Home / Lajme / Maqedoni / Festivali i poezisë Ditët e Naimit më 14 tetor

Festivali i poezisë Ditët e Naimit më 14 tetor

23 shtator-
Në fund drejtori i festivalit Shaip Emërllahu zbuloi para gazetarëve edhe disa detaje të programit të edicionit të katërmbëdhjetë të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë që do të mbahet prej datës 14-17 tetor në Tetovë. Këtë vit kanë konfirmuar pjesëmarrjen afër 40 poetë nga mbi 20 vende të botës, si dhe poetë nga gjithë hapësira shqiptare.

Urim Hasipi
Në Qendrën e Kulturës në Tetovë, Drejtoria e Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”, mbajti konferencë shtypi, ku drejtori Shaip Emërllahu dhe kryetari i jurisë prof. Dr. Ymer Çiraku njoftuan mbi laureatin e Edicionit të katërmbëdhjetë që është poetja e njohur polake dhe evropiane Eva Lipska. Më herët me çmimin “Naim Frashëri” janë lauruar edhe poetët e njohur Ismail Kadare, Desmond Egan (Irlandë), Abdylatif Labi (Marok), Lionel Rej (Francë), Tomas Tidholm (Suedi), Peter Poulsen (Danimarkë), Manlio Argueta (Salvador) etj.
Drejtoria gjithashtu laureaten e sivjetme Eva Lipska e ka shpallur edhe anëtar nderi të Festivalit.
Kryetari i jurisë prof. Dr. Ymer Çiraku, në këtë konferencë për shtyp lexoi motivimin për dhënien e çmimit të madh të festivalit, poetes së njohur polake Eva Lipska. Ai në mes tjerash theksoi se, Eva Lipska është një nga poetet më të njohura të letërsisë bashkëkohore polake e radhitur përkrah nobelistes Vislava Simbolska, dhe të tjerëve si Tomas Rozicki, Adam Zagajevski dhe Adam Zdrodovski. Poezia e saj, tha ai, është vlerësuar lartë nga kritika për dramatizmin dhe imazhet e befta, e përcaktuar më së shumti ky model teksti si diskurs mbi individin e pambrojtur në përpjekjet e tij eterne për ekzistencë, i endur shpesh në shtjella paradoksi, të shpaluara këto situata me një ligjërim të pazakontë moderniteti, që shkon deri në kufijtë e hermetizmit dhe rebusit poetik, si poete e prirur nga rrethanat ekzistenciale ajo ndjek dhe modifikon manierat e njohura novatore të revoltës Sartriane. Paradoksi dhe absurdi janë sfondi më i preferuar i kësaj poezie, ku individi nuk dëshiron thjesht të pajtohet me fundin tragjik, por të dëshmojë qëndresën e statusit të tij human. Poezia e Eva Lipskës spikat për monologun e brendshëm, për digresione filozofike dhe linja narrative të një historie, si pjesë këto, të historisë unike, universale. Në vitet e ’90-ta Eva Lipska ka përfaqësuar si e akredituar zyrtarisht kulturën polake në Vienë, duke u bërë si një ambasadore e komunikimit mes dy popujve, atribut që tashmë e ka fituar gjithë poezia e saj në rafshin evropian e më gjerë, theksoi Ymer Çiraku.
Në fund drejtori i festivalit Shaip Emërllahu zbuloi para gazetarëve edhe disa detaje të programit të edicionit të katërmbëdhjetë të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë që do të mbahet prej datës 14-17 tetor në Tetovë. Këtë vit kanë konfirmuar pjesëmarrjen afër 40 poetë nga mbi 20 vende të botës, si dhe poetë nga gjithë hapësira shqiptare.
Sponsorë të këtij edicioni do të jenë Ministria e Kulturës, Telekomi i Maqedonisë, hotel Emka, Komuna e Zhelinës dhe Komuna e Studeniçanit.

Gjithashtu lexo

Katër të lënduar në afër Gostivarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma rreth orës 23 në autostradën Gostivar-Tetovë në afërsi të pikës së pagesës …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *