Home / Lajme / Botë / Assange, Robin Hud-i modern

Assange, Robin Hud-i modern

11 dhjetor-
Sondazhi i internetit është ende në vazhdim për caktimin e ‘Njeriut të vitit’. Javën e kaluar, Assange ishte në vendin e dytë, me 13 000 vota, pas Kryeministrit turk, Erdogan, por shumë më parë se themeluesi i ‘Apple’, Steve Jobs apo Presidenti amerikan, Obama. Javën e kaluar, edhe ‘Bank of America’ mësoi se sa i rëndësishëm ishe bërë Assange, kur ai deklaroi se kishte dokumente shumë komprometuese për një bankë të madhe.

Në dritën e këtij popullariteti mbarëbotëror dhe polarizimi, do të ishte ironike që Assange të mbahej i burgosur për një çështje private seksuale.

Sot më shumë se kurrë, Assange ka nevojë për mbrojtje ligjore ndaj akuzave që i janë bërë dhe atyre që ndoshta po përgatitet që t’i bëhen, edhe pse bëhet fjalë për akuza të natyrave të ndryshme.
Të martën ai u arrestua nga policia britanike, pas një flete arresti europiane, të lëshuar nga prokurorët suedezë. Sipas autoriteteve suedeze, ai akuzohet për marrëdhënie seksuale të pambrojtura me dy vajza suedeze, me të cilat ai pati një marrëdhënie fizike shumë të shkurtër pak muaj më parë. Duke filluar që nga java e kaluar, nuk pati më asnjë dyshim se autoritetet suedeze ishin të vendosura që të kapnin me çdo kusht 39-vjeçarin që ndodhej në Londër. Interpoli lëshoi një “Njoftim të kuq” për Assange. Por, si çdo gjë tjetër që ka të bëjë me themeluesin e “Wikileaks”, edhe rasti i akuzave ndaj tij, që janë personale, është shndërruar në një çështje politike. Njeriu që ka tronditur kancelaritë diplomatike të të gjithë botës me publikimin e materialeve të fundit në sajtin që ai ka themeluar dhe drejton, u shndërrua edhe në të kërkuarin dhe në armikun numër një të amerikanëve, pasi i tregoi botës shumë sekrete të diplomacisë së Departamentit të Shtetit.

“Assange duhet vrarë!”

Reagimi i Washingtonit në lidhje me materialet e Irakut dhe të Afganistanit ishte relativisht i qetë, ndërsa toni tani, pas publikimit të materialeve diplomatike, ka ndryshuar. Javën e kaluar, Prokurori i Përgjithshëm, Eric Holder zyrtarisht konfirmoi se Departamenti i Drejtësisë mund t’i referohej ligjit të spiunazhit të vitit 1917, për të ndërmarrë veprime ligjore kundër stafit të ‘Wikileaks’. Sipas këtij ligji, nxjerrja e sekreteve ushtarake është një krim. Sipas Holder, ekziston opsioni i një amendamenti të këtij ligji në të ardhmen. “Ne do të mbyllim hapësirat që mund të kenë ligjet tona në këtë drejtim”, – ka deklaruar Holder. Në fund të javës së kaluar, agjencitë e qeverisë amerikane instruktuan nëpunësit e tyre që të mos shihnin sajtet e “Wikileaks”, ndërsa institucione të tilla si Libraria e Kongresit Amerikan, e bllokoi fare aksesin e sajtit.

Kongresmeni republikan, Peter King, kërkon që Departamenti i Shtetit të shqyrtojë mundësinë e konsiderimit të “Wikileaks” si një “organizatë terroriste”, çka mund ta bënte më të lehtë për autoritetet amerikane në të ardhmen që ta godisnin organizatën dhe mbështetësit e saj. Tom Flanagan, një profesor i Universitetit të Clgarit dhe ish-këshilltar i Kryeministrit aktual kanadez, bëri një sugjerim edhe më radikal. Ai, në televizionin kanadez, tha se nuk do të ndihej i palumtur nëse Assange do të zhdukej. Më pas, ai kërkoi falje për një koment të tillë.

Ndërkohë, politikanë të shquar amerikanë, si senatori i Konektikatit, Joe Lieberman i është bashkuar gjithashtu grupit anti-‘Wikileaks’. Javën e kaluar, Lieberman i bëri thirrje kompanive të internetit që t’i jepnin fund përcjelljes së sajteve të “Wikileaks”. Apeli i tij pati sukses. ‘Mason Web Services’ ishte e para që informoi ‘Wikileaks’ përmes një e-maili, javën e kaluar, se aktivitetet e saj e kishin dhunuar kontratën me ‘Amazon’. ‘Wikileaks’ i përdorte serverët e ‘Amazon’, si në rastin kur kishte bërë publikimin e informacioneve për luftën në Irak. Por, ‘Amazon’ thjesht vendosi që ta “përjashtonte” ‘Wikileaks’ nga shërbimet e saj.

Fillimi i info-luftës

Që nga ai moment, ‘Amazon’ dhe vetë Lieberman kanë qenë nën një sulm të ashpër. Daniel Ellsberg, i famshmi i “Pentagon Papers”, që nxori në dritë sekretet e ndyra të amerikanëve në luftën e Vietnamit 30 vjet më parë, deklaroi: ”Jam i neveritur nga servilizmi dhe burracakëria e ‘Amazon’”. Të premten, John Perry Barlow, një ish-hipi dhe themelues i grupit të lirive civile, Fondacioni i Kufirit Elektronik, iu drejtua aktivistëve të internetit me mesazhin e mëposhtëm në ‘Twitter’: “Sapo ka nisur lufta më e madhe e informacionit. Fusha e betejës është ‘Wikileaks’. Ju jeni trupat”.

‘Amazon’ u përpoq që ta justifikonte qëndrimin e saj për përfundimin e marrëdhënies me ‘Wikileaks’, duke thënë se vendimi nuk kishte të bënte fare me politikën. ‘Amazon’ argumentoi se vendimi u mor, sepse ‘Wikileaks’ ishte duke publikuar përmbajtjen e materialeve që nuk duhet të dilnin. Debatet në lidhje me serverët u shoqëruan me një sulm edhe në adresën e Wikileaks.org. dhe sulmet nuk kanë rënë, përkundrazi, sa vjen dhe po intensifikohen. Që nga ky sulm, ‘Wikileaks’ i ka zhvendosur serverët e saj në Francë. Aty, ministri i Industrisë deklaron se një veprim i tillë ishte i papranueshëm, pra për një server francez që të pranonte një websajt që “thyente rregullat e sekretit diplomatik”.

Beteja për internetin

Beteja dixhitale ka nisur me ‘Wikileaks’. Konservatorë amerikanë si Marc Thiessen, që ka qenë fjalimshkrues për ish-Presidentin Bush, kanë bërë thirrje për sulme ndaj ‘Wikileaks’ që pas publikimit të materialeve për Irakun dhe Afganistanin. Beteja për praninë virtuale të organizatës ka potencialin që të përhapet dhe të shndërrohet në një luftë të vërtetë rrjetesh.

Sipas Assange, rasti i tij tregon se sa të lidhura janë bizneset e mëdha me politikanët e fuqishëm. Ilustrimi ishte rasti i lidhjes së senatorit të fuqishëm amerikan, Lieberman me ‘Amazon’ dhe Departamentin e Sigurisë. “Këto sulme nuk do ta ndalin misionin tonë, – deklaroi australiani në fund të javës së kaluar, – por kjo duhet që të jetë një këmbanë alarmi për zbatimin e ligjit në Shtetet e Bashkuara”.

Sulmet masive kanë të bëjnë edhe me faktin se shumë amerikanë kanë një ndjesi ndaj ‘Wikileaks’, se ajo mund të jetë një kryqëzatë anti-amerikane. Kështu, materiali i parë që ka publikuar ‘Wikileaks’ në vitin 2006, ishte një letër e një islamisti që bënte thirrje për krijimin e një republike islamike në Somali. Assange tha se e kishte përzgjedhur këtë letër me qëllim që ta lançonte sajtin me diçka të veçantë, që do të tërhiqte vëmendjen e njerëzve. Në një deklaratë të fillimit të sajtit, grupi shkruante se, shpresonte që të merrte dokumente nga regjime shtypëse si ai i Kinës apo Rusisë.

Regjimet shtypëse

Suksesi i parë i madh i ‘Wikileaks’ ishte publikimi i një raporti të klasifikuar si “sekret” nga një agjenci detektivësh britanikë, në lidhje me klikën e korruptuar të Presidenti kenian, Daniel Arap Moi. Assange e analizoi raportin së bashku me aktivistë dhe avokatë të të drejtave të njeriut dhe e publikoi para zgjedhjeve presidenciale në vend, në fund të vitit 2007. Arkivi i ‘Wikileaks’ përmban qindra dokumente nga vende të tilla si Kina dhe Tajlanda, ku liria e shtypit është shumë e cunguar dhe e kufizuar. Ndërkohë, materiali i parë “i fortë” kundër Amerikës ishte videoja e shfaqur e goditjeve të ushtarëve amerikanë në Irak, kundër civilëve dhe 2 gazetarëve. Nga këndvështrimi i Assange, ky përqendrim tek Amerika ka të bëjë edhe me faktin se Shtetet e Bashkuara janë e vetmja superfuqi dhe se ajo ka luftuar në dy fronte, si pasojë, edhe informacioni në lidhje me të është shumë i madh.

Në historinë botërore janë shumë të pakta e të rralla ato raste kur një individ i vetëm ka krijuar një dasi të tillë në popullsinë e planetit. I tillë është rasti i australianit flokëbardhë, Assange. Elitat globale kanë frikë tani nga ‘Wikileaks’ dhe qeveritë shtypëse si Kina dhe Rusia janë të shqetësuara për materialet që ajo mund të publikojë në lidhje me sekretet e tyre të ndyra.

Një Robin Hud i ditëve tona

Nga ana tjetër, Assange mund të varet vetëm në mbështetjen e një grupi ndjekësish ndërkombëtarë, të cilët e quajnë atë një Robin Hud të kohëve moderne, një njeri që i është kushtuar një çështjeje të mirë.

Revista amerikane, “Time” e ka kandiduar Assange si një nga të mundshmit për t’u cilësuar si ‘Njeriu i vitit’, një çmim që zakonisht i jepet një individi që ka pasur ndikimin më të madh në botë gjatë muajve të vitit. Në mbështetje të kësaj kandidature, anëtari i jurisë së çmimit, Lauren Zalaznick tha se, Assange “e ka vendosur integritetin e gazetarisë në një majë shumë të mprehtë”. “Cila është në fund të fundit përgjegjësia e një gazetari: të mbajë sekrete apo të publikojë të vërtetën? Emri i ‘Wikileaks’ ngre çështjen e medias në raport me politikën, shoqërinë dhe kulturën”, – ka deklaruar Zalaznick.

Sondazhi i internetit është ende në vazhdim për caktimin e ‘Njeriut të vitit’. Javën e kaluar, Assange ishte në vendin e dytë, me 13 000 vota, pas Kryeministrit turk, Erdogan, por shumë më parë se themeluesi i ‘Apple’, Steve Jobs apo Presidenti amerikan, Obama. Javën e kaluar, edhe ‘Bank of America’ mësoi se sa i rëndësishëm ishe bërë Assange, kur ai deklaroi se kishte dokumente shumë komprometuese për një bankë të madhe.

Në dritën e këtij popullariteti mbarëbotëror dhe polarizimi, do të ishte ironike që Assange të mbahej i burgosur për një çështje private seksuale.

Gjithashtu lexo

Tërmet i fortë e goditi pjesën jugore të Altlantikut

Një tërmet me intensitet prej 6,7 ballësh sipas shkallës Rihter e goditi sot pjesën jugore …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *