Home / Sport / Shqipëria barazon me Bosnjën, mbetet e para në grup

Shqipëria barazon me Bosnjën, mbetet e para në grup

Përfaqësuesja kuqezi arriti të dalë me një pikë nga përballja me Bosnjë-Hercegovinën në “Qemal Stafa”, duke ruajtur kreun e grupit D në kuotën e pesë pikëve.

Megjithëse pa trajnerin Kuzhe, Shqipëria bëri një paraqitje dinjitoze para tifozëve që si rrallëherë kishin mbushur stadiumin. Fillimi i lojës ishte i balancuar, me të dy ekipet që synonin më tepër të mos pësonin. Barazimi i bardhë zgjati vetëm 21 minuta, pasi boshnjakët gjetën golin me sulmuesin Ibiseviç.

Gjithçka erdhi si pasojë e mungesës së Ansi Agollit në të majtë të mbrojtjes. Ky i fundit gjendej jashtë vijave për të marrë ndihmën mjekësore pas një dëmtimi në gju. Krosimi nga e djathta e sulmit mik gjeti në zonë Ibiseviçin, i cili me të parën e dërgoi topin në rrjetë.

Kuqezinjtë përpiqen të shtyjnë përpara dhe rrezikojnë të shënojnë me anë të Salihit. Por gjuajtja nga jashtë zone e sulmuesit shkodran u ndal nga tranversa e më pas përfundoi jashtë. Kur mendohej se 45 minutat e para do të përfundonin me epërsinë e boshnjakëve, në të fundit aksion vjen barazimi për kuqezinjtë.

Prekja e qëllimshme e topit me dorë nga njëri prej mbrojtësve miq sjell një goditje dënimi në kufijtë e zonës mike. Ekzekutimin e merr përsipër Klodian Duro, që me një gjuajtje mjeshtërore mposht portierin mik.

Fillimi i pjesës së dytë ishte më i mirë për Shqipërinë, por pa arritur të finalizojë. Kurse fundi i takimit u takon miqve, të cilët sulmojnë por nuk arrijnë të gjejnë rrugën e fitores. Kjo edhe për meritë të mbrojtjes kuqezi, e sidomos të Lorik Canës. Mesfushori (që mbajti shiritin e kapitenit) ishte më i miri për tanët, duke u bërë një mur i pakalueshëm për kundërshtarin.

Gëzojnë të gjithë: kombëtarja vazhdon të mbetet e pamposhtur prej tetë ndeshjesh radhazi. Pas tre sfidave të para në grup, përfaqësuesja kuqezi mban kreun me pesë pikë, po aq sa Bjellorusia që nuk shkoi më tepër se barazimi pa gola në transfertën e Luksemburgut. Sonte do të luhet përballja mes Francës dhe Rumanisë, të dyja pretendente për t’u kualifikuar. Ndërkohë, takimi i radhës për skuadrën shqiptare është të martën në Bjellorusi.

Gjithashtu lexo

Osmani: Bëmë gabime në mbrojtje, do të ndryshojmë në lojën e ardhshme

Trajneri i Shkëndijës së Tetovës, Qatip Osmani nuk e ka përjetuar mirë humbjen nga Milani. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *