Home / Sport / Kush bën përzgjedhjen e futbollistëve të Maqedonisë?

Kush bën përzgjedhjen e futbollistëve të Maqedonisë?

Mbeten të paqarta kriteriumet për të luajtur në kombëtare!

Seleksionuesi i përfaqësueses së futbollit të Maqedonisë Mirsad Jonuz, të mërkurën bëri publike listën e futbollistëve të cilët do t’i grumbullojë në takimin kontrollues me Kinën. E mira dhe që të bën për tu befasuar është fakti se pas një kohe më të gjatë, në kombëtaren e Maqedonisë do të thyhet ‘rregulli vetëm dy shqiptarë’, pasi kësaj rradhe janë ftuar katër. Armend Alimi tani më është konfirmuar, Bajram Fetahi bindi në takimin me Shqipërinë, ndërsa si debutues ftohen Muhamed Demiri nga skuadra zvicerane Tun, dhe Ferhan Hasani i Shkëndijës së Tetovës. Jonuz ka ftuar 7-të futbollistë nga kampionati i Maqedonisë, duke sqaruar se pjesa dërmuese e reprezentuesëve standard janë lënë të lirë, për të provuar futbollistë të rrinjë, të cilët në të ardhmen do të jenë bartës së lojës së përfaqësueses së Maqedonisë. Deri këtu gjithçka është në rregull, por nëse analizohet mirë lista e Jonuzit, lindin shumë pyetje dhe paqartësi! Kush e bën përzgjedhjen e futbollistëve që luajën në kombëtare dhe cili është kriteriumi për tu provuar të paktën në një takim kontrollues? Do të nisim me rradhë. Në portë ftohet Naumovski që luanë në kampionatin rumun, ndërsa nga kampionati vendor në listë përfshihet portieri i Rabotniçkit, Bogatinov. Padyshim se ky i dyti është portier i mirë dhe posedon kualitete të padiskutueshme dhe këtë e vërtetoi në takimin me Shqipërinë, por pyetemi se përse vazhdimisht anashkalohet gardiani i Shkëndisë së Tetovës, Suad Zendeli. Çka duhet të bëjë ai, për t’iu dhënë rasti të dëshmohet në kombëatre? Nëse shikohet në bazë të një kriteruimi logjik, Zendeli këtë vit është portieri më i mirë në Ligën e Parë të Maqedonisë. Mbron në formë të lartë, ndërsa ka pranuar më pak gol në ligë, gjithsej 10-të, pesë më pak se Bogatinovi i Rabotniçkit. Tani le të japë dikush sqarim nëse Zendeli meritonte të paktën të testohej në një sfidë kontrolluese?! Ftesa e Demirit që luanë në kampionatin zviceran është për çdo lëvdatë, njëjtë si ajo e mbrojtësit të Renovës, Stepanovskit, i cili luanë në stil të lartë në fanelën e kampionëve në fuqi. Por këtu mungon dhe as që përfillet një Nuri Mustafi që shkëlqen në kampionatin Suedez me ekipin GIF Sunsvall. Mbetet e paqartë nëse Jonuz ka ndëgjuar ndonjëherë për Mustafin, por këtu pjesë të fajit mbajnë edhe mediumet maqedonase të cilat asnjëherë nuk kanë shkruar dhe nuk tregojnë interes për këtë futbollist. Kur ai luantë në formë të lartë me Shkëndijën, kriteriumi ishte që të luaj jashtë Maqedonisë, por tani kur ai tre vite me rradhë shkëlqen në Europë, duket i haruar nga shteti i tij. Pa dashur të ofendojmë apo të kontestojmë kualitetet e dikujt, por vetëm për të bërë krahasime më reale do të përmendim ftesën që i është bërë mbrojtësit 32 vjeçar të Metalurgut, Igor Kralevskit. Jo se ky futbollist nuk posedon kualitet, por Jonuz ka paralajmëruar se këto kontrolluese do ti shfrytëzojë për të provuar futbollistë për të ardhmen, dhe ndoshta nuk ka shikuar ditëlindjen e Kralevskit, që është pesë vite më i vjetër se Nuri Mustafi, ndërsa i pari luan në Maqedoni, kurse i dyti në Suedi. E tani nëse mosha nuk është problem dhe kriterium është kualiteti që posedojnë futbollistët, atëherë do mbetemi në familjen Mustafi, por te vëllau më i vjetër, Nebiu i cili luan në formë të madhe te liderët e renditjes në LPFM, Shkëndija. Përse injorohet Nebi Mustafi, kur kualiteti dhe klasi që posedon ai do të ishte i mirëseardhur në kombëtaren e Maqedonisë?! Nëse mosha nuk qenka problem, atëherë cili është shkaku për mos-grumbullimin e kapitenit të Shkëndijës, i cili këtë vit është kthyer në kampionatin e Maqedonisë, pasi vite me rradhë luajti në Europë, por edhe atëherë nuk u përfill. Agron Memedi i Renovës është temë në vete. Ai para një viti u grumbullua në kombëtare, ndërsa nuk luajti për anjë minutë të vetme. Në takimin e parë qëndroi gjithë ndeshjen në pankinë, ndërsa në të dytin në tribunë. Pas një pauze, Memedi u grumbullua në miqësoren me Shqipërinë, ku luajti në pjesën e dytë, ndërsa edhe pse i’u premtua rast i ri, majtaku i Renovës tani mungon në listën e Jonuzit. Futbollist të anashkaluar ka shumë, por një tjetër pikëpyetje e madhe është mospërfillja e Ardian Cuculit. Çdo herë në kontrolluese të këtilla seleksionuesit nga kampionati vendor grumbullonin futbollistë që dominonin ligën e Maqedonisë dhe Cuculi luan në Shkëndijë, skuadër e cila kryeson renditjen. Nijazi Lena shkëlqen në Shqipëri me skuadrën e Flamurtarit, por Jonuz sikur nuk din ku gjendet Shqipëria edhe pse një muaj më parë shkeli në këtë tokë, duke u vërtetuar në vepër për kualitetin dhe avansimin e futbollit në këtë shtet. Me këtë fakt, bie në ujë ndoshta arsyetimi se kampionati i Shqipërisë nuk ka kualitetin e duhur, por rikujtojmë se gjithnjë e më shumë rritet numri i futbollistëve që transferohen në klube të fqiut tonë perendimor, madje pjesa dërmuese e tyre janë të nacionalitetit maqedon. Raste të këtilla ka edhe shumë, por nuk do i përmendim të gjithë me rradhë, pasi ndoshta është e kotë, madje duket sikur rrikthehemi të shikojmë atë që ndodhte me Nderim Nexhipin dhe Ertan Demirin, në kohën kur luanin në formën më të mirë të tyre. Kjo që po ndodh nuk është në rregull dhe sigurisht që është një lloj diskriminimi në vete. Dalëngadalë futbollistët e anashkaluar humbin motivin, ndërsa të tjerët nuk ndjehen të sigurtë në atë që bëjnë. Çka nëse Jonuz përdor Fetahin, Alimin, Demirin dhe Hasanin në ndonjë takim zyrtar, për t’ua marrë të drejtën për të luajtur në ndonjë kombëtare tjetër dhe më pas nuk llogaritet në shërbimet e tyre? Ky obsion është në pah dhe ndoshta futbollistët shqiptarë duhet të mendojnë mirë, para se të vendosin të luajën për kombëtaren e Maqedonisë, pasi në pyetje janë karrierat e tyre?

Lista e futbollistëve të ftuar:
1.Naumovski (Dinamo B.-Rumani), 2. Bogatinov (Rabotniçki), 3. Stepanovski (Renova), 4. Kralevski (Metalurg), 5. Mojsov (Vojvodina-Serbi), 6.Todorovski (Rad-Serbi), 7. Llazarevski (Lokomotiv-Kazakstan), 8. Lazevski (Partizan-Serbi), 9. Demiri (Tun-Zvicër), 10. Alimi (Istra-Kroaci), 11. Fetai (Nordsjelland-Danimarkë), 12. Gligorov (Rabotniçki), 13. Kirovski (Metalurg), 14. Karçev (Shangaj-Kinë), 15. Tanevski (Bellhatov-Poloni), 16. Manevski (Rabotniçki), 17. Hasani (Shkëndija), 18. Ivanovski (Arka-Poloni).

Faton Zylbehari

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *