Home / Sport / Reali, leksion Milanit, Murinjo ‘makthi’ kuqezi

Reali, leksion Milanit, Murinjo ‘makthi’ kuqezi

Reali i Madridit ka mposhtur pastër 2-0 Milanin në “Santiago Bernabeu”, duke i dhënë një leksion futbolli skuadrës së drejtuar nga Masimiliano Alegri.

Dy gola të shënuar që në fillim të ndeshjes nga Kristiano Ronaldo dhe Mesut Ozil u kanë mjaftuar spanjollëve për të marrë fitoren e tretë në grupin G dhe të sigurojnë praktikisht kualifikimin për në turin tjetër të Champions League. Ndeshja e mbrëmshme shihej si më e vështira, por në fakt rezultoi më e lehta për Realin, që mund të bënte çfarë të donte, sidomos në 15 minutat e para. Avantazhi i skuadrës së Murinjos ka ardhur në minutën e 13-të. Një goditje dënimi në hyrje të zonës shndërrohet në gol nga Kristiano Ronaldo, që përfiton edhe nga një çarje e murit italian. Pa kaluar as 60 sekonda, Mesut Ozil shënon sërish. Topi i futur në zonë nga Marselo goditet nga gjermani dhe devijohet nga Bonera, duke përfunduar në rrjetë. Milani më pas nis të reagojë, por nuk ka forcën dhe saktësinë para portës. Andrea Pirlo godet traversën pas një goditje dënimi, ndërsa Sedorf nuk arrin të shënojë i vetëm me Kasijas. Në fraksionin e dytë Reali ka qenë “Zot” i fushës, ndërsa rastet e italianëve kanë qenë me pikatore. Murinjo ndërkohë, tregoi edhe njëherë se është “makthi” i Milanit, të cilin e pati mundur 3 herë në kohën kur drejtonte Interin. Në takimin tjetër të këtij grupi, Ajaksi arriti të fitonte 2-1 ndaj Okserit. Ka qenë një 90 minutësh shumë emocionues ai i “Amsterdam Arenës”, ku secila skuadër mund të kishte fituar. Gjithsesi, eksperienca e holandezëve dhe klasi i tyre më i lartë kanë bërë diferencën në këtë sfidë.

Roma dhe Bajern
Grupi E i Ligës së Kampioneve është shndërruar në një thriller të vërtetë pas ndeshjeve të mbrëmshme. Bajerni ka fituar dhe ka marrë fitoren e tretë, ndërkohë që Roma është mundur 1-3 nga Bazeli në fushën e saj. Në “Olimpiko” është luajtur edhe ndeshja më e bukur e mbrëmjes. Verdhekuqtë e Ranierit janë gjendur shumë shpejt në disavantazh nga Frei, por barazuan me anë të Borrielos. Gjithsesi, Inkom kaloi zvicerianët në avantazh në fundin e pjesës së parë. Në të dytën rastet e italianëve kanë qenë të pafundme, ndërsa Tadei goditi edhe shtyllën. Topi dukej sikur nuk donte të hynte, ndërkohë që në fund Kabral realizoi edhe golin e tretë për miqtë. Pas kësaj sfide, Roma, Kluzhi dhe Bazeli kanë nga 3 pikë, ndërsa Bajerni është kualifikuar me 9 pikë.

Arsenal e Braga
Në grupin H, Arsenali ka marrë fitoren e tretë në kaq ndeshje, duke mposhtur thellësisht 5-1 Shaktjorin e Donjeckut. Skuadra e Arsen Venger konfirmohet si një makineri golash në këtë start të Champions League, pasi vetëm në 3 ndeshjet e para ka shënuar 14 gola dhe kanë pësuar vetëm 2. I rëndësishëm edhe rikthimi i Fabregas, që realizoi golin e tretë me penallti. Ndërkohë, mbrëmë ka ardhur edhe fitorja e parë në Ligën e Kampioneve për Bragën, që ka mposhtur 2-0 Partizanin e Beogradit. Lima e Mateus shënuan për nënkampionët e Portugalisë.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *