Home / Lajme / Maqedoni / Hajnat operojnë në Tearcë

Hajnat operojnë në Tearcë

3 dhjetor-
Nëpër kuluaret e këtyre fshatrave flitet, se në të shumtën e rasteve sasia e vjedhur nëpër disa lokale dhe shtëpi është shumë e vogël, apo pothuajse hajnat nuk kanë arritur të gjejnë asgjë në arkat e tyre.

Urim Hasipi
Kujdes gjatë natës kur ndodheni në shtëpi. Hajnat mund t’ju grabisin gjësendet me vlerë pa u hetuar.
Kështu është kohëve të fundit në fshatrat e Komunës së Tearcës. Ky rajon përfshihet nga vjedhjet e shumta.

Vjedhës të panjohur në shumë raste edhe të maskuar operojnë në territorin e Komunës së Tearcës, ndërsa ende nuk zbulohen. Përderisa viteve të kaluar hajnat kishin zgjedhur lokale, shitore, për të mbushur xhepat e tyre, muajve të fundit ata kanë shqetësuar shumë familje në shtëpitë e tyre, madje edhe objekte fetare.

Edhe pse statistikat e policisë referojnë, se numri i vjedhjeve nuk shënon ngritje në krahasim me vitin e kaluar, megjithatë numri i vjedhjeve dyshohet të jetë më i lartë, pasi që kryesisht vidhen dhe demolohen shtëpi të pabanuara, apo shtëpi ku e tërë familja është në mërgim dhe këto vjedhje ende nuk janë denoncuar.

Ndodh që edhe disa raste të vjedhjeve të mos paraqiten, për shkak të vjedhjeve të vogla.

Rasti i fundit, sipas policisë ka ndodhur në fshatin Sllatinë në shtëpinë pronë e S.D me qëndrim në Danimarkë, natën mes 26 dhe 27 nëntorit, ku janë vjedhur televizorë dhe flori. Dhjetëra shtëpi, internet kafe, kafeteri kanë qenë cak i hajnave këtyre muajve. Në internet kafen “Neting” në Sllatinë, muajin e kaluar nga sirtarët ishin marrë 23 mijë denarë.

Pronari i këtij internet klubi shprehet, se vjedhja ka ndodhur më 12 tetor, por ende vjedhësit nuk janë kapur.

“Gati një muaj që ka ndodh kjo vjedhje dhe shumë vjedhje tjera në këtë rajon. Ende policia nuk ka arritur të gjejë, se kush qëndron prapa këtyre vjedhjeve. Nuk bëhet fjalë për një vjedhje individuale, por për raste të vjedhjeve në vazhdimësi dhe policia në këtë drejtim duhet të tregohet më e aftë në kapjen dhe zbardhjen e tyre”, thotë Arjan Selimi, pronar i internet kafesë, e cila ishte cak i hajnave gjatë muajit të kaluar.

Sipas policisë së Tetovës, gjatë gjashtë muajve të kaluar, në rajonin që mbulon Stacioni i policisë në Tearcë, janë regjistruar 30 vjedhje të rënda, prej të cilave 17 vjedhje janë kryer në shtëpi, 4 në kisha, 3 në shitore, 2 në objekte hotelerie, dhe një në xhami, veturë, internet kafe dhe në shkollë.

Vjedhjet e kryera në objektet fetare tani më janë zbardhur, si dhe një numër i madh i vjedhjeve në shtëpi. Në krahasim me vitin e kaluar, në rajonin për të cilin bëhet fjalë, numri i vjedhjeve është përafërsisht i njëjtë ose një vjedhje më shumë këtë vit.

“Në këto vjedhje gjatë verës dhe vjeshtës, hajnat përveç të hollave, kanë marrë edhe flori, prodhime teknike, vegla për punë etj. Ata gjatë kësaj kohe kanë shfrytëzuar mosmbylljen e dritareve dhe dyerve hyrëse apo në katet përdhese, dukuri kjo, që është prezentë edhe në vendet tjera në rajonin e Pollogut”, thotë Marjan Josifovski, zëdhënës i Policisë së Tetovës.

Policia e Tetovës, ka bërë apel te pronarët e shtëpive që të mbyllin dyert dhe të mos i lënë dritaret e hapura, sidomos nëse planifikojnë të qëndrojnë jashtë shtëpisë një kohë të gjatë.

Atyre të cilët kanë mundësi financiare u këshillohet që të furnizohen me pajisje adekuate mbrojtëse, sidomos nëse me ditë apo me muaj të tërë nuk janë në objekte. Nëpër kuluaret e këtyre fshatrave flitet, se në të shumtën e rasteve sasia e vjedhur nëpër disa lokale dhe shtëpi është shumë e vogël, apo pothuajse hajnat nuk kanë arritur të gjejnë asgjë në arkat e tyre.

Gjithashtu lexo

Kuvendi duhet të votojë për shkarkim të Zvërlevskit

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot duhet të mbajë vazhdime të tre seancave midis të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *