Home / Sport / Turqia, “Toka e premtuar” e futbollit

Turqia, “Toka e premtuar” e futbollit

Me kalimin e viteve, kampionati turk është shndërruar në një nga destinacionet më të preferuara për futbollistë dhe trajnerë të njohur që kanë bërë emër në kampionatet më prestigjoze europiane.

I pari ishte rumuni George Haxhi, i cili pas dy sezonesh te Barcelona, në vitin 1996 iu bashkua Gallatasarajit, me të cilin luajti për pesë vite. Me kalimin e kohës, të tjerë emra vendosën të provojnë aventurat e tyre në superligën turke. Në fillim u dukën si të izoluara rastet e Mateo Ferrarit dhe Roberto Karlosit. Më pas, Luis Aragones, i saposhpallur kampion i Evropës me Spanjën në 2008-ën, mori drejtimin e Fenerbahçes.

Por sot Turqisë po i mvishet gjithnjë e më tepër cilësia e “Tokës së premtuar”, me një futboll në rrugën e zhvillimit të vazhdueshëm dhe me kampionë si Elano dhe Guti, të cilët, të joshur nga ofertat milionere të Beshiktashit me shokë, vijojnë karrierën në ekipet më të njohura të kampionatit turk.

“Një Tokë e premtuar, një botë e ndryshme” këndonte dikur këngëtari i njohur italian Eros Ramazoti. Nëse para disa dhjetëvjeçarësh (por edhe tani disi) Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin vendi i ëndrrave, shpenzimet e “çmendura” të Realit të Madridit e shndërruar kampionatin spanjoll në parajsën e çdo futbollisti.

Sot, në fillim të dhjetëvjeçarit të dytë të mijëvjeçarit të ri, papritur shfaqet Turqia si protagoniste gjithnjë e më kryesore e merkatos në futboll. Gjatë viteve të fundit, e para që emigroi në lindje të Evropës, ishte “dyshja e çuditshme” Aragones-Guica. Tekniku triumfues në Euro 2008 nënshkroi për Fenerbahçen. Kjo e fundit, për ta kënaqur “plakushin”, i dhuroi golashënuesin e Primera Divizionit, Daniel Guica, për të cilin derdhi në arkat e Getafes jo pak para. Të njëjtën gjë bëri edhe Roberto Karlosi pas largimit nga Reali i Madridit.

Por edhe në merkaton e kësaj vere, ekipet turke janë shfaqur plot besim në forcat e veta, duke arritur marrëveshje me disa lojtarë të mëdhenj. Dikush për të gjetur një vend për së mbari për të mbyllur karrierën (Guti), e dikush për të rilindur, si puna e Kuarezmës dhe e trajnerit Bernd Shuster (të gjithë te Beshiktashi).

Shumë oferta, disa marrëveshje por edhe shumë refuzime, tregues i njëfarë mosbesimi ende shumë i fortë drejt botës së re. “Jo”-të e Huntelarit, Baptistës, Robinjos, përveç atyre të Felipe Melos, Ledezmës dhe Sisokos, janë pasqyrë besnike e situatës. Në Turqi ka shumë para dhe dëshirë për të rritur nivelin taktik dhe sidomos atë teknik. Emri i fundit i kërkuar nga Beshiktashi është ai i Adebajorit, i cili nuk i ka aspak të mira marrëdhëniet me Mançester Sitin. Por me siguri emri i togolezit nuk do të jetë i fundit në listën e kampionëve që pëlqehen në Stamboll dhe Ankara.

Por në gjithë këtë “ecejakë” fle Gallatasaraji, klubi më i njohur i këtyre anëve. Gjithsesi, ekipi ka në krye të stolit një emër si Frenk Rajkard, një nga të parët që besoi në “Tokën e premtuar”. Ai në këtë afat kalimtar befasisht ofroi në skuadër shqiptarin Lorik Canën, që la Sanderlendin, për të kaluar në Turqi. Cana pas vetëm një sezoni të vetëm në Angli u bë ydhulli i tifozëve të Sanderlendit, ndërsa pritej që lëvizja e tij të jetë ndonjë prej skuadrave të top-katërshit anglez, ku me interesim spikatte Arsenali. Por në fund Cana zgjodhi Turqinë dhe Gallatasarajin.
Koha do të zbulojë ndryshimin mes një shansi të mirë dhe një zgjedhjeje me vend.

Gjithashtu lexo

Ylli i Shkëndijës: Nuk kemi çfarë të humbasim ndaj Milanit

Ardian Cuculi ka thënë se Shkëndija do të tentojë të bëjë lojën e saj dhe …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *