Home / Sport / Cana i vendosur: Shqiptarët një kombëtare

Cana i vendosur: Shqiptarët një kombëtare

Idhulli i tifozërisë kuqezi deklaron se shqiptarët kanë nevojë për një kombëtare të vetme. Projekti i rinovimit është në rrugë të mbarë, por duhet shumë punë që të arrihet kualifikimi i ëndërruar nga të tërë.

I veshur me kostum gri, qëndronte në pritje të hyrjes në sallën e madhe ku do të zhvillohej mbledhja solemne për nder të 80-vjetorit të Federatës Shqiptare të Futbollit. Lorik Cana ishte një ndër të ftuarit e kësaj mbrëmjeje, por nuk mungonin as legjendat e së shkuarës, si Rudi Vata, Igli Tare, Arjan Xhumba, Edvin Murati, Altin Rraklli etj. Biseda me të, sikundër në të gjitha rastet e tjera, ishte e këndshme. Mes të tjerash, diskutuam edhe për karrierën e tij te Gallatasaraji, projektet kuqezi dhe rolin që ai ka ndërmend të mbulojë, atë të prurjes së elementëve të rinj për kombëtaren, rol të cilin ai e specifikon si “liderë jashtë fushe”. Gjithashtu, Cana vijon t’i qëndrojë besnik tezës “një komb, një kombëtare”. Sipas tij, shqiptarët e kanë një përfaqësuese, atë kuqezi, ndonëse realiteti shumë shpejt do të sjellë edhe përfaqësuesen tjetër shqiptare, atë të Kosovës. Zgjedhja që do të bëhet? Për këtë dhe shumë të tjera, Cana është shprehur në intervistën e më poshtme:

Lorik, pyetja e parë që na shkon ndërmend ka të bëjë me formën tuaj. Si ndiheni pas dëmtimit që pësuat në ndeshjen kundër Bosnjës?

Jam në fazën e rikuperimit, kam filluar stërvitjen individuale, sidomos me vrapime të lehta dhe në palestër, shpresoj që javës tjetër të filloj stërvitjen me ekipin dhe kam shpresa të mëdha, nuk jam i sigurt 100%, por shpresoj që të jem gati për fundjavën ku do të ndeshemi me Fenerbahçen.

Derbi me Fenerbahçen është shumë i rëndësishëm, por a besoni se me 12 pikë diferencë do të arrini të futeni të paktën në Ligën e Kampioneve?

12 pikë janë shumë, por janë edhe një distancë e rikuperueshme, kur mendon se ke para treçerekun e kampionatit. Por ne ende nuk jemi në nivelin që i takon Gallatasarajit. Skuadra ka vuajtur shumë dëmtime, por edhe niveli i lojtarëve nuk ka dalë ende në maksimum dhe kjo duket edhe në rezultate. Kjo ndeshje e tejkalon një ndeshje futbolli. E gjithë Turqia ndalet dhe të tërë e kanë mendjen vetëm aty. Është një ndeshje që e ndan Turqinë në dysh dhe ai që fiton merr vlera të mëdha.

Do të bënit një krahasim mes derbit Gallatasaraji-Fenerbahçe dhe Marsejë-PSG?

Absolutisht jo. Olimpiku me Parisin është diçka shumë e veçantë. Por besoj se dueli mes Fenerit dhe Gallatës është ndoshta dueli më i fortë në botë.

Presidenti i FKF-së, Fadil Vokrri, deklaroi se tema e shumëpërfolur e lëvizjes së lojtarëve në momentin e pranimit të FFK-së në FIFA, është ende një çështje e hapur. A besoni, Lorik, se ne kemi mundësi të furnizojmë dy ekipe kombëtare, apo e shikoni si një mundësi më tepër për ata lojtarë që nuk arrijnë të inkuadrohen në njërën fanellë dhe shohin si opsion tjetrën?

Është një dilemë, sepse lojtarët mund të kenë vështirësi në vendimmarrje. Gjithsesi, për ne që vijmë nga trojet e Kosovës ose nga Perëndimi ku kanë emigruar shqiptarët, për ne ekipi që na përfaqëson është Shqipëria, kemi zgjedhur rrugën e zemrës dhe jemi të bindur se ky ekip është ekipi kombëtar i gjithë shqiptarëve. Neve nuk na nevojitet një kombëtare tjetër. Por realiteti është tjetër. Kosova është një shtet i ri dhe do të ketë përfaqësuesen e saj. Ne që kemi lindur në Kosovë ose që kemi prindër kosovarë, do të kemi një alternativë të re, por mendimi im për këtë çështje është se shqiptarët kanë nevojë për vetëm një kombëtare dhe do ta përcjell këtë politikë. Kur të vijë momenti i kësaj dileme, do të jetë e vështirë, por, për mendimin tim, shqiptarët dhe Shqipëria kanë vetëm një kombëtare dhe gjithmonë do të mbështes këtë çështje.

Lorik, pas Besnik Hasit, ju u bëtë shqiptari i dytë jashtë kufijve politikë të Shqipërisë që u përfshitë në përfaqësuesen shqiptare, ndonëse në projektin e ri të stadiumit Kosova nuk përfshihej në hartën prej nga projekti kishte marrë origjinën. A keni menduar që të bëni rolin e ndërmjetësit për 40 lojtarë shqiptarë nga Kosova dhe vendet e ish-Jugosllavisë, që ata të veshin një ditë fanellën e Shqipërisë?

Nevoja për lojtarë të rinj në kombëtare është jashtëzakonisht e madhe. Një njeri, nëse arrin njëfarë stadi në çdo fushë të jetës, qoftë në sport apo në politikë, këtë duhet ta ketë një detyrë dhe një rol shumë të rëndësishëm. Për shembull, ka qenë Igli Tare, ai që ka folur me Besnikun dhe Besniku e ka bërë këtë punë me mua. Besoj se është detyra jonë që ta vazhdojmë këtë detyrë. Duhet të jemi një, duhet të jemi të bashkuar, sepse bashkimi e bën fuqinë. Ne nuk e kemi luksin që lojtarët shqiptarë të largohen dhe të zgjedhin përfaqësuese të tjera. Përveç rolit që kemi në fushë, për të dhënë shpirtin në fushë, duhet të jemi edhe liderë jashtë fushës për të bashkuar të gjitha këto talente rreth kombëtares sonë.

Lorik, ju keni kaluar shumë peripeci. Ka ndonjë ndryshim mes Lorikut të fillimviteve 2000 dhe Lorikut të tanishëm?

Jo vetëm Loriku, por çdo njeri ndryshon me kalimin e kohës. Unë kam punuar me babain tim gjatë gjithë kohës për të arritur dhe për të qenë një futbollist profesionist. Me punë, me fat dhe me arritjen e rezultateve, kam arritur qëllimin tim. Me kohë kam kuptuar që mund të luaj një rol edhe më të madh se një futbollist i thjeshtë dhe mundohem të jap maksimumin në arritjen e gjërave më të mira për njerëzit e vendit tonë, sepse duhet të mendosh për familjen, por edhe për të tjerët, sepse presin shumë. Duke u angazhuar shumë në punën time, duke patur marrëdhënie të ndryshme me njerëz të ndryshëm në vende të ndryshme, njeriu formohet. Loriku është konfrontuar shumë herët me botën dhe si njeri jam pjekur shumë herët, shumë shpejt.

Te Gallatasaraji a e ndieni peshën e Prekazit, një ish-lojtar i njohur?

Jo, aspak. Me lojtarë të tjerë jemi munduar që të jemi ambasadorë të vendit tonë dhe t’u hapim dyert gjeneratave të reja të futbollistëve, që edhe të huajt ta kuptojnë që shqiptarët kanë talent, kanë futboll. Prekazi ka qenë para nesh dhe shumë pak veta e dinë që ai është shqiptar dhe ky është një problem. Ai ka qenë një lojtar-idhull, i respektuar dhe i admiruar në një klub gjigant. Të paktën sot e dinë që Loriku është shqiptar dhe ata që do vijnë pas meje tek ai klub do të do ta dinë që unë jam shqiptar (qesh).

Lorik, nuk po e quajmë premtim, sepse një premtim duhet mbajtur, por a keni shpresë tek ekipi kombëtar i këtij edicioni eliminator?

Nuk jam njeri që besoj në mrekulli. Është një këngë e vjetër qytetare e Gjakovës e cila thotë “gur, gur bëhet kalaja”. Sigurisht që ne shqiptarët kemi qejf t’i nisim punët nga kulmi e jo nga themelet. Por, aktualisht, jemi duke punuar me themelet e këtij ekipi kombëtar, me një gjeneratë të re pas largimit të shumë lojtarëve të mirë si Rraklli, Vata, Tare, Murati (të gjithë prezentë në 80 vjetorin e FSHF-së) e shumë të tjerëve, që të më falin, nëse nuk po i përmend. Është e vështirë që ta tejkalosh këtë situatë, nëse nuk ke një formacion apo lojtarë të tjerë që të presin mbrapa. Talente ka, dëshira është e madhe dhe unë thjesht mundohem që të jap maksimumin që të kemi një ditë një përfaqësuese që me të vërtetë pretendon për t’u kualifikuar.

A mendoni se kjo mund të nisë që tani nën drejtimin e Josip Kuzhes, duke menduar që ai do ta vijojë punë e tij?

Nuk është e pamundur, por është shumë e vështirë. Edhe pse fillimi ishte i kënaqshëm, nëse do të donim të arrinim kualifikimin duhej të kishim fituar me Bosnjën dhe të mos humbnim në Bjellorusi, por ndeshje ka mjaft. E rëndësishme është që ekipi të ruajë të njëjtin mentalitet, të njëjtën vijueshmëri dhe të kemi mbështetjen e të gjithëve dhe çdo lojtar të arrijë maksimumin në klubin ku luan. Gjithashtu, na duhet edhe fat. Nuk duhet të kemi dëmtime, dëmtimet na penalizojnë shumë.

Meqë jemi te dëmtimet, në ndeshjen e fundit kundër Bjellorusisë munguat ju dhe Bogdani, pa llogaritur Currin, që do të jetë shumë kohë larg fushave dhe trajnerin Kuzhe. Kaq mjaftoi që skuadra të shthurej tërësisht…

Shumë keq, kjo është diçka e keqe. Skuadra duhet të mësojë të përballojë mungesat. Me Bjellorusinë kishim shumë mungesa, duke nisur që nga Kuzhe, i cili është koka e skuadrës. Në Minsk ne nuk kishim kokën. Pastaj është Curri. Së bashku me Debatikun kemi krijuar një stabilitet në qendër të mbrojtjes, një ndër bazat e ekipit kombëtar, dhe në ndeshjen e fundit qendra mungonte e tëra. Erjoni dihet që është një nga figurat e ekipit tonë, i domosdoshëm. Kjo sjell boshllëk dhe duhet të na shërbejë si shembull që të mos ripërsërisim mungesat e kota dhe ne do të mundohemi të jemi më prezentë në fushë, sepse eliminatoret janë të gjata, por do të bëjmë maksimumin.

Skeda

Emri: Lorik Cana

Datëlindja: 27.04.1983

Vendlindja: Gjakovë

Klubi aktual: Gallatasaraji

Numri: 19

Ish-klube: PSG

Marsejë

Sandërlend

Kombëtarja

Debutimi: 2003, 19 vjeç

Ndeshje: 45

Gola: 1

Intervistë e huazuar

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *