Home / Lajme / Maqedoni / Shqiptarët e duan “Shqipërinë e Madhe”

Shqiptarët e duan “Shqipërinë e Madhe”

18 nëntor-
Sipas sondazhit, mbështetja është shumë më e ulët për bashkimin e vetëm të Shqipërisë dhe Kosovës. Vetëm 33.7 për qind e të anketuarve në Shqipëri e kanë aprovuar këtë zgjidhje, ashtu si edhe 29.2 për qind në Kosovë dhe vetëm 7.2 për qind në Maqedoni.

Sipas “Gallup International”, shumica e shqiptarëve në Ballkan e mbështesin bashkimin e trojeve të tyre në një “Shqipëri të Madhe”. Sondazhi i realizuar si pjesë e projektit “Balkan Monitor” tregoi se mbi 62 për qind e të anketuarve në Shqipëri, 81 për qind në Kosovë dhe 51.9 për qind e të anketuarve në Maqedoni mbështesin formimin e “Shqipërisë së Madhe” që nga shqiptarët preferohet të quhet “Shqipëria Etnike” apo “Shqipëria Natyrale”.

Në pyetjen e parashtruar në këtë anketë se “A do ta mbështetni personalisht idenë e Shqipërisë së Madhe”, shumica dërrmuese e të intervistuarve, rreth 95 për qind nga numri i përgjithshëm i të intervistuarve në të tri vendet, thanë se nëse krijohet një “Shqipëri e Madhe”, ajo duhet të përfshijë Shqipërinë, Kosovën dhe një pjesë të Maqedonisë.

Për “Shqipërinë e Madhe”, në bazë të këtyre rezultateve, në Shqipëri, 62.8 për qind janë pro, 29.7 për qind janë kundër, 4.4 janë përgjigjur “nuk e di” dhe 3.1 për qind kanë refuzuar të përgjigjen. Në Kosovë, situata duket më pro bashkimit, pasi 81 për qind e kanë përkrahur këtë ide, 12.6 për qind janë shprehur kundër dhe 2.9 për qind kanë “abstenuar”, ndërkaq 2.6 për qind nuk janë përgjigjur.

Surpriza e këtij sondazhi është Maqedonia, ku janë pyetur nëpërmjet sondazhit rreth 1.000 persona, prej të cilëve 66 për qind ishin maqedonas dhe 25.7 për qind ishin shqiptarë. Por idenë e bashkimit të trojeve shqiptare me Shqipërinë e kanë përkrahur 51.9 për qind e të intervistuarve, çka do të thotë se një pjesë e mirë e maqedonasve janë shprehur pro kësaj ideje. Ndërkaq 35.1 për qind e kanë kundërshtuar, 9.1 për qind janë përgjigjur se nuk e dinë dhe 3.7 për qind kanë refuzuar të japin mendimin e tyre.

Sipas sondazhit, mbështetja është shumë më e ulët për bashkimin e vetëm të Shqipërisë dhe Kosovës. Vetëm 33.7 për qind e të anketuarve në Shqipëri e kanë aprovuar këtë zgjidhje, ashtu si edhe 29.2 për qind në Kosovë dhe vetëm 7.2 për qind në Maqedoni.

Shumica e të anketuarve thanë se dyshojnë se unifikimi i të gjithë shqiptarëve etnikë në rajon do të ndodhë në një kohë të afërt. Ideja për bërjen e Shqipërisë brenda një vije kufitare ka një shekull që vazhdon të mbetet popullore në Kosovë, Serbi, Mal të Zi, Maqedoni dhe Greqi.

Edhe pse ideja e bashkimit të shqiptarëve në një shtet të vetëm vazhdon të jetë e njohur, liderët politikë shqiptarë në rajon janë të kujdesshëm për të ngritur çështjen e ndryshimeve të kufijve. Ata përpiqen ta ruajnë këtë ide, por vetëm si rajon i integruar në Bashkimin Evropian, atëherë kur shqiptarët do të jenë të bashkuar në një hapësirë evropiane pa kufij ose pa pengesa kombëtare.

Gjithashtu lexo

Rikthimi i madh i PDSH dhe Menduh Thaçit – (FOTO)

Paralajmërimi për hyrjen Partinë Demokratike Shqiptare të Menduh Thaçit në Qeveri të Maqedonisë ka shkaktuar …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *