Home / Lajme / Rajon / Agim Çeku e ndërron profesionin, por s’e harron pasionin

Agim Çeku e ndërron profesionin, por s’e harron pasionin

Prishtinë, 11 tetor –
“Nuk mendoj që ishte potez i gabuar, sepse unë gjithmonë nisem dhe udhëhiqem nga parimi që jam i gatshëm ta bëj çdo punë që kërkohet nga unë, e cila është në shërbim të vendit, pavarësisht asaj se a e dëshiroj unë apo jo. Unë kam qenë shumë i sigurt dhe shumë i vetëdijshëm se jam duke e dëmtuar veten, por ata që e kanë kërkuar nga unë që të bëhem kryeministër, më kanë bindur se momenti po e lyp që unë ta bëj një sakrificë”, thotë Çeku.

Atij i qe dashur më 2006 ta paloste uniformën e Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK), themelin e së cilës vetë e kishte qitur, për t’i hyrë një jete të re: politikës. Katër vjet më pas ai ka mbetur edhe pa uniformë, edhe pa ndonjë pozitë të rëndësishme politike. Megjithatë, thotë se nuk është bërë pishman që e kishte palosur uniformën për kostumet e politikës, ndonëse ka mbetur në krye të një partie të vogël joparlamentare, Partisë Socialdemokrate të Kosovës (PSD), e boton “Koha Ditore” sot një intervistë me Agim Çeku. Ai thotë se nuk është penduar asnjëherë që e la “ushtrinë” për politikë, pavarësisht pasojës që ka pasur një gjë e tillë për të.

“Nuk mendoj që ishte potez i gabuar, sepse unë gjithmonë nisem dhe udhëhiqem nga parimi që jam i gatshëm ta bëj çdo punë që kërkohet nga unë, e cila është në shërbim të vendit, pavarësisht asaj se a e dëshiroj unë apo jo. Unë kam qenë shumë i sigurt dhe shumë i vetëdijshëm se jam duke e dëmtuar veten, por ata që e kanë kërkuar nga unë që të bëhem kryeministër, më kanë bindur se momenti po e lyp që unë ta bëj një sakrificë”, thotë Çeku.

Ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së ka insistuar se njerëzit e përkushtuar për t’i shërbyer vendit nuk seleksionojnë asnjëherë momente për ta bërë një gjë të tillë.Zhurnal

“Unë me plot vetëdije e kam bërë një sakrificë të tillë. E di që ajo punë ndoshta e ka dëmtuar imazhin tim e karrierën time, por unë ndihem shumë mirë se për aq kohë sa kam qenë në pushtet që kam vepruar e në rrethanat që kanë qenë në Kosovë, e kam bërë një punë të mirë”, ka thënë ai. “Lirisht mund të them se qeveria, të cilën e kam drejtuar dhe unë si kryeministër e kemi bërë Kosovën gati për pavarësi: ky ka qenë misioni im, ky ka qenë qëllimi im dhe këtë e kam kryer”.

Agim Çeku “profesionin e ndërron e pasionin s’e harron”. Mbase ky do të ishte modifikimi deri diku i qëlluar i fjalës së urtë popullore: “Ujku qimen e ndërron e zanatin s’e harron”, për të shpjeguar rastin e lidhjes shpirtërore të liderit të PSD-së me ushtrinë. E ka thënë vetë se ani që ka katër vjet që nuk bart uniformë ushtarake, sërish e ndien mungesën e saj.

“Unë prapa nuk kthehem kurrë, çasti i zhveshjes së uniformës është një kapitull i përmbyllur, tani mendoj që ende kam kapacitete, energji e potencë që të jem i dobishëm për vendin edhe në sferën politike, por po më mungon jeta ushtarake. Unë në esencë e në shpirt jam ushtarak, në jetën time kam qenë ushtarak, edhe pse tash s’jam në uniformë, unë jetoj e punoj mbi parimet ushtarake, jam shumë preciz e shumë i saktë edhe në punë edhe në fjalë edhe në organizim e edhe në parti: unë gjithmonë do të mbetem ushtarak”.

Ish-komandanti i fundit i UÇK-së, bile ai që në vitin 1999 e bashkë-transformoi atë në TMK, ka treguar se si edhe për aspektin organizativ të partisë së tij e ka bërë një “copy paste” nga modeli ushtarak.

“Në partinë time kryesisht e kam menaxhmentin ushtarak dhe organizmin ushtarak, pra këto elemente i kam futur edhe në parti dhe mendoj që është partia e organizuar më së miri brenda për brenda. Është ende e vogël që akoma nuk e ka atë peshën e saj që njerëzve t’u tërheqë vëmendjen, por jemi mirë në parti dhe pikërisht edhe në këtë punë, mua më ndihmojnë logjika ushtarake, parimet ushtarake dhe shpirti ushtarak”.

“Ai është një njeri që ka fat”, ka qenë reagimi i parë i Agim Çekut, kur i është kërkuar ta bënte një përshkrim nga perspektiva e një ish-kryeministri për kryeministrin aktual kosovar, Hashim Thaçi. “Kosovës i kishte ardhur minuta për t’u pavarësuar e ai ka qëlluar në momentin e duhur aty. E tash si shtet i pavarur s’ka UNMIK si autoritet mbi vete, është autonom, është sovran, vjen nga partia më e madhe, shumica e ministrave i referohen atij etj.”. Ka thënë se nuk mund të tërhiqen asfare paralelesh mes tij dhe Thaçit, meqë si krerë qeveritarë kanë vepruar në gjendje të ndryshme. “Rrethanat janë shumë të favorshme për të”.

Por pavarësisht kësaj, gjenerali i kthyer në politikan ka thënë se ish-bashkëluftëtari i tij i dikurshëm në UÇK, nuk e ka shfrytëzuar një favor të tillë në të mirën e qytetarëve të vendit. “Nuk e ka shfrytëzuar momentin që të bëhej më shumë për Kosovën, më shumë është orientuar në projekte që bëjnë zhurmë brenda Kosovës, që sjellin vota, para për ata vetë, sesa në projekte që e çojnë Kosovën përpara. Thjesht, kjo qeveri më shumë ka qenë e orientuar për projekte që më shumë janë për marketing, sesa për nevojat e Kosovës”.

Çeku ka kallëzuar se kafenë e fundit me Thaçin e ka pirë para afërsisht dy-tri jave. “Nuk i ka bile dy-tri javë që kemi pirë kafe, jemi takuar edhe në New York, unë kam raporte me të gjithë dhe relacione të afërta, pra unë asnjëherë nuk e kam lejuar veten që raportet politike t’i transferoj në raportet personale. Me Thaçin na lidhin shumë gjëra në të kaluarën, shumë gjëra i kemi të përbashkëta në vizionin për Kosovën, fatin e Kosovës, integrimin në NATO, integrimin në BE etj., në të ardhmen, por na dallojnë gjërat e menaxhimit të brendshëm të Kosovës, mënyra e qeverisjes, stili i menaxhimit me resurse shtetërore”.

Mosdaljen e shpeshtë në publik ish-kryeministri i Kosovës tash lider i PSD-së, nuk ka dashur ta ndërlidhte me ndonjë zhgënjim eventual të tij për mosbesimin e qytetarëve në raport me të, të shprehur në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar.

“Nuk jam i zhgënjyer me elektoratin dhe kurrë nuk zhgënjehem me popullin tim: e respektoj vullnetin e tij. Mendoj që rezultati jo i kënaqshëm në zgjedhjet lokale është më shumë problem i ynë dhe e fajësoj më shumë veten për nivelin e përgatitjes për zgjedhje se sa qytetarët e Kosovës. Mendoj që një gjë e tillë aspak nuk na ka zmbrapsur, aspak nuk na ka dëshpëruar, unë kam qenë i vetëdijshëm që ditën e parë kur e kam marrë në drejtim këtë parti se është e vogël e perceptohet jo në mënyrë të duhur dhe të gabuar nga publiku dhe që do të më duhet shumë kohë e punë për ta ndryshuar atë”.

Çeku e ka përdorur një metaforë kur ka qenë puna e mossuksesit të partisë së tij në zgjedhje dhe përmes saj ka nxjerrë në pah afinitetet e tij rezistuese duke thënë se mendjen e ka te maratona dhe jo te sprinti.

“Për mua kjo paraqet një sfidë, se vetë unë jam një njeri që i dua sfidat, jam njeri që jam i gatshëm të ballafaqohem me sfidat. Gjithmonë kam thënë se jam i gatshëm të vrapoj në një maratonë dhe jo në një sprint dhe mu këtë punë jam kah e bëj. Jam shumë optimist se në zgjedhjet e ardhshme, ne do ta shënojmë një rezultat të konsiderueshëm”.

Ka thënë që askush nuk duhet ta prekë pa një pa dy konstatimin se një subjekt i caktuar s’i ka punët mirë nëse nuk është i pranishëm në media. “Ne më shumë jemi orientuar në konsolidimin e partisë dhe në kryerjen e punëve që s’duken vizuale, por që kanë të bëjnë me fuqizimin dhe organizimin e partisë. Shumë më shumë iu kemi kthyer vetes, sesa që të jemi pjesë e debateve shpeshherë të kota politike në Kosovë. Kjo është arsyeja: prioritet numër një i kemi fuqizimin, konsolidimin dhe përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme”.

Kur Agim Çeku është nisur për në Kosovë nga SHBA-ja është përcjellë me premtime nga Këshilli Shqiptaro-Amerikan se kurdo që të ketë zgjedhje partia e tij ka për t’u ndihmuar.

“Unë e kam djalin e axhës tim, Mustafë Çeku, që jeton afër njëzet vite në Boston dhe e ka një rreth të gjerë të miqve, qoftë amerikanë apo edhe të diasporës shqiptare, dhe ai e ka organizuar një darkë për ngritjen e fondeve, praktikë kjo që është shumë e shpeshtë në SHBA, ku çdo individ që garon atje e organizon një gjë të tillë, që është shumë transparente, normale dhe e zakontë. Aty është organizuar një darkë për mua, ku kanë qenë prezentë shumë amerikanë, ndoshta më shumë sesa shqiptarë, dhe aty ata kanë shprehur një gatishmëri që të më mbështesin”.

Çeku ka treguar që në fytyrat e miqve të të afërmit të tij ka parë dëshirën e tyre që ai të jetë i pushtetshëm në Kosovë.

“Unë kam marrë premtime që ata janë mbështetës të mi dhe dëshirojnë të më shohin pjesë të institucioneve të Kosovës dhe janë të gatshëm që në mënyrë transparente ta ndihmojnë fushatën time, kur ajo të ndodhë. Nuk mund të paragjykojmë si e sa, por thjesht ka qenë një mbrëmje, në të cilën secili që ka qenë prezent aty, e ka shfaqur respektin, gatishmërinë dhe dëshirën që të më ndihmojë”, ka thënë Çeku në këtë intervistë për Kohën Ditore.

Gjithashtu lexo

Emigranti shqiptar gjen portofolin me dollarë në New York dhe ia dorëzon të zonjës

Një emigrant nga Dibra e Madhe, i cili jeton në Staten Island, Nju Jork, ka …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *