Home / Sport / Renova mysafire e Vardarit, Shkëndija pret Rabotniçkin

Renova mysafire e Vardarit, Shkëndija pret Rabotniçkin

Këtë fundjavë në program janë ndeshjet e javës së tretë në Ligën e Parë të Maqedonisë në futboll në të cilën spikasin disa takime interesante. Ndeshja më tërheqëse do të zhvillohet të dielën në stadiumin e qytetit në Tetovë, ku Shkëndija pa praninë e publikut do të përballet me Rabotniçkin. Ndërkohë përballjet tjera zhvillohen të shtunën, në të cilat Renova është mysafire e Vardarit, ndërsa Metalurgu në Kërçovë takohet me Napredokun.

Vazhdojnë garat në Ligën e Parë me ndeshjet e javës së tretë, kur pesë përballje do të zhvillohen të shtunën, ndërsa takimi Shkëndija-Rabotniçki do të luhet të dielën. Pikërisht kjo përballje mban epitetin e derbit të javës, pasi takohen dy skuadra që kanë ambicie të mëdha në këtë sezon. Shëkndija e rrikthyer në Ligën e Parë synon kreun e tabelës, mirëpo starti i kampionatit nuk ishte ashtu siç planifikuan “kuq e zinjtë”. 0:0 me Teteksin në javën e parë dhe disfatë 2:1 në Shtip nga Bregallnica dhe mbi të gjitha ndëshkim me zhvillimin e dy ndeshjeve si vendas pa praninë e publikut as që ishte llogaritur në taborin e ekipit me më shumë publik në Maqedoni. Mirëpo gjithë kjo i takon të së kaluarës dhe nuk i’a vlen të mendohet shumë, pasi kampionati është i gjatë dhe ka shumë sfida në të cilat mund të kërkohet përmirësimi i imazhit. Mundësia e parë për një gjë të tillë është të dielën kur Shkëndija pret ekipin e fortë të Rabotniçkit. Në kushte normale kjo ndeshje do të tubonte numër të madh të shikuesëve, mirëpo pas vendimit të Komisionit për Disiplinë pranë FFM-së për ndëshkimin e Shkëndijës, kjo përballje do të zhvillohet në atmosferë të pazakontë për përballjet që “kuq e zinjtë” i zhvillojnë në Tetovë. Megjithatë edhe këtu nuk mund të ndryshohet asgjë, prandaj në taborin e Shkëndijës koncentrohen për tu mobilizuar në maksimum, me qëllim që të arkëtohen tre pikët e para në sezonin e ri. Në kët drejtim do të ndihmojë edhe përforcimi i ri Marjan Andononv, ndërsa pritet edhe debutimi i Andre Lomanit. Me këta dy futbollistë dhe me futbollistët e rikuperuar (Sali, Emini dhe Hasani) Shkëndija të dielën me fillim në orën 17:00, pa adutin e saj kryesor – publikun, do të hidhet në sulm duke kërkuar fitoren përballë kundërshtarit tejet të fortë dhe të papërshtatshëm.
Ndërkohë në ndeshjet tjera që do të zhvillohen një ditë më herët (të shtunën) kampionët në fuqi Renova do të jenë mysafirë të Vardarit. Ekipi nga Shkupi është shumë larg kohëve të vjetra të mira, mirëpo edhe pse me formacion dhe finansa të kufizuara, megjithatë në start të sezonit po befasojnë me lojërat e mira (edhe përkundër faktit se kanë pësuar dy disfata, mirëpo me lojë në të dyja rastet së paku meritonin barazim). Pikërisht ky fakt dhe dështimi për të mundur Horizontin javën e shkuar, është paralajmërim në taborin e “gjipspunuesëve” se duhet të marin punën me seriozitet, në qoftë se duan që nga Shkupi të kthehen me rezultat pozitiv, që në këtë rast është vetëm fitorja.
Në Kërçovë do të zhvillohet takim interesant, pasi Napredoku pret Metalurgun. Vendasit njihen si ekipi që vështirë humb pikët në fushë të vet, ndërsa Metalurgu pas dy javëve të para është konfirmuar si kandidati kryesor për titullin e kampionit. Skopje përballë Silkesit do të kërkojë pikët e para në Ligën e Parë, Horizonti shpreson të vazhdojë serinë pozitive kundër Pelisterit, ndërsa në Tetovë, Teteksi pret Bregallnicën. Të gjitha këto përballje zhvillohen të shtunën me fillim në orën 17:00, në përjashtim të duelit Shkëndija-Rabotniçki, i cili do të zhvillohet të dielën.

Dyshet e javës së tretë:
Horizont Turnova – Pelisteri
Vardari – Renova,
Skopje – Sileksi,
Napredoku – Metalurgu,
Teteksi – Bregallnica dhe
Shkëndija – Rabotniçki (të dielën)

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *