën e 10-të me autor të golit Amir Aliu. Pas golit të epërsisë vendasit vazhduan edhe më tej të sulmojnë, mirëpo pa mundur të gjejnë golin e dytë deri në mbyllje të pjesës së parë. Në pjesën e dytë vazhdoi dominimi i Dritës, si rezultat i së cilës Radevski në minutën e 54 shënoi për 2:0, ndërsa tre minuta më vonë Driton Zeadini vendosi rezultatin përfundimtar Drita-Cementarnica 3:0.
“Sigurisht që jemi të kënaqur me lojën dhe fitoren kundër Cementarnicës. Ne edhe në ndeshjet paraprake tregonim lojë të mirë, mirëpo mungonte rezultati, ndërsa tani më në fund thyem akullin dhe morëm fitoren. Besoj se tani do të luajmë më lehtë dhe në të ardhmen do të shënojmë rezultate që do na mbajnë në kreun e tabelës”,- deklaroi autori i golit të tretë të Dritës, Driton Zeadini.
Në Gostivar u përballën dy skuadrat shqiptare, Rinia dhe Vllazërimi i Kërçovës, të cilat u ndanë me barazimin pa gola. Rinia ishte më afër fitores pasi pos disa rasteve të humbura nuk arriti të realizojë edhe një penalti. Ky rezultat nuk i konvenoi asnjërës skuadër, pasi që të dyja mbeten në fund të tabelës me nga dy disfata dhe një barazim, që në anën tjetër don të thotë se pikërisht në këtë takim morën pikën e parë në sezonin e ri.
Në ndeshjet tjera, vazhdon seria e suksesshme e Tikveshit, të cilët shënuan fitore edhe në ndeshjen e tretë sezonale, duke e mundur Lokomotivën 2:0. Në derbin e javës në Prilep, 11 Oktomvri dhe Bellasica barazuan pa gola, ndërsa fitore të rëndësishme mori skuadra e Ohrid 2004, që mori tre pikë në fushë të Euromilk-ut. Vllaznimi i Strugës ndali hovin e Ohrid Lotes, duke luajtur baraz 1-1 në derbin e skuadrave fqinje.

Rezultatet e javës së III-të në Ligën e Dytë:
Euromilk-Ohri 2004 0:1,
Tikveshi-Lokomotiva 2:0,
11 Oktomvri-Bellasica 0:0,
Drita-Cementarnica 3:0,
Novaci-Miravci 1:1,
Ohrid Lote-Vllaznimi 1:1,
Rinia-Vllazërimi 0:0.

Gjithashtu lexo

Shikoni çfarë ka bërë Barcelona pas sulmit terrorist (FOTO)

Klubi i Barcelonës ka reaguar pas sulmit terrorist në Barcelonë. Katalunasit e kanë bërë një …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *