Home / Sport / Shqipëria shumë e dobët për Bjellorusinë

Shqipëria shumë e dobët për Bjellorusinë

Shqipëria është mposhtur me rezultatin e pastër 2-0 nga Bjellorusia në kryeqytetin Minsk, duke regjistruar të parën humbje në këto eliminatore.

Më tepër se me rezultatin, kuqezinjtë kanë zhgënjyer me lojën e dobët duke u dominuar nga fillimi në fund prej vendasve. Veçanërisht pjesa e parë ishte plotësisht për t’u harruar: mbrojtje e pasigurt, mesfushë e dobët, veprime të ngathëta sulmuese që nuk e vunë asnjëherë në vështirësi portierin vendas.

Skuadra e drejtuar nga Mustedanagiç e gjen veten poshtë që në minutën e nëntë, ku nga një përgjumje e mbrojtjes, përfiton Rodionov. Një gjuajtje nga jashtë zone grushtohet nga Beqaj, e më pas sulmuesi bjellorus nuk e ka aspak të vështirë të dërgojë topin në rrjetë me portën bosh.

Reagimi i tanëve është shumë i dobët, madje rrezikojnë të ndëshkohen për së dyti në minutën e 32-të. Një gabim i Arjan Beqajt në kufijtë e zonës i jep mundësi autorit të golit Rodionov të gjuajë. Por megjithë portën e boshatisur, topi i goditur nga sulmuesi ndalet nga tranversa e më pas përfundon jashtë.

Pjesa e dytë fillon disi më ndryshe për përfaqësuesen kuqezi, që futet me mendjen për të parë më tepër drejt portës kundërshtare. Por aksionet nuk kanë qartësinë e duhur dhe thyhen fare lehtë nga mbrojtja bjelloruse. Madje vendasit kishin rastet më të pastra për të dyfishuar. Goli i dytë për skuadrën e gjermanit Bernd Stange erdhi 13 minuta nga findi.

Një gabim i Ervin Skelës nga e majta zë në befasi mbrojtjen shqiptare, e cila nuk arrin të ndalë një kros të vendasve. Krivets i sapofutur në lojë dërgon me kokë topin në rrjetë mbyll përfundimisht llogaritë për këtë 90-minutësh. Sikur të mos mjaftonte kjo, në minutën e parë shtesë, Armend Dallku merr kartonin e dytë të verdhë, duke e futur emrin në listën e mungesave për përballjen e radhës po ndaj Bjellorusëve në maj të vitit tjetër në “Qemal Stafa”.

Pas katër ndeshjeve të para në grupin D, Bjellorusia ngjitet në kuotën e tetë pikëve, tre më tepër se Shqipëria. Franca është e para me nëntë, ndërkohë që më pas renditen Bosnjë-Hercegovina me katër e Rumania me dy pikë.

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *