Home / Sport / Historia përsëritet, Mesi si Maradona

Historia përsëritet, Mesi si Maradona

Leo Mesi po shfaqet gjithnjë e më tepër si Maradona. Jo vetëm për klasin dhe talentin, por tek asi i Barcelonës po rishihet historia e ish-“Djaloshit të artë”.

Të djelën në mbrëmje, librit që përmbledh të përbashkëtat e dy kampionëve iu shtua një tjetër kapitull. Është episodi i ndërhyrjes së rëndë që pësoi Mesi nga Ujfalushi në fundin e sfidës së fituar 2-1 nga katalanasit ndaj Atletikos së Madridit në “Visente Kalderon”. Të apasionuarve të futbollit ndoshta iu ndërmend ndërhyrja e Gaikoetkseas së Atletik Bilbaos ndaj Maradonës, atëherë 22 vjeç. Aq sa është Mesi sot.

Ishte 24 shtatori i vitit 1983 kur mbrojtësi i Bilbaos, pjesë e historisë për atë ndërhyrje, i shkaktoi një frakturë në këmbë Maradonës. Në ndeshjen e kthimit, ish-“Djaloshi i artë” ishte sërish në këmbë dhe kërkoi të hakmerret. Gjithçka përfundoi me një sherr të madh, ndoshta më i madhi në historinë e futbollit. Për fat, 27 vjet më pas, për Leo Mesin shkoi më mirë. Për të parashikohet një ndalesë prej 15 ditësh.

Dy kapitujt e tjerë të librit të ngjashmërive janë shkruar prej kohësh dhe tashmë dihen mirë. I pari u shkrua në 18 prill 2007, kur Mesi, në ndeshjen e Kupës kundër Getafes, rrëmben topin në mesfushë, shmang pesë kundërshtarë dhe dërgon topin në rrjetë. Tamam ashtu siç bëri Maradona me fanellën e kombëtares argjentinase në Botërorin e 1986-ës ndaj Anglisë.

Mesit, që gjithnjë e ka mbajtur Maradonën si shembull, nuk i mungoi rasti të lërë shenjë edhe me një gol me dorë. Firmën e parë për një “shpikje” të tillë e ka pikërisht Diego. Sërish në të njëjtën përballje me Anglinë në çerekfinalen e Meksikë ’86, ai realizoi me dorë golin që vulosi ndeshjen, duke e quajtur më pas po vetë si “dora e Zotit”. Më 9 qershor 2007, në ndeshjen e kampionatit kundër Espanjolit, “Pleshti” përsëriti të njëjtin veprim si paraardhësi i tij.
Tashmë Mesit i mbetet vetëm të udhëheqë kombëtaren bardhekaltër drejt lavdisë në Kupën e Botës. Pas kësaj, nuk ka asgjë tjetër për t’ia patur zili Maradonës. Rasti i duhur për të triumfuar në Botëror ishte në Afrikën e Jugut, me Mesin në fushë e Diegon në stol. Por shkoi keq. Me siguri 22-vjeçari ka edhe një mundësi në 2014-ën, kurse Maradona e humbi rastin.

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *