Home / Sport / Shkëndija vazhdon sipas planit

Shkëndija vazhdon sipas planit

“Jemi të kënaqur me fitoren, megjithse në pjesën e parë patëm vështirësi për të depërtuar në ‘bunkerin’ e Vardarit, të cilët ndoshta të vetëdijshëm në kualitetin tonë ishin vendosur për lojë të mbyllur. Për fat të mirë në pjesën e dytë gjërat erdhën në vend të duhur dhe shënuam dy gola me të cilët morëm fitoren. Ka edhe shumë ndeshje deri në fund dhe ne duhet të vazhdojmë të fitojmë për të ndërtuar një sezon të suksesshëm dhe për të mbetur në tre vendet e para në renditje“ – deklaroi ndihmës trajneri i Shkëndijës, Qatip Osmani.

Të shtunën Shkëndija e Tetovës i dha fund një serie të gjatë negative, pa mundur të fitojë asnjëherë në stadiumin e qytetit në Shkup. Shkëndija në kuadër të javës së 8-të për herë të parë në histori mundi Vardarin, duke paralajmëruar se këtë sezon do të bëjë shumë gjëra për herë të parë! Ndoshta pas kësaj fitore kundër ekipit me më shumë trofe në vend, ‘kuq e zinjtë’ tetovarë për herë të parë do të dalin në arenën ndërkombëtare, apo në rastin më të mirë do të luftojnë për titullin e kampionit. Por ka kohë për plane të tilla! Kryesorja është se ekipi bëri hapin e parë në thyerjen e ecurisë negative në duelet me skuadrën nga Shkupi. Prej vitit 1996 kur për herë të parë Shkëndija e Tetovës u gjet në Ligën e Parë të Maqedonisë, kishte disa rënie dhe ngjitje, kishte periudha të rezultateve të shkëlqyeshme, duke mundur kundërshtarët më të fortë, mirëpo asnjëherë Vardarin në teren të tyre. Por ‘tradita egziston për tu prishur’ thotë një fjalë e vjetër dhe Shkëndija të shtunën filloi të bëjë këtë gjë dhe hapi i parë në këtë drjetim ishte fitorja e parë në Shkup përballë Vardarit. Ndihmës trajneri i Shkëndijës Qati Osmani, ishte pjesë e Shkëndijës në sezonin e parë në Ligën e Parë dhe sigurisht është më kompetent për të folur për të kaluarën.

“I kujtoj shumë mirë ato kohë dhe dua të potencoj se Vadrari asokohe ishte skudër shumë e fortë, dhe avansonte para ekipeve tjera në kualitet. Ne për herë të parë kundër tyre kemi luajtur në vitin 1996 kur Shkëndija për herë të parë në histori u gjet në Ligën e Parë. Ne kishim ekip shumë të mirë, por ishin kohra tjera dhe skuadra jonë si ekip i pastërt etnik me formacion të përbërë nga 100% futbollistë shqiptarë, sigurisht që ishte në qendër të vëmendjes për tu dëmtuar. Sa i përket ndeshjes së parë me Vardarin në Shkup, Shkëndija nuk ishte komplete, mungova edhe unë, por megjithatë zhvilluam një pjesë të parë shumë të mirë. Me sa kujtoj avansuam 1:0 me golin e Berishës dhe luajtëm mirë, mirëpo në pjesën e dytë erdhi në shprehje kualiteti i Vardarit, të cilët kthyen rezultatin në favor të tyre dhe në fund fituan 3:1“, – kujton me nostalgji të kaluarën ‘Qato’-ja, duke shtuar. “ Fatkeqësisht ecuria negative me Vardarin e nisur nga viti 1996 vazhdoi edhe në vitet në vijim, kur Shkëndija disa herë ngjitej dhe binte nga kategoria e parë, më e fortë dhe dhe më e dobët, por asnjëherë nuk arritëm të fitojmë Vardarin. Unë kam luajtur disa ndeshje kundër tyre, të cilat gjithnjë i kemi humbur, ndërsa edhe të tjera gjenerata nuk arritën të ndalin bilansin negativ. Nëse nuk gaboj vetëm dy herë Shkëndija ka luajtur baraz në Shkup me Vardarin, një herë 2:2 dhe një herë 0:0 , në kohën kur kishte formacion të mirë dhe në sezonin kur ekipi luajti në finalen e Kupës së Maqedonisë”, – sqaroi Osmani. Prej asaj kohe ka kaluar periudhë e gjatë kur Qatip Osmani, por edhe gjenerata të tjera të futbollistëve të Shkëndijës nuk mundnin do të kalojnë mallkimin e quajtur Vardar, për t’iu dhënë përfundimisht goditjen e parë më datë 25.09.2010 dhe për më shumë duke i mbiluajtur totalisht në lojë.

“Po më në fund përfundoi edhe ajo seri, pasi të shtunën fituam 2:0. Jemi të kënaqur me fitoren, megjithse në pjesën e parë patëm vështirësi për të depërtuar në ‘bunkerin’ e Vardarit, të cilët ndoshta të vetëdijshëm në kualitetin tonë ishin vendosur për lojë të mbyllur. Për fat të mirë në pjesën e dytë gjërat erdhën në vend të duhur dhe shënuam dy gola me të cilët morëm fitoren. Ky trepikësh na mban neve në kreun e tabelës, na motivon për të vazhduar me suksese edhe në të ardhmen dhe tregon se jemi në rrugë të duhur. Megjithatë nuk duhet të vijë te ndonjë lëshim i padëshiruar, pasi ka edhe shumë punë për tu bërë deri në fund. Ka edhe shumë ndeshje deri në fund dhe ne duhet të vazhdojmë të fitojmë për të ndërtuar një sezon të suksesshëm dhe për të mbetur në tre vendet e para në renditje“ – deklaroi Qatip Osmani, i cili në vitin e kalaur në festën e 30-të vjetorit të Shkëndijës, nga kryesia e ‘kuq e zinjëve’ u shpall futbollisti më i mirë në historinë e skuadrës tetovare.

“Qato” në fund shtoi se ka besim në kualitetin e ekipit, i cili sipas tij me punë serioze është i gatshëm të bëjë suksesin më të madh në histori.

“Me fitoren ndaj Vardarit paralajmëruam se do të prishim çdo bilans negativ. Jam shumë i bindur se Shkëndija posedon kualitet për të qenë në kreun e tabelës, por siç thash edhe më herët duhet të vazhdohet me punë serioze dhe të fitojmë ndeshjet njëra pas tjetrës. Nëse gjithë qëndrojmë së bashku, sigurisht që të pakta janë skuadrat në kampionatin e Maqedonisë që kanë kualitet për të na rivalizuar”.

Dëshira e kahmotshme e gjithë tifozëve të Shkëndijës është që të shohin ekipin në arenën ndërkombëtare. Për momentin gjërat ecin në drejtimin e duhur, ndërsa në pyetjen nëse Shkëndija ka ekip për Europë, Osmani ishte decid: ”Absolutisht po, nuk kam dyshim në këtë”.

Sigurisht që Shkëndija dhe numri i madh i tifozëve të tyre do të vazhdojnë të presin debutimin në arenën ndërkombëtare, ndërsa për momentin do të vazhdojnë të shijojnë paraqitjet pozitive të ekipit, duke shpresuar që në fund të jenë në kreun e tabelës. Në kuadër të javës së 9-të Shkëndija në fushë të vet pret Skopjen, ndërsa deri atë ditë, tiofëzët do të mund të kujtojnë impresionet dhe kënaqësinë nga goditja që i dhanë të shtunën Vardarit.

Gjithashtu lexo

Kastriot Tusha dhe “Ballistët” këndojnë “Xhamadani vija vija” midis Milanos (Video)

“Ballistët” janë duke bërë atmosferë fantastike në Milano dhe atyre u wshtw bashkuar edhe Kastriot …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *