Home / Sport / Renova fiton derbin e Tetovës

Renova fiton derbin e Tetovës

Derbi i madh ndërmjet Renovës dhe Shkëndijës ka konfirmuar edhe një herë se pikërisht Tetova është qyteti më futbollistik në vend. Mbi 10 mijë shikues ndoqën këtë duel, i cili dhuroi futboll të bukur, ndërsa fitorja i takoi skuadrës që pati më shumë fat sportiv, Renovës.

Futboll cilësor, dominim i Shkëndijës në teren, raste të shumta për të shënuar, por me por me portierë të disponuar në të dyja palët, mbi 10 mijë shikues të tribunat e stadiumit dhe fitore minimale e kampionëve në fuqi është epilogu i derbit të madh tetovar ndërmjet Renovës dhe Shkëndijës. Pasdita e të shtunës ishte festë e vërtetët e futbollit në Tetovë, duke konfirmuar se pikërisht ky qytet është qendra më e madhe e futbollit në Maqedoni. Renova në këtë takim vinte nga një seri negative, ndërsa në situatë të kundërt ishte Shkëndija, që kërkonte vazhdimësi të sukseseve. Dhe ishin në fakt pikërisht “kuq e zinjtë” ata të cilët kishin iniciativën në pjesën më të madhe të ndeshjes, duke krijuar raste të shumta për të shënuar, mirëpo në këtë drejtim nuk qëndroi më dobët edhe Renova që disa herë u kanos rrezikshëm. Megjithatë pos lojës së mirë, të rrjedhshme, me shumë fantazi dhe të bukur për sy të Shkëndijës, patjetër të potencojmë faktin se notë maksimale meritojnë dy portierët, Armend Elezi dhe Suad Zendeli, të cilët sollën disa pritje të mëdha dhe në momente vendimtare. Pjesa e parë u mbyll pa gola, ndërsa në vazhdim Shkëndija përforcoi edhe më shumë sulmet e saj. Në disa momente të pjesës së dytë luhej vetëm në pjesën e cila i takon skuadrës xhepçishtase, të cilët rastin e tyre e kërkonin në kundërsulme. Dhe pikërisht në një situatë të tillë ata arritën të shënojnë edhe golin e vetëm, që në fund u tregua të ketë vlerën e tre pikëve në këtë derbi të madh. Zhvillohej minuta e 80-të, kur Ylber Aliu nisi kundërsulm të kushtimisht thënë skuadrës vendase, duke pasuar për Burhan Emrullahun. Mbrojtja e Shkëndijës provuan të bëjnë kurth për pozitë jashtë-loje, referi anësor lejoi lojë ta vazhdojë, ndërsa Emrullahu pasoi për Aliun, që se pati problem të tundë rrjetën e zbrazët. Pas golit të pranuar futbollistët e Shkëndijës u hodhën plotësisht në sulm dhe kishin disa mundësi për të barazuar, mirëpo në situatë të tillë kishte shuma hapsira që Renova të shënojë edhe gol të dytë. Megjithatë një gjë e tillë nuk ndodhi dhe në fund fitorja i takoi skuadrës së Renovës, ndërsa vlen të ceket se lojën me nga 10-të futbollistë e mbyllën të dyja taboret pasi në minutën e 65-të pas një zënke mes veti, nga loja u larguan Gafuri dhe Huseini. Për Renovën kjo është një fitore e madhe, që e ngjet ekipin më lartë në renditje dhe duke bërë me dije se edhe këtë vit kërkojnë kreun e tabelës. Ndërkohë Shkëndija edhe përkundër disfatës, përfundimisht ka vërtetuar se rezultatet e kaluara nuk janë të rastit se dhe kjo skuadër është në mesin e ekipeve më të mira në ligë, ndërsa në fund të ndeshjes futbollistët u shpërblyen me duartrokitje nga tifozët e tyre. “Kuq e zinjtë” me lojën e treguar kundër fqiut të tyre bënë me dije se synojnë kreun e tabelës dhe me paraqitje të tilla sigurisht që atje e kanë vendin.

Gjithashtu lexo

Ylli i Shkëndijës: Nuk kemi çfarë të humbasim ndaj Milanit

Ardian Cuculi ka thënë se Shkëndija do të tentojë të bëjë lojën e saj dhe …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *