Home / Sport / Shkëndija pa problem kaloi përmes Vardarit

Shkëndija pa problem kaloi përmes Vardarit

U bë edhe kjo, Shkëndija fitoi në Shkup. Për herë të parë në histori Shkëndija mund në stadiumin kombëtar ‘Filipi i Dytë” Vardarin, të cilët “s’patën ujë” për të ndalur hovin e tetovarëve. Dy gola të bukur ishin të mjaftueshëm për tre pikë të reja, të cilat Shkëndijën e përforcojnë në pjesën e epërme të renditjes, me vetë dy pikë më pak se lideri i tabelës. Renova në Tetovë pa problem mundi Bregallnicën.

Vardari rezultoi shumë i ‘cekët’ për futbollistët e Shkëndijës, të cilët me ‘not’ të sigurtë kaluan pa problem këtë pengesë të javës së 8-të të Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë. “Kuq e zinjtë” tetovarë që në këtë ndeshje luajtën me fanella të bardha pasi Vardari ishte i veshur me fanella ‘kuq e zi’, kishin kontroll të plotë të lojës gjatë gjithë 90-të minutave, ndërsa me golat e bukur të Sali-t dhe Cuculi-t morën fitoren e madhe dhe tre pikët e reja. Shkëndija që në start u kanos përmes Ersen Sali-t, duke paralajmëruar se në Shkup ka ardhur për të marrë fitoren. Dominimi i skuadrës mysafire ishte i pranishëm gjatë gjithë pjesës së parë, mirëpo pa mundur të sjellin golin. Ndoshta në këtë periudhë loja e Shkëndijës nuk ishte e nivelit sic jemi mësuar ta shohim në disa ndeshje të kaluara, mirëpo stafi teknik i bindur në vlerën e takimit, dhe motivimin e skuadrës së re të Vardari inponoi lojë të qetë, duke pritur me qetësi për ta dërguar kundërshtarin në nok-aut. Dhe kjo gjë u konfirmua në pjesën e dytë kur pas sulmeve të njëpasnjëshme, në minutën e 63-të anëtari i përfaqësueses së shpresave të Maqedonisë, Ferhan Hasani për mrekulli hodhi nga loja mbrojtësin e Vardarit, ndërsa më pas edhe më bukur harkoi drejt Ersen Sali-t, i cili me goditje precise me kokë solli epërsi për Shkëndijën. Pas golit të avantazhit ekipi mysafir vazhdoi të sulmojë dhe në minutën e 73-të një pasimi i saktë i Eminit hapi mundësi për Cuculin, i cili me goditje të fortë gjeti këndin e lartë të portës së Vardarit, duke ngritur epërsinë në 2:0. Në vazhdim me epërsi të sigurtë prej dy golave dhe me lojë edhe më bindëse, Shkëndija nuk lejoi në asnjë moment t’i rrezikohet fitorja duke konfirmuar edhe një herë se posedon ekip për kreun e tabelës.

“Natyrisht jam i lumur për fitoren dhe tre pikët e arkëtuara nga ky duel i vështirë. Edhe pse Vardari ballafaqohet me shumë probleme, të gjithë pamë se sa të motivuar dhe të përkrahur ishin për të mundur Shkëndijën. Mirëpo ekipi jonë luajti me zgjuarsië të madhe, e sigurtë taktikisht në fushë dhe për më shumë u pa një skuadër që dinte se cka dëshiron nga kjo përballje. Ndoshta në pjesën e parë mungoi loja e bukur për sy, mirëpo ne ishim të vetëdijshëm për atë cka na priste nga ky duel, prandaj edhe u morëm vesh të luajmë lojë të durueshme dhe të sigurtë, duke pritur rastin tonë që do të na drejtonte tek fitorja që në fund arritëm ta marrim. Thjesht një fitore jashtëzakonisht e vlefshme, e cila do të ngrejë vetëbesimin e futbollistëve për të vazhduar me stil të njejtë dhe të mbajmë ekipin në kreun e tabelës”, – deklaroi menjëherë pas ndeshjes me Vardarin, shefi i stafit teknik të Shkëndijës Edmon Miha.

Vlen të ceket se Shkëndija në këtë përballje kishte përkrahje të madhe nga tifozët e tyre “Ballistët” të cilët në numër të madh kishin udhëtuar nga Tetova, ndërsa atyre u bashkangjitën edhe tifozët e Slloga Jugomagnatit “Shvercerët”. Megjithatë pjesa më e madhe e tifozëve të Shkëndijës nuk kishin mundësi të ndjekin pjesën e parë, pasi nuk u lejua hyrja në stadium. Në anën tjetër tifozët e Vardarit, ‘Komitët’ gjatë gjithë kohës shfrytëzuan fjalorin e tyre të prishur duke sharë dhe ofenduar gjatë gjithë takimit. Mirëpo nuk do të flasim më tepër për ta, pasi me të vërtetë nuk i’a vlen tu jepet hapsirë në një medium shqiptar.

Fitorja e Shkëndijës ndaj Vardarit është e para në historinë e tetovarëve e arritur në stadiumin kombëtar “Filipi i Dytë” në Shkup, duke paralajmëruar se këtë vit “kuq e zinjtë” synojnë të prishin cdo traditë negative dhe të arrijnë të realizojnë ambiciet e tyre për dalje në arenën ndërkombëtare. Me këtë fitore Shkëndija arrin në kuotën e 14-të pikë, dy më pak se lideri i renditjes tabelare në Ligën e Parë, Metalurgu.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *