Home / Sport / SHKËNDIJA ËSHTË ‘PJEKUR’ PËR TITULL

SHKËNDIJA ËSHTË ‘PJEKUR’ PËR TITULL

Një fjalë e urtë thotë “Bashkimi bën fuqinë”, dhe nëse kjo implementohet në institucionin ‘Shkëndijë’, sigurisht që verën e ardhshme Evropa do të ‘njoftohet’ me një skuadër të re, Shkëndijën.

Nga pasdita e të dielës, në Tetovë egziston vetëm një temë bisede: “ Shkëndija lidere e tabelës”. E formuar në vitin 1979 nga entuziastë tetovarë, duke patur në historinë e saj një ecuri me shumë ngritje dhe rënie, e dëmtuar shumë herë nga strukturat udhëheqëse të futbollit të Maqedonisë, por gjithnjë duke treguar një forcë të paparë për tu rrikthyer edhe më e fortë pas çdo rënie. Kështu ndodhi edhe në rastin e fundit. Një Shkëndijë e fortë që arriti të luajë në finalen e Kupës së Maqedonisë, ku fatkeqësisht pësoi disfatë dhe filloi rënien graduale drejt Ligës së Dytë, tani rrikthehet fuqishëm, duke shkëlqyer si një “shkëndijë” e vërtetë. E gjetur në Ligë të Dytë në situatë jo aq të lakmueshme, kryesia aktuale mori skuadrën me shumë entuziazëm, duke premtuar që në fillim një Shkëndijë Europiane, një Shkëndijë që do të dominojë futbollin e Maqedonisë dhe një Shkëndijë që do të kënaq tifozët e saj të shumtë që janë pjesë e pandarë e klubit, gjatë gjithë historisë. Dhe ajo dalëngadalë është duke ardhur, edhe pse është herët për të folur, megjithatë premtimet janë duke u plotësuar, megjithse ndodhin edhe lëshime. Kjo kryesi që në vitin e parë të udhëheqjes nuk arriti ta drejtojë Shkëndijën në Ligën e Parë, u kritikua shumë, por ata në vend që të dëshprohen, vazhduan të punojnë me elan edhe më të madh, duke drejtuar skuadrën drejt titullit të kampionit në Ligën e Dytë. Por sukseset nuk u ndalën këtu, pasi verën e kaluar u krijua ekip me të cilin paralajmërohej kreu i tabelës. Klubi zhvilloi përgatitje cilësore në Austri, ku luajti ndeshje kontrolluese kundër skuadrave të forta rumune, dhe ky ishte paralajmërim se skuadra është e gatshme për në kampionat. Shkëndija nisi me barazim dhe humbje, por më pas erdhi loja që kënaqi tifozët e saj, ndërsa ndalëngadalë filloi të ndjell frikë kundërshtarëve. Shkëndija e përcjellur me lojë të bukur dhe sulmuese shkatëroi me 3:0 Rabotnickin, Sileksin dhe Horizontin, ndërsa fitoi jashtë 2:0 Vardarin, pasi paraprakisht kishte barazuar si mysafir me Metalurgun dhe humbi si ‘vizitorë’ prej Renovës. Dhe në fund erdhi fitorja ndaj Skopjes që e nxori ekipin në pozitën parë, duke sjellur kënaqësi të paparë në mesin e tifozëve të kësaj skuadre, të cilët tani më kanë edhe një ëndër, “Shkëndija kampione e Maqedonisë”. Mesazhin e kanë kuptuar të gjithë kundërshtarët, e gjithë Maqedonia, por edhe kryesia. Padyshim se futbollistët dhe stafi teknik janë ata të cilët sjellin këto rezultate, por janë drejtuesit e klubit ata të cilët krijuan këtë ekip, dhe padyshim se meritat shkojnë edhe në adresë të tyre. Situata stabile finansiare dhe administrimi i drejtë i punëve në këtë drejtim, sigurisht që është një faktor i rëndësishëm në udhëtimin e Shkëndijës drejt kreut të tabelës, dhe për momentin kryesia është duke bërë më të mirën, edhe pse cdo herë ka hapsirë për përmirësime. Por duke parë ecurinë e klubit në këtë sezon dhe mbështetjen e tifozëve, është momenti që tani të bëhet një strategji e mirëfilltë, për mos lejuar të humbet kreu. Pozita e parë u arrit, por ajo duhet të mbrohet dhe në këtë drejtim sigurisht do të ketë shumë pengesa të natyrave të ndryshme dhe për këtë qëllim duhet të gjithë t’i bashkojnë forcat. Drejtuesit e klubit duhet të përkrahen maksimalisht edhe pse ndonjëherë ndodhin gabime të padëshiruara, por të gjithë duhet të jenë të bindur në faktin se ata bëjnë më të mirën që munden për të përparuar Shkëndija. Tifozët duhet të jenë të kujdesshëm ndaj provokimeve, ashtu sic bënë ndaj Vardarit, dhe në fund morën rezultatin që deshtën. Futbollistët duhet të përkrahen pa marrë parasysh edhe ndonjë dështim eventual, ashtu sic bënë pas disfatës nga Renova, kur ata duartrokitje kishin vlerë të madhe, pasi pikërisht pas asaj ndeshje, Shkëndija ka rradhitur tre fitore të njëpasnjëshme pa gol të pranuar. Një fjalë e urtë thotë “Bashkimi bën fuqinë”, dhe nëse kjo implementohet në institucionin ‘Shkëndijë’, sigurisht që verën e ardhshme Evropa do të ‘njoftohet’ me një skuadër të re, Shkëndijën.

Faton ZYLBEHARI

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *