Home / Lajme / Maqedoni / Akuza dhe kundërakuza ndërmjet Abdylit dhe Qeverisë

Akuza dhe kundërakuza ndërmjet Abdylit dhe Qeverisë

23 nëntor-
Abdyli është shprehur i indinjuar për gjendjen në të cilën ndodhet Instituti, duke njoftuar se i njëjti ende nuk e ka të rregulluar qëndrimin e tij në objektin e ish-ambasadës amerikane, sepse për këtë ende nuk kanë vendim.

Drejtori i Institutit për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve (Pjetër Bogdani), Ramiz Abdyli, ka akuzuar Qeverinë dhe zv/kryeministrin për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Abdylaqim Ademi, se kanë anashkaluar këtë institucion të lartë shkencor me rastin e shënimit të përvjetorit të Kongresit të Manastirit.

Sipas tij, Instituti ka qenë ai që është dashur t’i bartë këto zhvillime dhe jo kjo detyrë t’u lihet shoqatave joqeveritare, respektivisht Shoqatës së Historianëve Shqiptarë të Maqedonisë (SHHSHM), të cilën, siç ka thënë Abdyli, po e favorizojnë zv/kryeministri Ademi dhe partia e tij.

Abdyli është shprehur i indinjuar për gjendjen në të cilën ndodhet Instituti, duke njoftuar se i njëjti ende nuk e ka të rregulluar qëndrimin e tij në objektin e ish-ambasadës amerikane, sepse për këtë ende nuk kanë vendim.

“Qeveria po na anashkalon, jemi në një lloj opozite konsideroj…unë e flas të vërtetën, ne jemi një institut i cili vetëm figurojmë, them figurojmë, dhe shumë pak, jashtëzakonisht pak investohet. Shumë pak pranohen njerëz, në krahasim me institutet tjera ku pranohen çdo ditë, ndërsa neve na thonë ‘jo’. Ne nuk kemi vend, nuk kemi vendim për të qëndruar këtu. Abdylaqim Ademi nuk komunikon fare në telefon me mua. Unë jam doktor i shkencave, i kam 17 libra, unë nuk jam prej atyre sahanlëpirësve që t’i përkulem atij, askujt s’e kam ndërmend”, ka thënë Abdyli në një prononcim për portalin “Zhurnal”, pas takimit me Ambasadorin amerikan, Filip Riker.

Ndryshe, ditë më parë, në Manastir nën patronazhin e SHHSHM-së, janë organizuar disa aktivitete për shënimin e festës së Alfabetit shqip, të përkrahur nga Sekretariati për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Komunës së Çairit dhe disa komunave të tjera.

Instituti ‘Pjetër Bogdani” u themelua në vitin 2007, gjatë qeverisjes së VMRO-së dhe PDSH-së, me seli në Kurshumli An, në Çarshinë e Vjetër të Shkupit.

Pas ndërrimit të Qeverisë, drejtoresha e Institutit, Mirushe Hoxha, u shkarkua nga posti i saj, ndërsa në këtë vend u caktua profesor Ramiz Abdyli.

Me një vendim të Qeverisë, Instituti më pas është zhvendosur në objektin e ish ambasadës amerikane.

Ndërkohë, ndaj akuzave të drejtorit të Institutit për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve, Ramiz Abdyli, kanë reaguar nga Kabineti i zv/kryeministrit për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Abdylaqim Ademi.

Zyrtarë nga ky institucion i kanë hedhur poshtë akuzat e drejtorit Abdyli, duke e akuzuar atë për keq menaxhim të Institutit që drejton.

“Ne nuk kemi faj që drejtori nuk di të menaxhojë me mjetet. Me ardhjen tonë, janë zhbllokuar xhirollogaritë, janë punësuar njerëz, tash pritet konkursi tjetër. Zv/kryeministri dhe Qeveria i ka mundësuar kushtet që të punojë, por ai nuk ka ditur ta bëjë këtë. Nuk di të planifikojë me mjetet, t’i parasheh ato, këtu është i tërë problemi”, kanë thënë nga Kabineti i Ademit.

I njëjti zyrtar ka përgënjeshtruar se Qeveria po favorizon Shoqatën e Historianëve Shqiptar të Maqedonisë (SHHSHM), duke i besuar asaj detyrën për organizimin e përvjetorit të Kongresit të Manastirit.

“Nuk është e vërtetë. Drejtori Abdyli nuk e ka parashikuar në punën e tij organizimin e aktiviteteve për përvjetorin e Kongresit të Manastirit”, shprehen nga Kabineti i zv/kryeministrit.
/ Zhurnal /

Gjithashtu lexo

Vetëndizet vetura e mërgimtarit – (VIDEO)

Të shtunën mbrëma në dalje të fshati Zherovjan për në fshatin Radiovcë, është vetë-ndezur në …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *