Home / Lajme / Maqedoni / Mesazhi i kreut të BFIM-së për festën e Bajramit

Mesazhi i kreut të BFIM-së për festën e Bajramit

8 shtator-
Më lejoni që në emër të Bashkësisë Fetare Islame, në emër të të gjitha institucioneve të saja dhe në emrin tim personal juve vëllezër besimtarë tua urojë festen e Fitër-Bajramit, me dëshirën që në trojet tona të mbretërojë siguria, paqja, harmonia dhe dashuria.
Uroj që Bajrami t’ju ketë gjetur me më shumë paqe në vetvete dhe devotshmëri e mirëkuptim njerëzor. Shëndet e mbarësi për të gjithë myslimanët kudo ku jetojnë e punojnë.

Myslimanët në Republikën e Maqedonisë, si dhe e tërë bota islame,sot e festojnë Fitër Bajramin.

Bajrami është ditë e festimeve dhe falënderimeve ndaj Allahut. Fitër Bajrami shënon përfundimin e agjërimit të muajit të Ramazanit dhe është dita e parë e muajit Shaual. Shumica e myslimanëve e festojnë këtë Bajram të paktën 3 ditë.

Si çdo ditë ashtu edhe ditën e Bajramit një mysliman është i obligueshëm të falë namazin e Bajramit.

Namazi i Fitër Bajramit falet në orën 7:15 minuta.

Gjatë muajit të Ramazanit është sadakatul-fitri, lëmosha e obliguar për të dhënë gjatë muajit të Ramazanit. Fitri duhet të jepet para se të falet namazi i Bajramit, e nëse ndonjërit i kalon ajo kohë, atëherë ai sërish obligohet ta japë atë si kompensim.

Bajrami është dita kur takohet forca e të pasurit me dobësinë e të varfërit në dashuri, mëshirë dhe drejtësi nga shpallja e qiellit, titulli i të cilës është zekati, bamirësia dhe lehtësimi, është dita kur gëzohen fëmijët duke luajtur dhe duke u argëtuar, dita kur gëzohen të varfërit duke iu lehtësuar jeta dhe duke shijuar komoditet, dita kur farefisi takohen në bamirësi dhe kujdes për njëri-tjetrin, dita kur muslimanët bashkohen në falje dhe vizita reciproke, dita kur miqtë i ripërtërinë urat e dashurisë dhe elementet e afërsisë, dita kur shpirti fisnik i harron gabimet e të tjerëve ndaj tij, bashkohet pas ndarjes, pastrohet pas përnjollosjes dhe e përshëndet pas injorimit.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Maqedonisë Reisul Ulema H.Sulejman ef. Rexhepi me rastin e Ramazan Bajramit i dërgoi mesazh myslimanëve në Republikën e Maqedonisë.

“Ka shpëtuar ai që është pastëruar, që përkujton madhërinë e Zotit të vet dhe falet.”
(El A’la, 14, 15)

Të nderuar besimtarë, vëllezër dhe motra

Nesër është dita e parë e Fitër-Bajramit. Në këtë ditë feste e të rëndësishme për paqen, ripërtëritjen dhe begatinë tuaj shpirtërore, në këtë ditë të madhërishme të shprehjes së besimit dhe të një çasti kremtimi për të gjithë ju, besimtarë myslimanë kudo që ndodheni, dëshiroj t’ju shpreh urimet e mia më të mira dhe më të përzemërta me mesazhin e të dërguarit të Allahut, Muhamedit a.s që ka të bëjë me natën e Bajramit ku thotë:

“Kush e gjallëron Natën e Bajramit, përmes leximit të Kur’anit, faljes së namazit, të përkujtuarit madhërinë e Zotit në forma të ndryshme , zemra dhe shpirti i tyre do të mbetet i gjallë në Ditën kur të gjitha zemrat do të pushojnë nga gjallëria”

Gjatë gjithë këtij muaji, përmes leximit të Kur’anit, faljes së namazit, përmes agjërimit dhe durimit tonë, përmes mirësisë dhe humanitetit, ne dëshmuam bindjet tona. Kjo ditë, është festë e cila e shënon fundin e muajit të Ramazanit, muajit që paraqet periudhën më të ndritshme në kalendarin islamik, gjatë të cilit të gjithë ne me ibadetet tona bëmë përpjekje që ti afrohemi sa më shumë Krijuesit tonë. Çdo çast i agjërimit tonë, çdo namaz dhe çdo lutje e jona në muajin që e lamë pas iu kushtuam Allahut, Sundimtarit Absolut të të gjitha botërave.
Në këtë ditë feste, shprehim nderimin tonë për të gjithë ata që me agjërim kanë kaluar një muaj nën shenjën e adhurimit të Zotit, nën shenjën e mirësisë dhe të përulësisë, të sakrificës e të gjendjes pranë njëri-tjetrit.

Të nderuar besimtarë

Ky muaj i bekuar i Ramazanit ka një vlerë të veçantë për të gjithë myslimanët në botë, ngase këtë muaj u mbushën plot 1400 vjet nga fillimi i shpalljes së Kuranit Famë lartë, dhe për herë të parë e tërë bota islame në kuadër të Organizatës së Konferencës Islamike në pragun e Natës së Kadrit e festuan këtë ndodhi historike në Stamboll të Turqisë dhe në këtë manifestim ishin prezent bashkësitë islame të trojeve tona etnike.
Kur’ani është shpallja e fundit e Zotit për njerëzinë, testamenti i fundit i Allahut për njeriun, i cili paralajmëron se rrugëtimi njerëzor në Tokë dhe në këtë gjithësi nuk është i kotë, se veprat njerëzore nuk janë pa përgjegjësi dhe pa një synim më të lartë.
Kurani është dërguar për të drejtuar njerëzimin në rrugën e drejtë dhe lumturinë e vërtetë.
Kur’ani ka kapacitet shpëtimi për të gjithë botën dhe mesazhet e tij janë tepër të nevojshme dhe efektive për dashamirësit e botës dhe mbrojtësit e të drejtave të njerëzimit.
Freskia dhe gjallëria e ajeteve të Kuranit është bërë bosht kryesor i jetës së miliona njerëzve në të gjithë botën, ndërsa freskia e tij do të hyj në zemrat e miliarda njerëzve duke u bërë udhërrëfyesi dhe shpëtimi i njerëzimit. Por kjo padyshim se mund të arrihet vetëm nëse popujt angazhohen në respektimin e parimeve të këtij libri të shenjtë

Të nderuar besimtarë

Uniteti në mes nesh, mirëkuptimi dhe toleranca ndërfetare me të tjerët, janë pasuritë më të çmuara të fesë dhe popullit tonë, si të tilla, ato përbëjnë një garanci të sigurt për të ardhmen tonë dhe brezave që do vijnë pas nesh.
Në këtë kohë kur globalizimi ka marrë udhë, në këtë kohë kur kriza morale, më shumë se ajo ekonomike ka plagos njerëzimin, rëndësi të veçantë për ne duhet të jetë qetësia dhe bashkëjetesa, pavarësisht nga origjinat, besimet dhe mendimet e ndryshme me bashkëqytetarët tanë të këtij nënqielli, duhet të punojmë për të ecur përpara, të bëhemi pjesë e barabartë dhe e nderuar e këtij vendi, ku paqja dhe harmonia ndërmjet feve dhe etnive do të jenë arsye për frymëzimin e shpirtit për të punuar së bashku, në mënyrë që të bëjmë realitet ëndrrat e fëmijëve, ambiciet e të rinjve, dëshirat e prindërve, lutjet e të moshuarve, për forcimin dhe sundimin e rendit dhe të ligjit në shtetit tonë, për krijimin e një mjedisi të qetë e stabil, në mënyrë që brezave të ardhshëm t’u krijojmë kushte më të mira për jetë dhe prosperitet në trojet tona etnike.

Të nderuar besimtarë

Ramazani sikurse çdo vit, edhe sivjet na rikujtoi edhe një herë pikat problematike dhe të dobëta të njeriut dhe njerëzimit. Ka dallime dhe pabarazi të pabesueshme në standardin e jetesës së njerëzve. Brenda një muaji ishim dëshmitarë të humnerave të mëdha mes njerëzve të pasur dhe të varfër. Deri sa një pjesë e njerëzve jetën e vazhdojnë me bollëk, pjesa tjetër mundohet të mbijetojë në kushte tepër të vështira, standarde primitive dhe kushtet e pavolitshme për jetesë. Këto pabarazi fajin e kanë tek politikat e gabuara të qeverive dhe nga dobësitë e vetë njerëzve. Të qëndruarit indiferent thellon më shumë problemin dhe nuk paraqet një rrugëdalje. Filozofia e muajit të Ramazanit duhet të bëhet udhërrëfyes në drejtim të mënjanimit të këtyre problemeve.

Të nderuar mysliman

Për në fund i lutem Allahut të na i pranojë ibadetet dhe të na udhëzojë në rrugë të drejtë, të na ndihmojë që edhe pas Bajramit, të rrisim sasinë e veprave tona të mira.
Më lejoni që në emër të Bashkësisë Fetare Islame, në emër të të gjitha institucioneve të saja dhe në emrin tim personal juve vëllezër besimtarë tua urojë festen e Fitër-Bajramit, me dëshirën që në trojet tona të mbretërojë siguria, paqja, harmonia dhe dashuria.
Uroj që Bajrami t’ju ketë gjetur me më shumë paqe në vetvete dhe devotshmëri e mirëkuptim njerëzor. Shëndet e mbarësi për të gjithë myslimanët kudo ku jetojnë e punojnë.

Vesselamu alejkum ve rahmetullahi ve berekatuhu!

Gjithashtu lexo

Katër të lënduar në afër Gostivarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma rreth orës 23 në autostradën Gostivar-Tetovë në afërsi të pikës së pagesës …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *