Home / Sport / Europiani 2012, tjetër skandal korrupsioni në UEFA

Europiani 2012, tjetër skandal korrupsioni në UEFA

Deklarata e Spiros Marangos, ish-arkëtar i Federatës Qipriote, se vendimi për dhënien e të drejtës së organizimit të Europianit 2012, Polonisë dhe Ukrainës, ishte i korruptuar, ka shkaktuar një tërmet në selinë e UEFA-s.

Marangos këmbëngul se ka tre dëshmitarë, të cilët provojnë se janë paguar 9 milionë euro anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv që të votonin Ukrainën dhe Poloninë, përpara kandidaturës potenciale të Italisë.
“Në kasafortë kam provat e 3 dëshmitarëve. U paguan 9 milionë euro, tre prej të cilave ishin në një arush pellushi. Në atë kohë i shkruajta UEFA-s dhe Federatës Italiane”, ka thënë qiprioti. Sipas tij, janë pesë anëtarë të Komitetit Ekzekutiv që kanë marrë para. Por, nga e mori informacionin Marangos? Ai këmbëngul se pagesat janë bërë nga një firmë ligjore me qendër në Qipro.
Ndërkohë, ka qenë i menjëhershëm reagimi i Italisë. Presidenti i Federatës Xhankarlo Abete ka deklaruar se UEFA ka nisur një hetim dhe ekziston vullneti për të zbardhur gjithçka.
“Presidenti Mishel Platini po e ndjek me vëmendje këtë çështje dhe ne kemi besim të plotë se gjithçka do të sqarohet”, tha Abete. Ai ka bërë të ditur gjithashtu sesi anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, ishte i informuar mbi hetimin e nisur nga arkëtari qipriot. “Tani është e nevojshme që çështja të zgjidhet shpejt. Nëse nuk do të mund të provojë akuzat, është mirë që Marangos të vuajë pasojat ligjore për dyshimet që ka ngritur”, u shpreh presidenti i Federatës Italiane.
E ndërkohë, UEFA nuk ka pritur shumë, por ka bërë të ditur se do të hedhë në gjyq qipriotin Marangos, për akuza të pabaza. Ajo i ka kërkuar arkëtarit të sillte prova brenda ditës së mërkurë, por ka marrë vetëm një letër nga avokati i tij, ku thuhej se afati ishte shumë i shkurtër. Në rast se hetimi i nisur nga UEFA vërteton akuzat e qipriotit, nuk është çudi që e drejta e organizimit të ndryshojë, ndonëse shanset për këtë janë shumë afër zeros.

Sidoqoftë, akuzat e Marangos kanë ngritur hije të forta dyshimi mbi votimin e vendit organizator të Europianit 2012. Këto dyshime vijnë vetëm pak ditë pasi FIFA ka nisur një hetim për dy anëtarë të Komitetit të saj Ekzekutiv, të cilët akuzohen se kanë kërkuar para për votat e tyre, në vendimin për organizimin e Botërorit 2018.

Gjithashtu lexo

Ylli i Shkëndijës: Nuk kemi çfarë të humbasim ndaj Milanit

Ardian Cuculi ka thënë se Shkëndija do të tentojë të bëjë lojën e saj dhe …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *