Home / Sport / Kuqi mban figurën e Idrizajt nën fanellë

Kuqi mban figurën e Idrizajt nën fanellë

Vushtrriasi evokon kujtime nga miqësia me ish-bashkëlojtarin e tij. Klubi anglez, Swansea të shtunën nderon Idrizajn në stadiumin Liberty me shumë aktivitete.

Ekipi i futbollit nga Britania e madhe, Swansea City do të nderojë figurën e ish-futbollistit të vet, Besian Idrizaj të shtunën (sot) kur ekipi luan ndeshjen e parë të kampionatit të ri në stadiumin nikoqir, Liberty.

Idrizaj kishte ndërruar jetë në moshën 22 vjeçare në 15 maj të këtij viti në shtëpinë e prindërve në Austri. Ekipi do të mbajë një minutë heshtje në takimin kundër Preston North End, do të shiten shallat bardhezi, që do t’i mbajnë tifozët në shenjë respekti. “Arsyeja pse e kemi lënë këtë nderim deri të këtë ditë është se Besiani e meritonte një nderim nga stadiumi i plotë”, thuhej në faqen e internetit të ekipit.

Shefki Kuqi, sulmuesi vushtrrias i këtij ekipi, në një bisedë për “The Evening Post” ka evokuar kujtimet për mikun e tij.

“Besi ishte i rëndësishëm për mua, me humbur një njeri aq të ri është shumë vështirë. Fanellën me fytyrën e tij do të mbajë gjithmonë nën fanellën e klubit”, tha Kuqi, i cili të njëjtën e kishte bërë edhe në ndeshjen me Barnetin, pasi kishte shënuar gol.

“Jam i shokuar me atë që ndodhi, edhe familja e tij, të cilëve iu mungon shumë. Jam në kontakt me babain e tij dhe ai më tha se është i kënaqur që djali i tij ka qenë për pesë muajt e fundit të jetës së tij shumë i gëzuar”, tha ai.

“Kur kam nënshkruar në janar për Swansea, e takova Besin dhe nënën e tij. Kalonim shumë kohë bashkë. Çfarë do që bënim dhe kudo që shkonim, ishim bashkë. Kur nëna e tij shkoi në shtëpi tha se ndjehej e rehatuar. Ai vinte në apartamentin tim dhe pas pak kohë shtrihej në tokë dhe flinte. I thoshe se ‘çfarë po bënte’ dhe ai më përgjigjej ‘po ndjehem shumë i relaksuar’. Prandaj them se është shumë vështirë me pranuar që ai nuk është më”.

Para katër javësh, Kuqi është bërë baba, kurse vajza e tij e ka emrin, Urtina. Pas një vere të trishtueshme 33 vjeçari megjithatë duhet të shënojë gola për klubin në stinorin e ri. “Duhet të luajmë mirë në ndeshjen e nesërme për Besin dhe të fitojmë takimin e parë të stinorit për të. E di se golat janë çdo gjë për një sulmues dhe jam i gëzuar që tashmë kam shënuar”, tha “finlandezi”.

Gjithashtu lexo

Ylli i Shkëndijës: Nuk kemi çfarë të humbasim ndaj Milanit

Ardian Cuculi ka thënë se Shkëndija do të tentojë të bëjë lojën e saj dhe …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *