Home / Sport / KUJDES ‘BALLISTË’, TREGONI KULTURË!!!

KUJDES ‘BALLISTË’, TREGONI KULTURË!!!

Të shtunën në program janë ndeshjet e javës së 8-të në Ligën e Parë të futbollit në Maqedoni. Shkëndija e Tetovës pas fitores së pastërt 3:0 përballë Horizont Turnovës, këtë fundjavë është mysafire e Vardarit.

Duel ky që zgjon interes të madh në të dyja palët, prandaj është normale që pritet takimi të ndiqet nga një numër i madh i tifozëve të të dyja taboreve, por gjithsesi edhe shikues tjerë indifferent. Është fakt që Vardari po jeton kohërat më të vështira në historinë e vet, mirëpo mbetet fakti që kjo është skuadra me më shumë trofe në Maqedoni, ndërsa gjithsesi duke u bazuar në të kaluarën, Vardari llogaritet simbol i futbollit të Maqedonisë. Në anën tjetër Shkëndija ka të njëjtin rol për shqiptarët e Maqedonisë, është ambassador i tyre, simbol dhe krenari e shqiptarisë në këto anë. Duke u bazuar në këto fakte, është normale që bëhet fjalë për skuadrat që kanë numër më të madh të shikuesëve, prandaj ashtu pritet të jetë edhe këtë herë. Gjithë kjo është mirë, pasi futbolli luhet për shikues dhe pikërisht tifozët pritet që kësaj ndeshje t’i japin një sharm të vecantë. Dhe sigurisht që edhe tifozët e Shkëndijës, ‘Ballsitët’ nuk do të lënë vetë skuadrën, duke mos lëshuar rastin që të përkrahin ekipin e tyre. Mirëpo,… KUJDES…!!!

Ndoshta nuk është e rrugës që t’i mësojmë fansat se si të bëjnë tifo, pasi ata më së miri e dijnë këtë dhe disa herë ‘Ballistët’ e kanë dëshmuar se janë më të mirët në vend, duke qenë bukfalisht ‘lojtari i 12’-të i Shkëndijës. Por duke u bazuar në rivalin që do të kenë përballë të shtunën, tani ka nevojë për kujdes të madh, më shumë se asnjëherë më parë. Të gjithë e dijmë sjelljen dhe kulturën që kanë ‘Komitët’, që në fakt nuk është sjellje. Jemi të vetëdijshëm për nivelin e ulët që performojnë në ndeshjet e futbollit dhe për provokimet që bëjnë ndaj kombit shqiptar, që duket së është kthyer në një kompleks enorm të tyre. Ata (komitët), dijnë të shkaktojnë problem kur mes veti luajnë dy skuadra maqedonase, ku nuk është i pranishëm asnjë shqiptar, ndërsa përsëri përdoret fjalori i tyre i flliqt ndaj kombit tonë. Ata shajnë shqiptarët edhe kur përfaqësuesja e tyre (Maqedonia) luan ndeshje ndërkombëtare, ndërsa për ironi të madhe e bëjnë atë edhe në disa raste kur kombëtarja luan mirë dhe ka rezultat pozititv. Me një fjalë ‘komitët’ njihen për karakterin e tyre problematik, ndërsa kohëve të fundit më shumë janë duke e dëmtuar se sa i ndihmojnë Vardarit, për të cilin thiren se janë të gatshëm të japin jetën. Për karakterin e ‘komitëve’ ka edhe shumë për tu thënë, por do ndalemi këtu duke mos dashur t’ju japim shumë hapsirë, por ato që i përmendëm më lartë duam të jenë si një paralajmërim i mirë për ‘Ballistët’, që mos të lejojnë që të bien në grackat dhe provokimet e tyre. Prandaj bëjmë thirje dhe apel deri tek të gjithë ata që e duan Shkëndijën, që të shtunën të kenë shumë kujdes. Duhet të gjithë ta kenë të qartë se Vardari është në shuarje e sipër, ndërsa në kushte të këtilla ‘komitët’ sigurisht që nuk do zgjedhin mjete për të dëmtuar krenarinë shqiptare-Shkëndijën, për më shumë nga fakti që tani më të gjithë janë bindur në forcën e ekipi dhe ambiciet reale që ka në këtë sezon. Prandaj të gjithë ju tifozë tetovarë dhe të gjithë ata që do të udhëtojnë për të ndjekur takimin Vardari-Shkëndija, kini kujdes maksimal në cdo lëvizje. Qëllimi parësor është që Shkëndija të merr tre pikët, ndërsa bashkarisht me këtë ju (Ballistë) të tregoni se si përkrahet skuadra e zemrës. Por dua të potencoj se në qoftë se vjen puna që qoftë edhe një tifoz i vetëm të lëndohet sa do pak dhe në anën tjetër Shkëndija arrin fitore, kjo do të jetë e barabartë me disfatë. Edhe kryesia e klubit edhe gjithë dashamirët e Shkëndijës janë mirënjohës për përkrahjen që i jepet ekipit, por kësaj rradhe duhet të kihet kujdes në cdo lëvizje, që në fund të gjithë shëndosh e mirë të festojmë fitoren. Goditja më e madhe që mund tu jepet ‘komitëve’ dhe ciftit të tyre është injorimi total. Ju adhurues të Shkëndijës për në Shkup do të udhëtoni për të përkrahur Shkëndijën (nuk e shkruajmë ‘kuq e zinjtë’ pasi Shkëndija ka gjasa të luajë me fanella të bardha, sepse Vardari është vendas dhe ka ngjyrat kuq e zi) dhe u kishim apeluar të merreni vetëm me atë. Le të shajnë ‘komitët’ sa të duan, ndërsa ju këndoni këngë për Shkëndijën. Le të turpërohen ata sa të kenë qejf me sjelljen e tyre, ndërsa ju vazhdoni të tregoni kulturë të nivelit të lartë, ashtu si i ka hije cdo shqiptari. Ndeshja luhet në Shkup dhe kjo do të jetë mundësi edhe për institucionet më të larta të Maqedonisë të binden në kulturën e shqiptarëve dhe antikulturën e të tyreve. “Ballistë”, distancohuni nga cdo përleshje e mundshme, pasi vetëm ashtu mund të dalim fitues. E dijmë mirë se Shkëndija është dënuar edhe atëherë kur ka patur më pak faj (rasti i fundit me Teteksin) dhe është e qartë se përsëri do të kërkohet edhe mundësia më e vogël për të dënuar klubin, që është në ngritje e sipër, ndërsa kjo dikujt i pengon edhe atë shumë. Prandaj krenarinë lereni në Tetovë, pasi më krenar do të jemi kur gjithë sharjeve evntuale të komitëve (gjithsesi se do të ketë gjatë gjithë ndeshjes) në fund do tu përgjigjeni me festimin e fitores në mes të Shkupit. Ky është qëllimi parësor dhe ajo që dëshirohet nga të gjithë, fitore e Shkëndijës, pa u dëmtuar askush. Prandaj edhe pse nuk dyshoj aspak në korektësinë tuaj, edhe një herë kisha apeluar tek të gjithë ata që i’a duan të mirën Shkëndijës, që të keni shumë kujdes, pasi ata janë dinakë dhe deri se vetë janë duke u shuar, me vete do të tentojnë të marrin edhe dikënd tjetër. Ju duhet 90-të minuta të përkrahni Shkëndijën, dhe vetëm Shkëndijën, pa u përgjigjur në asnjë moment sharjeve, ofendimeve dhe provokimeve, duke i injoruar dhe duke u’a bërë me dije se në Shkup keni ardhur për ekipin tuaj e jo për tu konfrontuar me ata dhe fjalorin e tyre të prishur dhe në fund nëse Shkëndija arrin të fitojë, në këtë mënyrë të gjithë do të ishim të lumtur, ndërsa në anën tjetër do të kishim dhënë një ‘kontribut të madh’ në rrugën e Vardarit drejt Ligës së Dytë, apo ndoshta edhe shuarjes totale. Dhe pastaj edhe vetë komitët së shpejti do të kenë ‘kënaqësinë’ që të shohin se si shtetin e tyre në garat ndërkombëtare e prezanton një skuadër “kuq e zi”, megjithatë jo Vardari, por Shkëndija e Tetovës.

Faton Zylbehari

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *