Home / Sport / Interi ndalet baraz, ‘super’ Barca-‘super’ Messi

Interi ndalet baraz, ‘super’ Barca-‘super’ Messi

Mbërmë u zhvilluan takimet e para të Ligës së Kampionëve. Në dy takimet që janë vlerësuar më interesante, Tvente – Inter dhe Mançester Junajted – Raxhers, kanë përfunduar pa fitues, duke dëshmuar një start jo të mirë të Interit dhe Mançester Junajted, ndërsa formë të mirë kanë treguar Barcelona dhe Valencia duke shënuar fitore bindëse.

Liga e Kampioneve ka zhvilluar mbrëmë ndeshjet e para në grupe, ku surprizat si gjithnjë kanë qenë të shumta. Barcelona ka qenë sërish skuadra që ka bindur më shumë në takimet e para, duke i shënuar 5 gola Panathinaikosit, por mbi të gjitha, duke treguar një futboll spektakolar. Ndërkohë, barazim 2-2 për Interin në fushën e Tventes, ndërsa gafa më e rëndë është bërë nga Mançester Junajtid, që në “Old Traford” nuk ka shkuar më shumë se një barazim pa gola ndaj Glazgou Rejnxhërs.
Interi
Skuadra e drejtuar nga Rafa Benitez e ka nisur me një barazim 2-2 mbrojtjen e trofeut të fituar një vit më parë në Madrid. Interi kaloi i pari në avantazh me anë të Uesli Shnajderit, por kampionët e Holandës përmbysën gjithçka me një gol të Jansen dhe autogolin e Militos. Në fundin e pjesës së parë Samuel Eto ka rikthyer barazimin, i cili qëndroi deri në fund të takimit. Interi ishte më i rrezikshëm në pjesën e dytë, por pa arritur të gjejë rrugën e fitores. Dy rastet më të mira i takuan Kutinjos, i futur në fushë në vend të Pandevit të dëmtuar. Në takimin tjetër të grupit A, Verder Bremen barazoi 2-2 me Totenhemin, pas një pjese të parë kur gjermanët po humbisnin 0-2. Ndeshja ka qenë një spektakël më vete, me shumë raste, por në fund s’ka patur fitues.
Barcelona
Në grupin D, Barcelona e nisi ndeshjen e djeshme nën ritmin e zakonshëm dhe kjo bëri që miqtë nga Athina të gjenin golin të parët në minutën e 18-të me anë të Sidnej Guvu. Por, vetëm dy minuta më pas ka nisur shou i Lionel Mesit. Argjentinasi ka barazuar shifrat, duke treguar se është gjithnjë vendimtar në momentet e vështira. David Vila realizoi një tjetër gol në minutën e 33-të, ndërsa Mesi mbylli llogaritë me ndeshjen pa mbaruar pjesa e parë. Në të dytën ishin Bojan Kërkiç dhe Dani Alvesh ata që realizuan dy gola të tjerë, për të vulosur nisjen fantastike të skuadrës së Guardiolës. Ndërkohë, Mesi pati luksin të humbiste edhe një penallti përballë Panathinaikosit. Në takimin tjetër të këtij grupi, FC Kopenhagen mposhti 1-0 Rubin Kazanin.
Mançesteri
Një mbrëmje horror për Mançester Junajtid, që e nis Champions League ndryshe nga zakonisht, me një barazim të mërzitshëm ndaj Glazgou Rejnxhërs. “Djajtë e Kuq” kanë stonuar përgjatë gjithë takimit dhe janë kujtuar të luajnë vetëm në minutat shtesë, por atëherë çdo ka qenë e pamundur. Uejn Runi kaloi një tjetër mbrëmje të zezë, duke mos rrezikuar asnjëherë portën e skocezëve dhe për më tepër, duke humbur shumë raste. Mançesteri ka mërzitur edhe tifozët e tij, që në një moment nisën të këndonin në kor këngën e rivalëve të vjetër të Lids Junajtid.

Rezultatet:

Grupi A
FC Tvente 2 – 2 Inter Milan
Verder Bremen 2 – 2Totenhem H.

Grupi B
Benfica 2 – 0 Hapoel Tel Aviv
Lion 1 – 0 Shalke.

Grupi C
Bursaspor 0 – 4 Valencia
Mançester Junajted 0 – 0 Raxhers.

Grupi D
Barcelona 5 – 1 Panathinaikos
FC Kopenhagen 1 – 0 Rubin Kazan.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *