Home / Sport / Eliminatoret, të mëdhatë nuk gabojnë-Franca ‘e vogël’

Eliminatoret, të mëdhatë nuk gabojnë-Franca ‘e vogël’

Përfaqësueset më të njohura evropiane e kanë nisur me këmbën e mbarë rrugën drejt Euro 2012-ës. Zhgënjen Franca, kurse Portugalia hedh një gjysmë hapi të gabuar.

Gjermania i falet Miroslav Kloses, i cili shënoi golin e fitores në transfertën e Belgjikës. Në ndeshjen tjetër të grupit A, Turqia nuk pati asnjë vështirësi kundër Kazakistanit duke e mundur 0-3. Rusia fitoi 2-0 në fushën e Andorrës, falë dygolëshit të Pogrebnjakut në minutën e 14-të dhe 64-t. Armeni-Irlandë 0-1 dhe Sllovaki-Maqedoni 1-0 ishin sfidat e tjera të grupit B.

Çezare Prandeli e ka nisur me fitore aventurën zyrtare në krye të kombëtares së Italisë, pasi mori drejtimin e “axurrëve” me largimin e Marçelo Lipit. Edhe pse nuk bindi në lojë, skuadra e kaltër ia doli të sigurojë tri pikët në transfertën e Estonisë falë golave të Kasanos (60’) dhe Bonuçit (63’), të cilët përmbysën disavantazhin e vendasve të vendosur në minutën e 31-të. Në ndeshjet e tjera të grupit C, Serbia mposhti 3-0 Ishujt Faroe, ndërkohë që Sllovenia u mund në shtëpi nga Irlanda e Veriut.

Një nga surprizat e mbrëmjes së djeshme ishte humbja e Francës 1-0 nga Bjellorusia në fushën e vet. Në këtë mënyrë Loran Blank debuton me humbje në krye të kombëtares trikolore. Në ndeshjen tjetër të grupit D ku bën pjesë edhe përfaqësuesja shqiptare, Bosnjë-Hercegovina mundi lehtësisht Luksemburgun 0-3.

Klas-Jan Huntelar shënoi tre gola në fitoren 5-0 të Holandës në transfertën me modestët e San Marinos. Dirk Kajt dhe Rud van Nistelroi ishin autorët e golave të tjerë të fitores së “tulipanëve”. Suedia fitoi 2-0 përballë Hungarisë, ndërkohë që përballja tjetër e grupit E mes Moldavisë dhe Finlandës, përfundoi me fitoren 2-0 të moldavëve.

Greqia nuk shkoi më tepër se barazimi 1-1 në shtëpi ndaj Gjeorgjisë, në sfidën e vlefshme për grupin F. Në takimet e tjera të këtij grupi, Kroacia mposhti pa vështirësi Letoninë në transfertë, ndërkohë që në 2 shtator izareli kishte mundur 3-1 Maltën.

Rikthehet fuqishëm edhe Anglia e Fabio Kapelos. Kombëtarja e “3 luanëve” i është përgjigjur kritikave me një fitore 4-0 përballë Bullgarisë në “Uembli”. Ylli i mbrëmjes ishte sulmuesi i Totenhemit, Zhermein Defo, autor i tre golave. Mali i Zi mundi minimalisht 1-0 Uellsin në Podgoricë me golin e Mirko Vuçiniçit.

Nuk e ka filluar në mënyrën më të mirë Portugalia, që në shtëpi nuk shkoi më tepër se barazimi ndaj Qipros. Një sfidë të cilën portugezët pa Ronaldon mund ta kishin fituar por edhe mund ta kishin humbur, pasi për të arritur te rezultati përfundimtar 4-4, pati disa përmbysje e kundërpërmbysje. Përballja tjetër e grupit H ishte ajo mes Islandës dhe Norvegjisë, e cila pa fitues miqtë me rezultatin 1-2.

Në grupin I, Spanja, kampione e Evropës dhe e botës, nuk pati asnjë vështirësi ndaj Lihtejnshtejnit modest, duke fituar bindshëm 4-0. Dy gola të David Vilës dhe dy të Fernando Torresit vulosën rezultatin përfundimtar të takimit. Në barazim pa gola u mbyll përballja mes Lituanisë dhe Skocisë.

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *