Home / Sport / Sukseset e Shkëndijës i pengojnë Maqedonisë?

Sukseset e Shkëndijës i pengojnë Maqedonisë?

Vazhdojnë paqartësitë rreth zhvillimit të derbit të Tetovës mes Teteksit dhe Shkëndijës.

Ajo që duhej të jetë festë futbolli është shëndruar në turp që ka filluar t’i ngjajë një telenovele meksikane. Federata e Futbollit të Maqedonisë bën gafën e rradhës dhe pa kurfarë arsye shkakton paqartësi rreth zhvillimit të përballjes mes Teteksit dhe Shkëndijës dhe për më shumë kjo nuk është hera e parë që ndodh një gjë e tillë. Duke analizuar deklaratat nga të gjitha taboret, në vend që të gjendet zgjidhje, situata komplikohet më shumë. Kjo nga fakti se Ministria e Punëve të Brendshme sektori Tetovë bind se ata janë të gatshëm për të garantuar sigurinë në ndeshjen në fjalë, ndërsa FFM-ja të njëjtën e anulon për shkaqe sigurie. Nga skuadra e Teteksit insistojnë se duan të luajnë vetëm në Tetovë dhe se janë të gatshëm të organizojnë takimin, ndërsa Shkëndija si duket pyetet më pak edhe pse realisht është pala që dëmtohet më shumë, nga se janë në formë të mirë dhe para zhvillimit të ndeshjeve tjera të javës së 12-të, ‘kuq e zinjtë’ ishin lider të tabelës.

Duke analizuar atë që thonë përfaqësusit e skuadrave, mbetet i paqartë cila është arsyeja e vërtetë për shtyrjen dhe zgjatjen e caktimit të treminit të ri të derbit të Tetovës? Nuk është për tu besuar nëse me të vërtetë policia nuk ka kapacitet të garantojë sigurinë në një ndeshje futbolli, ndërsa mbetet e paqartë arsyeja e vërtetë për gjithë këtë që ndodh dhe e vetmja që mund t’i shkojë ndër mend cdo njeriu normal është se dikujt i pengojnë sukseset e Shkëndijës, e cila këtë vit synon titullin e kampionit. Tani nëse këtu përzihet edhe politika atëherë është e qartë se këtij shteti ndoshta që tani ka filluar t’i ndërtohet kompleksi se në Europë do të përfaqësohen nga një skuadër shqiptare dhe lojërat që luhen me shtyrjen e ndeshjes me Teteksin, ndoshta janë vetëm fillimi pengesave që deri në fund të sezonit do t’i përjetojë skuadra tetovare. Por paralajmërojmë se të gjithë, posacërisht në FFM dhe qeveri të Maqedonisë duhet të kenë kujdes të madh në atë cka bëjnë, pasi FIFA dhe UEFA reptësisht ndalojnë përzierjen e politikës në sport dhe dënimet në raste të tilla janë rigoroze. Ku do në botë sporti bashkon njerëzit dhe popujt e ndryshëm, ndërsa këtu te ne nga arsye të panjohura tentohet t’i jepet një imazh negativ. Futbolli luhet për shikues, ndërsa në Maqedoni pasi sollën futbollin në gjendje që të ndiqet vetëm nga personat zyrtarë të klubeve, tani ndoshta u duket jo-normale që Shkëndija tubon mesatarisht nga 5 000 shikues në takimet e saj. Nëse kjo s’është e vërtetë, atëherë si mund të të arsyetohet ndryshe fakti që anulohet pa arsye ndeshja që pritej të thyejë rekodin e shikueshmërisë në një përballje të Ligës së Parë në Maqedoni?

Këtu një kritikë të madhe për partitë politike shqiptare të cilat në asnjë moment nuk u inkuadruan në problemin e skuadrës që është krenaria e shqiptarëve në Maqedoni. Po a nuk janë partitë politike ata të cilat populli i zgjedh për të mbrojtur interesat e tyre para shtetit? Po Shkëndija e kujt është? Të kujt janë ata 5 000 shikues (e shkruajmë këtë shifër edhe pse kohëve të fundit shkon gjithnjë duke u rritur) që vazhdimisht gjenden aty ku është Shkëndija? Si mund që me qetësi de indeferencë aq të madhe të qëndrohet anësh, derisa dikush me mish e me shprit tenton të shkatërojë ndërtimin e një Shkëndije Europiane? Deri sa palës tjetër i pengon që ndoshta do të vijë dita që në një ndeshje ndërkombëtare Maqedoninë do ta prezentojnë ‘kuq e zinjtë’ e Shkëndijës, skuadra e vetme që ka mundësi të mbushë stadiumin “Filipi i Dytë” në maksimumin e kapacitetit, politikanët tanë po heshtin. Shtetit ndoshta i pengon dhe sigurisht që është ashtu, që do të vijë dita kur Maqedonia do të ketë një përfaqësues në Europë, që do të bëjë këtë vend të ketë rastin të krijojë një ndeshje futbolli ashtu si u ngjan skuadrave europiane, mirëpo ndoshta shteti mendon edhe për atë se sa flamuj kombëtar shqiptar do të valëviteshin në triubuna? Kjo nuk do të ishte mirë për Maqedoninë para instacave ndërkobëtare, pasi të gjithë do të pyeteshin nëse ndeshja zhvillohet në Maqedoni apo Shqipëri? Dhe në fakt patjetër të pranojmë se për palën tjetër e gjithë kjo është ndoshta për të të penguar, por përsëri duhet të kujtojmë se flasim për sport, apo jo? Dhe në sport vend për politikë nuk ka. Gjithcka mund të sqarohet shumë lehtë: “Jemi shqiptarë dhe patjetër se e duam flamurin kombëtar të Shqipërisë, mbase nuk jemi ne fjatorë që jemi pjesë e këtij shteti, por të gjithë e dinë përkatësinë tonë kombëtare”. Nëse dikujt do t’i pengonte një stadium i mbushur me flamuj kombëtar shqipëtar, të njëjtit le të analizonin përkatësinë kombëtare të publikut dhe le të pyesin veten se cka do të duhej të bëjnë, mos ndoshta të valëvitim flamurin e Maqedonisë vetëm për hir të asaj se jemi pjesë e këtij shteti? Po a nuk është ky shtet demokratik dhe përdorimi i flamurit shqiptar lejohet me ligj? Atëherë pse të egzistojë komleks për shfaqjen e tij, apo mos vallë druhet se Europa do të mësonte ndikimin e shqiptarëve në Maqedoni? Ndoshta një ndeshje e Shkëndijës në Europë do të ishte një tregues më i realtë i përqindjes së shqiptarëve në Maqedoni dhe politikanët le të tentojnë të mbrojnë këtë rrugë baraz me debatet rreth vendimit për periudhën kur duhet të bëhet regjistrimi i popullatës në Maqedoni. Dhe sigurisht që një ndeshje futbolli është rast ideal për një gjë të tillë, posacërisht kur do të binte në sy numri i madh i shikuesëve, kur dihet se më parë përfaqësuesit e Maqedonisë në garat ndërkombëtare në ndeshjet e tyre nuk mund të tubojnë mbi 2 000 shikues. Gjithë këto që i thamë më lartë ndoshta arsyetojnë anulimin e takimit Teteksi-Shkëndija, por një asnjë mënyrë arsyetimet se Ministria e Punëve të Brendshme nuk garanton siguri.

Nuk është për tu besuar nëse me të vërtetë policia nuk ka kapacitet të garantojë sigurinë në një ndeshje futbolli, pasi nëse në të vërtetë kjo është e saktë, atëherë Maqedonia seriozisht duhet të brengoset për kufijtë se saj.

Faton ZYLBEHARI

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *