Home / Sport / Spektakël e gola, nata e të mëdhenjve në Champions

Spektakël e gola, nata e të mëdhenjve në Champions

Pas surprizave në natën e parë, Liga e Kampioneve ka folur mbrëmë me gjuhën e të mëdhenjve. Milani e Reali kanë triumfuar të dyja në grupin G, kundër rivalëve si Okseri dhe Ajaksi, ndërkohë që fitore tepër të rëndësishme edhe për Bajernin dhe Kluzhin në grupin E. Asnjë problem ndërkohë për Arsenalin në grupin H, ndërsa Çelsi e ka patur një shëtitje përballë Zilinës në Sllovaki. Surpriza e vetme në takimet e djeshme ishte humbja në shtëpi e Marsejës përballë Spartakut të Moskës.

Milani ka vuajtur jo pak në ndeshjen e mbrëmshme përballë Okserit, madje duke rrezikuar shumë në pjesën e parë. Por, në të dytën ka qenë Ibrahimoviç ai që i ka dhënë fitoren skuadrës kuqezi, duke shënuar dy gola pas dy kombinimeve me Ronaldinjon. Ata kanë dhuruar disa prekje magjike në fushën e lojës, duke e bërë publikun e “San Siros” të duartrokasë gjatë. Pavarësisht golave të Ibrës, ishte Ronaldinjo ai që u tregua deciziv në të dy momentet. Ndërkohë, një fitore e vështirë edhe për Realin e Madridit, që ka mposhtur 2-0 Ajaksin në “Bernabeu”. Skuadra madrilene ka gjetur golin e parë në minutën e 31-të pas një autogoli i Anitës, ndërsa 17 minuta përpara përfundimit Gonzalo Higuain mbylli llogaritë me ndeshjen, duke shënuar një tjetër gol. Ronaldo pati disa mundësi për të shënuar golin e tretë, por ka qenë i pasaktë përpara portës. Pas këtyre ndeshjeve, Milani e Reali kanë nga 3 pikë në grup, duke lënë në kuotën zero Okserin dhe Ajaksin.
Ekipet angleze
Derisa Mançesteri dhe Totenhemi zhgënjyen ditën e martë, nuk e kanë bërë këtë dy ekipet e tjera të Premier Ligës. Arsenali dhe Çelsi i kanë kthyer në stërvitore ndeshjet e tyre të mbrëmshme. Në grupin H, Arsenali i Vengerit mundi thellësisht 6-0 Sporting Bragën, në një mbrëmje spektakolare në “Emirates”. Dy herë Fabregas, dy herë Karlos Vela, Arshavin dhe Shamak i dhanë fitoren skuadrës londineze, e cila ka konfirmuar formën e saj të mirë. Në ndeshjen tjetër të këtij grupi, Shaktjori i Donjeckut ka mposhtur minimalisht 1-0 Partizanin e Beogradit. Takimi u vendos nga një gol i shënuar nga kroati Dario Sërna në minutën e 71-të, megjithatë ukrainasit kanë patur raste të panumërta për të shënuar. Ndërkohë, fitore 4-1 për Çelsin e Ançelotit në fushën e sllovakëve të Zilinës. Megjithëse me shumë mungesa, kampionët e Anglisë e kanë zgjidhur çdo gjë shumë shpejt. Esien shënoi në minutën e 13-të, ndërsa Anelka realizoi dy gola të tjerë në pjesën e parë. Në të dytë, Starrixh shënoi edhe golin e katërt, ndërsa për vendasit ishte Oravec ai që realizoi golin e nderit. Në takimin tjetër të këtij grupi, Olimpiku i Marsejës i Didier Deshamp është shokuar nga një humbje 0-1 në “Velodrome” përballë Spartakut të Moskës. Një autogol i Azpilicuetës 9 minuta para fundit bëri të heshtë stadiumi francez.
Golat e Tomas Mylerit dhe të Miroslav Kloses në minutat e fundit i kanë dhënë fitoren 2-0 Bajernit të Mynihut përballë Romës. Ndeshja e luajtur në “Allianz Arena” ka nxjerrë fituese skuadrën e Van Galit, e cila edhe pse me mungesa të shumta, ka besuar deri në çastet e fundit. Në minutën e 79-të Myler zhbllokoi rezultatin, ndërsa 4 minuta më pas ishte Klose që mbylli llogaritë. Në takimin tjetër të këtij grupi, rumunët e Kluzh morën 3 pikët, pas fitores 2-1 ndaj Bazelit.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *