Home / Sport / Leonardo prezantohet zikaltër: Sfida ime më e madhe

Leonardo prezantohet zikaltër: Sfida ime më e madhe

Leonardo u prezantua zyrtarisht si trajner i Interit: “Kjo është sfida ime më e madhe, besoj ende te kampionati”. Morati: “Ta lëmë të punojë pa presion”.

“Kur e mbylla vitin te Milani nuk isha i sigurt në doja të vazhdoja si trajner. Por mandej më kërkoi Interi dhe gjeta diçka që më bën të ngrihem nga shtrati me entuziazëm. Kam siguri mbi atë që dua të bëj”. Nëse Barcelona është “më shumë se një klub”, për Leonardon Interi është “më shumë se një punë”. “Doja diçka stimuluese dhe sfidë më të madhe se kjo nuk ka. Unë e shoh si një ëndërr”, u shpreh braziliani.

Leo, me 13 vite histori si milanist, vjen në Apiano Xhentile falë një marrëdhënieje të veçantë me Moratin: “Me presidentin bënim shaka qysh para dhjetë vitesh, por pa menduar se mund të konkretizohej duke punuar së bashku. Kishte vlerësim, miqësi, por nuk mendoja se mund të bëhesha trajner”. 41-vjeçari nuk beson se do të kushtëzohet nga e shkuara kuqezi: “Përherë kam kërkuar të jem i lirë, edhe në marrëdhënie me klubin. Kam plot të përbashkëta me Milanin, s’kam për ta harruar kurrë ata që kam bërë me ta dhe do t’i falënderoj përherë. Por tashmë vij në vitin më të rëndësishëm në historinë e Interit, jam shumë i lumtur dhe i motivuar. Jam entuziast për atë që kam gjetur”.

Por dikush e quan Leon tradhtar: “Nuk dua të jem ‘çuni i mirë’, por respektoj lirinë e gjykimit të të tjerëve. Për ata që mendojnë se jam tradhtar, di që është një gjykim që vjen nga emocionet. Ish-lojtarët e mi mund ta kenë të vështirë të japin opinione rreth meje”.

Braziliani beson ende në titullin kampion: “Kampionati është i gjatë, jemi 13 pikë pas por kemi luajtur dy ndeshje më pak. Duhet ta përballojmë mirë psikologjikisht diferencën aktuale dhe atë reale. Periudha e fillimit do të jetë e rëndësishme për t’u rifutur në grupin e kreut. Sot Milani është skuadra që ka më tepër mundësi të fitojë. Është forcuar dhe është favorit, por ne duhet të mendojmë për t’u rifutur mes më të mirëve. Duhet të mendojmë vetëm për veten, Botërori i Klubeve krijoi një motivim të veçantë dhe kurorëzoi një vit unik”.

Edhe Rafa Benitezi e nisi me të njëjtin entuziazëm para gjashtë muajsh, por mandej nuk shkoi edhe aq mirë: “Duhet të mësojmë nga gjashtë muajt e fundit. Benitezi është një trajner fitues, ka bërë punë të mirë në të gjitha skuadrat ku ka qenë. Probleme mund t’i shfaqen kujtdo. Kur ndryshon drejtimi, atëherë dalin të tilla telashe. Është e rëndësishme t’i kemi të gjithë lojtarët në dispozicion. Nuk analizoj të shkuarën, por mendoj për të ardhmen”.

Para largimit, Benitez foli për nevojën e katër blerjeve. Pas Ranokias, do të ketë të tjera afrime? Morati bën shaka: “Tani që iku Benitezi do të blejmë pesë”. Kurse për trajnerin, merkatoja nuk bëhet nga detyrimi, “por duhen lojtarë që na shërbejnë dhe janë në gjendje të mirë”. Kaka? “Duke e njohur, nuk besoj se do lërë Realin pa bërë diçka të madhe”.

Pastaj fjalë të ëmbla për Hoze Mourinjon: “Me mua ka qenë i jashtëzakonshëm: i telefonova, pasi është e pamundur të vish te Interi pa kaluar nga Mourinjo. Është talent, pas konferencave të jashtëzakonshme të shtypit ka një punë taktike të pabesueshme. Nuk jam Mou, kam qenë vetëm një vit trajner, me të mira dhe gabime”.

Pra, do të rinisë nga Mourinjo, më tepër se nga Benitezi: “Kjo është një skuadër thuajse e bërë, nuk ka nevojë për shumë ndërhyrje. Ka identitetin e vet, lojtarët dinë si duan të luajnë dhe ç’duhet të bëjnë. Unë duhet t’i vë në kushte që të japin më të mirën. Duke nisur nga forca fizike u zhvillua një lojë me mbrojtje të kujdesshme dhe me ndërtim ritmik të aksioneve”.

Gjithashtu lexo

Shikoni çfarë ka bërë Barcelona pas sulmit terrorist (FOTO)

Klubi i Barcelonës ka reaguar pas sulmit terrorist në Barcelonë. Katalunasit e kanë bërë një …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *