Home / Lajme / Maqedoni / Kosova pa president

Kosova pa president

27 shtator-
Në një konferencë për media, Sejdiu iu drejtua qytetarëve të vendit dhe me këtë rast vlerësoi se tërë jetën e tij ka respektuar institucionet e Kosovës dhe është udhëhequr nga parimet etike.

Presidenti i vendit Fatmir Sejdiu gjatë një konference për media njoftoi opinionin kosovarë se jep dorëheqje nga posti i presidentit të shtetit, ndërsa me këtë akt tha se konfirmon që është institucionalist dhe respekton vendimet e organeve të drejtësisë të vendit.

Në një konferencë për media, Sejdiu iu drejtua qytetarëve të vendit dhe me këtë rast vlerësoi se tërë jetën e tij ka respektuar institucionet e Kosovës dhe është udhëhequr nga parimet etike.

Sejdiu theksoi se ende nuk i është dorëzuar aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese, mirëpo sipas tij akti i dorëheqjes vjen si rrjedhojë e respektimit të organeve të shtetit.
“Unë tërë jetën time i kam respektuar institucionet që dalin nga vota e lirë e qytetarëve. Unë kam punuar për të realizuar vullnetin politik të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi dhe kam udhëhequr me përgjegjësi të plotë procesin e pavarësimit të vendit tonë. Për t’u dhënë me besim dhe devotshmëri pas këtij përcaktimi jetësor e profesional, gjithherë kam pasur udhërrëfyes dhe mbështetje të fuqishme traditën time familjare dhe të popullit tim, si dhe të miqve të Kosovës”, tha Sejdiu.

Në këtë konferencë Sejdiu vlerësoi se gjatë gjithë punës së tij është angazhuar dhe do të vazhdojë të angazhohet për të ardhmen prosperuese të vendit.

Ndryshe, në këtë rast Gjykata me shumicë votash ka deklaruar “se ka shkelje serioze të Kushtetutës së Kosovës, respektivisht të Nenit 88 .2, nga Shkëlqesia e tij, Fatmir Sejdiu, duke mbajtur njëkohësisht postin e Presidentit të Republikës dhe të kryetarit të partisë politike ‘Lidhja Demokratike e Kosovës’”.

Gjykata Kushtetuese të hënën përmes një njoftimi për media bëri të ditur se Aktgjykimin e plotë të arsyetuar në rastin KI 47/10 , “Naim Rrustemi dhe 31 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës kundër Shkëlqesisë së tij, Fatmir Sejdiu, President i Republikës së Kosovës”, palëve në procedurë do t’ua dërgojë të martën, më 28 shtator 2010 dhe se i njëjti do të publikohet në ueb faqen e Gjykatës Kushtetuese.

Ndryshe, Fatmir Sejdiu për të dytën herë në postin e presidentit është zgjedhur në fillim të janarit 2008, me mandat pesëvjeçar.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi tha të hënën se respekton aktin e dorëheqjes së Fatmir Sejdiut nga posti i presidentit të vendit, ndërsa ky akt sipas Krasniqit tregon se sa tashmë ish presidenti Sejdiu respekton institucionet e shtetit.

Kryeparlamentari Krasniqi menjëherë pas dorëheqjes së Sejdiut në një konferencë për media tha se sipas Kushtetutës do ta ushtrojë postin e Presidentit, ndërkohë që sipas tij nuk do të ketë vakuum institucional.

“Kushtetuta në raste të tilla e ngarkon kryetarin e Kuvendit të Kosovës që ta ushtroj detyrën e presidentit të Republikës. Më këtë rast i garantoj qytetarët e Kosovës, partitë politike, institucionet dhe shoqërinë civile se nuk do të këtë vakum institucional dhe se çdo veprim i yni do të bëhet konform Kushtetutës dhe në interes të vendit”, deklaroi Krasniqi.
Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur sot e çmon si akt të lartë moral dorëheqjen e Presidentit Sejdiu nga pozita e Presidentit të Republikës së Kosovës.

Sipas Kryesisë së LDK-së, dorëheqja e Presidentit Sejdiu është një akt i sakrificës së tij për interesat madhore të Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj, përkrahjen e të cilëve ai e pati gjithmonë.

Kryesia e LDK-së vlerësoi se Presidenti Sejdiu, gjatë kohës së udhëheqjes se vendit, ka punuar me urtësi, dije dhe përkushtim të jashtëzakonshëm.

Megjithëse Presidenti Sejdiu ka marrë vetëm një njoftim nga Gjykata Kushtetuese, dhe jo aktgjykimin e saj, siç do të duhej, ai ka dhënë dorëheqje duke dëshmuar edhe një herë dhe shumë fuqishëm devotshmërinë e tij të madhe për shtetin tonë dhe të ardhmen e tij euroatlantike, thuhet në deklaratën e Kryesisë së LDK-së.

Gjithashtu lexo

Stejt Departamenti: Qeverisja e VMRO-së ka nxitur diskriminim fetar në Maqedoni

Grupet religjioze në Maqedoni vlerësojnë se ish-Qeveria e VMRO-DPMNE-së e ka favorizuar Kishën Ortodokse – …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *