Home / Sport / Mesi si Eto e Rivaldo. Por është vetëm 23 vjeç

Mesi si Eto e Rivaldo. Por është vetëm 23 vjeç

Me tregolëshin e së shtunës në finalen e kthimit të Superkupës përballë Seviljes, talenti argjentinas arriti në kuotën e 130 golave me fanellën blaugrana.

Argjentinasi shkruan në këtë mënyrë emrin në librin e artë të historisë së Barcelonës, në të njëjtën kuotë me Rivaldon dhe Samuel Etonë. Deri këtu asgjë e jashtëzakonshme, pasi talenti dhe aftësitë e “Pleshtit” dihen me kohë.

Por ajo që të bën më tepër përshtypje janë të dhënat e tij anagrafike: ka lindur në 24 qershor 1987. Pra vetëm pak pasi i ka fryrë 23 qirinj. Këtu mbetemi me gojë hapur, pasi dalin më mirë në pah vlerat e këtij lojtari. Në fakt, përveçse arriti në 130 gola me fanellën katalanase, të shtunën mbrëma Mesi shënoi edhe një tjetër rekord: ajo ishte ndeshja e 32-të zyrtare në të cilën ai lë shenjë me të paktën dy gola (16 në “Kamp Nou” dhe po aq në transfertë).

Deri tani mesatarja e shënimit të Samuel Etosë është më e lartë se e Leo Mesit (130 gola në 200 ndeshje, kundrejt po kaq golave në 214 ndeshje të argjentinasit). Por kujdes! Kamerunasi arriti në 130 gola kur ishte 28 vjeç, kurse “Topi i artë 2009” në moshën 23-vjeçare. Pra i ka të gjitha mundësitë ta thyejë edhe këtë rekord të sulmuesit afrikan.

Të dhënat më të rëndësishme për “gjigandin e vogël” janë ato të sezonit të kaluar: 47 gola në 53 ndeshje. E jo në ndeshje dosido: katër gola në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve kundër Arsenalit. Në kampionatin e fundit realizoi plot 34 gola në 35 ndeshje, duke merituar titullin e golashënuesit më të mirë.

Këto të dhëna janë sa dyfishi i atyre të sezonit 2006/2007. Vlen të theksohet se përveçse kanë qenë gola me peshë, shumë prej tyre kanë mbetur në kujtesën e të gjithëve për mënyrën spektakolare të ekzekutimit. Por problemi për kundërshtarët nuk janë vetëm golat e shënuar rregullisht, por edhe fakti që nëse nuk e çon vetë topin deri në rrjetë, nga këmbët e tij lindin aksione që shndërrohen në gol nga të tjerët.

I vetmi që rivalizon me numrat e talentit katalanas në kategorinë e 23-vjeçarëve, është Raul. Nëse i hedhim një sy tabelës së legjendës madrilene (tashmë te Shalke 04) dhe ndalemi në sezonin 1999/2000, vërejmë se spanjolli ka realizuar 131 gola, pra një më tepër se Mesi. Por këtë rekord Rauli e ka vendosur në 284 paraqitje me fanellën “galaktike”, pra ka një mesatare shënimi më të ulët se fenomeni nga Amerika e Jugut.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *