Home / Sport / SHKËNDIJA DHE RENOVA KËRKOJNË VAZHDIMËSI

SHKËNDIJA DHE RENOVA KËRKOJNË VAZHDIMËSI

“Kuq e zinjtë” tetovarë me ambicie të mëdha udhëtojnë drejt Kratovës, kur presin fitore përballë Sileksit. Nga tabori i Shkëndijës vlerësojnë skuadrën e Sileksit, për të cilën thonë se vështirë munden në fushë të tyre. Megjithatë apetitet e tetovarëve janë të mëdha dhe për të qëndruar në pozitën e parë, kanë nevojë për tre pikë. Renova në teren të vet pret Napredokun me shpresë se tre pikët do mbesin në Tetovë.

Të shtunën në program janë sfidat e javës së 16-të në elitën e futbollit vendor në të cilat skuadrat shqiptare, që njëherit edhe udhëheqin renditjen tabelare, Shkëndija dhe Renova do të kërkojnë vazhdimësi të rezultateve pozitive. Në këtë drejtim punë pak më të lehtë, të paktën në letër duket se do të ketë Renova, të cilët në fushë të tyre presin Napredokun e Kërçovës. Miqtë kohëve të fundit janë në formë të mirë, si pasojë e të cilës janë ngjitur në pozitën e 3-të dhe ky fakt është paralajmërim për xhepçishtasit.
“Na pret takim i vështirë me skuadër cilësore. Unë shpresoj që futbollistët e mi të japin maksimumin, të kryejnë detyrat që do tu ndahen para fillimit të takimit dhe në saje të një loje të mirë dhe të disiplinuar, shpresoj të marrim tre pikët”, – shprehet numri një i pankinës së Renovës, Bylbyl Sokoli. Ndërkohë liderja e renditjes tabelare, Shkëndija është para një testi të vërtetë të pjekurisë, kur në Stadiumin e Qytetit në Kratovë do të ndeshen me Sileksin. “Kuq e zinjtë” pasi deklasuan Metalurgun një javë më parë, tani shpresojnë në një tjetër rezultat pozitiv, për të ruajtur pozitën e parë ne renditje. “Ne jemi lider të tabelës dhe kjo pozitë na imponon që të kërkojmë fitore në çdo takim. Do jetë vështirë në Kratovë, pasi Sileksi është ekip cilësor dhe luan mirë në fushë të vet. Megjithatë ne jemi të gatshëm të japim maksimumin e mundësive tona, duke shpresuar se kjo do të jetë e mjafuteshme për të marrë rezultat pozitiv”, – tha për ‘Koha’-n mesfushori i Shkëndijës, Elmedin Rexhepi.
Në sfidat tjera, ndeshja më interesante do të zhvillohet në Autokomandë të Shkupit, ku Metalurgu pret Teteksin. Pelisteri dhe Vardari do të takohen në derbin e fundit të tabelës, ndërsa Horizonti kërkon tre pikë përballë Skopjes. Rabotniçki pas suksesit në fushë të Teteksit, tani pret që të marrin fitoren e rradhës, kur në fushë të vet ndeshen me Bregallnicën e Shtipit. “Fitorja e fundit në fushë të Teteksit na ka kthyer në binarë të duhur dhe mendoj se do jetë një pikë kthese për ne. Tani takohemi me Bregallnicën dhe synimi jonë është të fitojmë pikë të plota”, – foli me optimizëm kapiteni i Rabontiçkit, Nikolla Gligorov.

Dyshet e javës së 16-të:
Renova-Napredoku,
Sileksi-Shkëndija,
Metalurgu-Teteksi,
Pelisteri-Vardari,
Horizonit-Skopje,
Rabotniçki-Bregallnica.

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *