Home / Sport / Shqipëria gati për sfidën me Bjellorusinë

Shqipëria gati për sfidën me Bjellorusinë

Futbollistët e përfaqësueses shqiptare kanë besim se do të dalin të pamposhtur nga transferta e Minskut, megjithë mungesat e rëndësishme.

Kombëtarja shqiptare ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore në stadiumin Dinamo të Minskut, ku sot do të përballet me Bjellorusinë. Ndeshja e katërt në grupin D e gjen Shqipërinë në një situatë aspak komode, për shkak të mungesave të shumta, si Cana, Bogdani apo Curri. Në mbrojtje, ndihmësi i Kuzhesë, Mustedanagiç, do të vendosë njërin mes Telit dhe Beqirit, por shkodrani duket i avantazhuar.
Kjo është pjesa më delikate e formacionit, ndërkohë që në sulm, Erjon Bogdani nuk do të zëvendësohet me askënd. Pritet që Shqipëria ta nisë me një sulmues të vetëm, Hamdi Salihin, i cili do të ndihmohet nga Ervin Skela. Ndërkohë, në mesfushë do të luajnë gjithashtu Bulku, Lila, Agolli dhe Muzaka. Ndërkohë në kampin kundërshtar trajneri gjerman i Bjellorusisë, Bernd Shtange është shprehur i sigurt në fitoren e skuadrës së tij. “Synimi im është të kualifikohem në Europian”, ka deklaruar Shtange. Bjellorusia nuk do të ketë të gatshëm sulmuesit Sergei Kornilenko dhe Vitali Kutuzov, ndërkohë që në dyshim është edhe Aleksandër Hleb.
Përballja mes Bjellorusisë dhe Shqipërisë është vendimtare për fatet e dy skuadrave në grupin D. Nga kjo sfidë direkte do të vendoset shumë përsa i përket vazos së katërt, ndërkohë që aktualisht, të dy ekipet kanë nga 5 pikë. Bjellorusët vijnë në këtë takim pas barazimit zhgënjyes 0-0 ndaj Luksemburgut, ndërsa Shqipëria barazoi 1-1 me Bosnje-Hercegovinën. Takimi në Minsk do të luhet në temperatura rreth zero gradë dhe do të drejtohet nga arbitri danez Peter Rasmusen.

Gjithashtu lexo

Shikoni çfarë ka bërë Barcelona pas sulmit terrorist (FOTO)

Klubi i Barcelonës ka reaguar pas sulmit terrorist në Barcelonë. Katalunasit e kanë bërë një …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *