Home / Sport / Barcelona pret Murinjon, ‘armikun’ e ri të tifozëve

Barcelona pret Murinjon, ‘armikun’ e ri të tifozëve

Të hënën në mbrëmje në “Kamp Nou” do të zbresin Barcelona dhe Reali i Madridit, në përballjen që tashmë e njohin të gjithë me emrin “Klasikja” (El Classico).

Mbeten edhe tre ditë nga ajo që konsiderohet si një nga ndeshjet më të forta të këtij viti. Të hënën në mbrëmje në “Kamp Nou” do të zbresin Barcelona dhe Reali i Madridit, në përballjen që tashmë e njohin të gjithë me emrin “Klasikja” (El Classico). Bëhet fjalë për një sfidë mes dy skuadrave më të mira në Evropë për momentin, ndërkohë që atmosfera bëhet akoma më e nxehtë nga rikthimi i radhës i Zhoze Murinjos në “Kam Nou”, pas atyre me Çelsin dhe Interin. “Unë jam një person non-grata në Kamp Nou, – ka thënë Murinjo pak ditë më parë. – Tifozët e Barcelonës nuk do të ma falin kurrë që u hoqa mundësinë për të fituar Champions League në Bernabeu”. E në fakt, ndryshe nga herët e tjera, në prag të “Klasikes” së këtij viti, nuk flitet aq shumë për duelin mes Ronaldos dhe Mesit apo për stilet e të dy skuadrave. Është pikërisht Zhoze Murinjo emri më i lakuar në shtypin madrilen dhe atë katalanas. “Harrojeni Murinjon”, ishte titulli i gazetave të Katalonjës ditën e djeshme, duke ftuar Guardiolën të mos merret aq shumë me teknikun kundërshtar, sesa me skuadrën që duhet të hedhë në fushën e lojës. Të martën, në Athinë, në prag të ndeshjes me Panathinaikos, Guardiola nuk përmendi as Realin e Madridit në konferencën për shtyp, e jo më Zhoze Murinjon. Në fakt, ka qenë një urdhër i presidentit Sandro Rosell për të injoruar portugezin. “U kërkoj tifozëve ta injorojnë Murinjon, duhet të bëjmë tifozllëk për Barçën me respekt dhe edukatë”, ka thënë ai. Por, do të jetë e vështirë që “Kamp Nou” t’i rezistojë dëshirës për të sharë portugezin. Mediat shkruajnë se emri i mamasë së Murinjos, i përshtashëm edhe për atë të Ronaldos, do të jetë në qendër të koreve katalanase. Ndërkohë, edhe dje Murinjo nuk ka qëndruar i qetë. “Guardiola? Është i zoti, por ende nuk ka fituar Champions League”, ishte provokimi i tij i radhës.
Sfidë spektakli
Pavarësisht urrejtjes ndaj Murinjos, sfida e së hënës mes Barcelonës dhe Realit mbart në vetvete një përballje spektakli dhe yjesh. Në fushë do të jenë disa nga futbollistët më të mirë të planetit, ndërsa do të rikthehet sërish dueli mes Lionel Mesit dhe Kristiano Ronaldos, dy më të mirët e momentit. Përveçse janë liderët e Barçës dhe Realit, ata janë në luftë edhe për trofeun e golshënuesit, apo siç njihet në Spanjë “pichichi”. Mesi është duke shënuar rregullisht, por nuk flet për Klasiken, ndërsa Ronaldo është supersticioz: “Do ta shohim të hënën!”. Këto fjalë janë shkruar me të madhe në faqet e para të “Marca” dhe “AS”, dy të përditshmet sportive madrilene. Shifrat e argjentinasit dhe të portugezit duken vërtet të frikshme. Ronaldo ka shënuar 51 gola në 54 ndeshje me fanelën e Realit, ndërsa Mesi ka shënuar rregullisht 16 gola në 10 ndeshjet e fundit radhazi, duke përfshirë edhe atë me kombëtaren e Argjentinës. Ronaldo, që nuk i ka shënuar kurrë Barcelonës, të hënën do të kërkojë golin numër 200 në karrierë, ndërsa Mesi, që është vetëm 23 vjeç, ka realizuar 7 gola në 8 Klasike të luajtura. Këtë sezon në La Liga kryeson Ronaldo, me 15 gola, kundrejt 13 të argjentinasit, por në çdo kompeticion, Mesi ka shënuar 24 gola dhe Ronaldo 19.

Gjithashtu lexo

Ylli i Shkëndijës: Nuk kemi çfarë të humbasim ndaj Milanit

Ardian Cuculi ka thënë se Shkëndija do të tentojë të bëjë lojën e saj dhe …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *