Home / Sport / Barça “jashtëtokësore” poshtëron Realin e Mourinjos: 5-0

Barça “jashtëtokësore” poshtëron Realin e Mourinjos: 5-0

SuperBarcelona i shënoi pesë gola Realit të Madridit në “El Classico”-n e shumëpritur: Hoze Mourinjo del kokulur, pasi merr një leksion futbolli nga rivalët e përjetshëm.

Barcelona konfirmohet padrone e padiskutueshme e La Ligës: me sytë e tërë botës kthyer nga “Kamp Nou”, katalanasit i japin Hoze Mourinjos një mësim të mirë, duke i shkaktuar njëkohësisht të parën humbje që kur portugezi mori drejtimin e Realit. Talent i pastër në fushë, lojë spektakolare, ritëm i papërballueshëm nga kundërshtari dhe sulm i pandalshëm: kjo ishte “receta speciale” që Pep Guardiola i kishte përgatitur kolegut portugez për t’i uruar sërish mirëseardhjen në “Kamp Nou”.

Nën shenjën e golit shkojnë Ksavi e Pedro në pjesën e parë, mandej dy herë Vila dhe i riu Xhefren në të dytën. Kristiano Ronaldo është i vetmi nga të tijtë që përpiqet të bëjë diçka, por është shumë pak. Ozil është një fantazmë që rri në fushë vetëm 45 minuta, Benzema (titullar në vend të Higuainit të dëmtuar) e imiton, Di Maria xhiron më bosh: mesfusha madrilene pushtohet nga ajo katalanase. Kësaj i shtohet edhe paraqitja më e dobët e asaj që, para kësaj sfide, ishte mbrojtja më e fortë e kampionatit. Ja ku vjen e para humbje për formacionin e Hoze Mourinjos, një disfatë e tmerrshme nga e cila vështirë ta marrësh veten.

Megjithë shiun që nuk pushoi për asnjë çast, spektakli fillon menjëherë. Meritë vetëm e Barcelonës, me tre sulmuesit që shkëmbejnë vazhdimisht pozicionet duke çoroditur mbrojtjen e Realit. Nga pas vjen dyshja Ksavi-Iniesta në formën e Botërorit. Mesi hap llogarinë e rasteve para portës së Kasiljasit që në minutën e pestë, kur stampon topin në shtyllë. Por goli nuk ishte larg: vetëm pesë minuta. Iniesta shpik një asist përrallor për ta nxjerrë Ksavin të vetëm para Kasiljasit, Marselo rrëshqet në ndërhyrje e sipër, ndërkohë që mesfushori spanjoll kontrollon topin dhe e kalon mbi portier: 1-0, “Kamp Nou” në festë. Reagimi i skuadrës nga kryeqyteti kalon në këmbët e Ronaldos, që në të 14-tën nis bukur Benzemanë. Por francezi bllokohet në momentin e fundit nga Abidal. Fill pas kësaj, Barcelona godet sërish: David Vila fut një top nga e majta, devijimi i Serxho Ramosit e bën të pavlefshme daljen e Kasiljasit dhe Pedro, një hap larg vijës, e ka lojë fëmijësh ta shtyjë topin në rrjetë.

Barça tërhiqet disi nga fundi i pjesës së parë, por përherë e gatshme për të zbritur në kundërsulm. Reali përpiqet të riorganizohet, por e shumta mund të mbështetet te një Ronaldo nervoz (që merr një të verdhë pasi shtyn Pep Guardiolën), pasi të tjerët bëjnë rolin e spektatorit. Ndërkaq, Mesi përpiqet të përfitojë nga një kontakt i sajuar me Karvalhon, por e pëson duke u ndëshkuar me karton të verdhë.

Mourinjo e nis pjesën e dytë me Diarranë në vend të fantazmës së Ozilit, për të shtuar presionin mbi Ksavin. Por lëvizja s’bën punë, pasi Barcelona e nis sërish me këmbën në gaz. Vila e Ksavi falin Kasiljasin në shtatë minutat e para, por mbrojtja madrilene “fut ujë” dhe katalanasit nuk e kanë të vështirë të gjenden para portës së Iker Kasiljasit. Në të 55-tën, Mesi liron Vilën në kufijtë e pozicionit jashtë loje dhe ish-bomberi i Valencias firmos golin e 3-0. Reali përfundimisht në “tapet”, por goditja e radhës nuk vonon as tri minuta: Mesi nga mesfusha hap një top fantastik për Vilën në kundërsulm, që dël sërish para Kasiljasit duke e ndëshkuar me të djathtën. Për numrin 7 blaugrana është i teti gol në kampionat, për Realin një goditje nga e cila nuk e merr më veten.

Ndërkaq, Barça s’ka aspak ndërmend të ndalet, përkundrazi. Bojan (i futur në vend të Vilës) rrezikon dy herë radhazi, derisa në të parën e tri minutave shtesë, Xhefren vulos përfundimisht turpin e Realit pas asistit të përkryer të Bojanit. Përgjegjësi për këtë gol, Ramos, del jashtë kontrollit: në të dytën e shtesës i shkakton Mesit një faull të shëmtuar, që i kushton kartonin e kuq. Pastaj rezervon nga një shuplakë për Pujolin dhe Ksavin. Vërshëllima e fundit e gjyqtarit Iturralde Gonzalez i jep fund “makthit” madrilen, duke e lënë Realin përveçse të turpëruar, edhe me pjesët e humbura rrugës. Përveç Ramosit, kartonët e verdhë të Pepes dhe Karvaljos e lënë Mourinjon gati pa mbrojtje për sfidën e së shtunës me Valencian. Në një ndeshje të vetme, “galaktikën” humbën fytyrën, pathyeshmërinë e ndeshjeve jashtë fushe që zgjaste që prej 16 janarit dhe vendin e parë në kampionat. Por kundër kësaj Barcelona s’mund të bënte asgjë.

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *