Home / Sport / Shkëndija ndali serinë e Metalurgut

Shkëndija ndali serinë e Metalurgut

Metalurgu dhe Shkëndija janë ndarë me barazim 1:1, në ndeshjen më interesantë të javës së katërt të Ligës së Parë Futbollistike të Maqedonisë. Në ndeshjet tjera, kampionët në fuqi Renova, nuk arritën ta mundin Skopjen. ndërsa Rabotniçki u befasua në fushën e vet nga Teteksi. Nderin e skuadrave vendase e ruajti Pelisteri, të cilët përballë Bregallnicës shënuan fitoren e parë sezonale.

Shkëndija e Tetovës ka lënë pas eliminimin senzacional nga Kupa e Maqedonisë, duke arritur të luajë baraz 1:1 në fushë të Metalurgut në ndeshjen derbi të javës së katërt të Ligës së Parë të Maqedonisë në futboll. Para fillimit të takimit lideri i renditjes Metalurgu ishte favorit i kësaj përballje, mirëpo në fund janë tetovarët ata që lëshuan rastin të shënojnë fitore, pasi dominuan gjatë gjithë takimit, ndërsa pranuan gol, pas një gabimi 10-të minuta pa përfunduar ndeshja. Shkëndija që në start bëri me dije se në Autokomandë të Shkupit ka ardhur për rezultat pozitiv edhe përkundër faktit se përballë kishte skuadrën që pas tre ndeshjeve të para kishte po aq fitore dhe bindshëm qëndronte në krye të renditjes tabelare. Pikërisht ky fillim i mbarë, skuadra e fortë që posedon dhe sponsori i fuqishëm e bëjnë Metalurgun ekip favorit për titullin e kampionit në sezonin e sivjetshëm. Mirëpo Shkëndijës si duket nuk i interesonin këta gjëra, pasi të bindur në cilësitë e tyre, futbollistët “kuq e zi” demonstruan se për të fituar titullin duhet të mbledhësh sa më shumë pikë, ndërsa pikët fitohen me luftë në teren. 90-të minuta futbollistët e Metalurgut nuk dinin ku e kanë kokën. 90-të minuta Shkëndija luajti futboll modern, dominoi në fushë dhe krijoi raste për të shënuar. Edhe pse nuk është mirë që të veçohet ndonjëri prej futbollistëve, pasi të gjithë dhanë maksimumin, megjithatë edhe një herë u dëshmua se Nebi Mustafi është “dirigjent” i lojës së Shkëndijë. Mustafi 90-të minuta mabjti në kontroll mesin e fushës dhe ishet ndër më të merituarit për pikën e fituar, megjithse dëshironte që në ditëlindjen e tij, skuadra të fitojë tre pikë përballe Metalurgut. Vendasit, që në këtë ndeshje dukeshin si mysafirë, rastin e tyre e kërkonin në kundërsulme edhe atë përmes disa topave të gjatë, që nuk shkaktonin problem për mbrojtjen e tetovarëve. Me të vërtetë pasidtën e të shtunës ishte interesant të jesh i pranishëm në stadiumin në “Autokomandë”, ku Shkëndija dukej sikur të jetë nikoqir, pasi diktonte tempon e lojës, kishte tribunë të stërmbushur me tifozë të saj, qënë numër të madhë kishin udhëtuar nga Tetova. Shkëndija që 45 minutat e para kishte disa mundësi për të shënuar, mirëpo në pushim u shkua me rrjeta të paprekura. Në vazhdim pamje të njëjta në fushë, por tani me sulme edhe më konkrete të Shkëndijës, që dukej e bindur për të tundur rrjetën vendase. Andre Lomami paralajmëroi gjithçka, kur pasi bukur u lirua nga kundërshtarët, lëshoi goditje drejt portës, por topi u ndal në traversë. Pak më vonë, më saktësisht në minutën e 58-të sulm i ri i miqve, Izair Emini avanson përparë, duke goditur saktë me të majtën në portën vendase. 1:0 për Shkëndijën dhe gëzim i madh i “kuq e zinjëve” dhe tifozëve të tyre në tribuna. Goli i epërsisë nuk i hamendi miqtë, që vazhduan të sulmojnë dhe kishin mundësi për të dyfishuar rezultatin, mirëpo portieri Nikov me shumë mund ndali goditjen e fortë të Nuhiut. Pas këtij rasti, duket se Shkëndija bëri gabimin e vetëm, pasi duhej që të mbrohet rezultati me disa ndryshime. 11-të minuta pa përfunduar takimi, kapiteni i Shkëndijës, Huseini gabon në mbrojtje, ndërsa vendasit në vazhdim të aksionit barazojnë rezultatin përmes Kostencovskit. Deri në fund të dyja skuadrat kërkuan të shënojnë golin e fitores, mirëpo pa mundur të bëjnë një gjë të tillë. Vlen të ceket se në minutën e 90-të kapiteni i Metalurgut, Vajs u ndëshkua me karton të kuq, pasi goditi me bëryll Ardian Nuhiun. Në fund të dyja skuadrat morën nga një pikë nga ky takim dhe realisht vendasit duhet të jenë të kënaqur, pasi Shkëndija ishte shumë më afër fitores.
Kampionët në fuqi Renova nuk arrijnë të fitojnë ndeshjen e dytë me rradhë në fushë të tyre. Pas Horizont Turnovës, është skuadra e Skopjes e cila shkëputi një pikë nga Tetova, duke luajtur baraz 1:1 me Renovën. Gjithçka filloi mirë për “gjipspunuesit”, të cilët në minutën e 27-të avansuan me golin e Agron Memedit. Renova kishte kontroll të rezultatit deri në minutën e fundit të pjesës së parë, kur Kirovski barazoi rezultatin në 1:1. Ky njëherit ishte goli i parë që pranon Renova në këtë sezon, pasi paraprakisht në tre ndeshje kampionale dhe një të Kupës, portieri Armend Elezi mbajti rrjetën e tij të paprekur. Renova pjesën e parë e mbylli me 10-të futbollistë, pasi me karton të kuq u ndëshkua Statovci. Në pjesën e dytë pritej që Renova të hidhet në sulm në kërkim të fitores, mirëpo gjërat dukeshin të vështirësuara pas përjashtimit të Statovcit, kështu që në fund skuadra kampione e Maqedonisë duhej të kënaqet me vetëm një pikë.
Në ndeshjet tjetra Rabotniçki vazhdon serinë negative, kësaj rradhe duke u mundur në fushë të vet 1:2 nga Teteksi. Pelisteri ruajti nderin e skuadrave vendase, duke mundur 2:0 Bregallnicën, ndërsa 1:1 u mbyll edhe takimi ndërmjet Sileksit dhe Napredokut. Java e 4-të në Ligën e Parë Futbollistike të Maqedonisë do të mbyllet të hënën kur në Turnovë do të përballen skuadrat e Horizonitit dhe Vardarit.

Rezultatet e javës së katërt:
Metalurgu 1-1 Shkëndija
Rabotniçki 1–2 Teteksi
Renova 1-1 Skopje
Pelisteri 2-0 Bregallnica
Sileksi 1-1 Napredoku
Horizonti – Vardar

Gjithashtu lexo

Osmani: Bëmë gabime në mbrojtje, do të ndryshojmë në lojën e ardhshme

Trajneri i Shkëndijës së Tetovës, Qatip Osmani nuk e ka përjetuar mirë humbjen nga Milani. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *