Home / Sport / Rusia dhe Katari, organizatorë të Botërorëve 2018 dhe 2022

Rusia dhe Katari, organizatorë të Botërorëve 2018 dhe 2022

22 anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s vendosën sot me votim të fshehtë që Kupa e Botës në vitin 2018 të zhvillohet në Rusi, kurse ajo e katër viteve më pas në Katar.

Presidenti Sep Blater bëri publik emrat e fituesve, në ceremoninë e zhvilluar në Shtëpinë e FIFA-s në Zyrih të Zvicrës. “Ju përgëzoj dhe ju uroj të mira”, u shpreh Blater në fjalën e tij menjëherë pas publikimit të fituesve. “Jam i sigurt që organizimi i Kupës së Botës në Rusi do të sjellë gjëra të mira në këtë rajon të botës. Gjithashtu po shkojmë edhe në vise të reja, në Lindjen e Mesme dhe jam i lumtur për këtë”.

Kreu i qeverisë së futbollit botëror bëri një falënderim të veçantë për të gjitha vendet që prezantuan projektet e tyre, përfshirë ato që nuk fituan. “Përgëzime të gjithë kandidatëve për punën e bërë dhe mesazhin që përçuan. Të gjithë dhanë mesazhin që futbolli është shumë më tepër se një lojë: është shkollë jete ku duhet të mësosh të humbasësh. Kjo s’është e lehtë”, komentoi presidenti i FIFA-s.

Rusia do të presë për herë të parë një Botëror, pasi mposhti konkurrencën e Anglisë, Holandë-Belgjikës dhe Spanjë-Portugalisë. Igor Shuvalov, i dërguari i kryeministrit Vladimir Putin, u zotua se vendi i tij do të justifikojë besimin e Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s. Ai tha: “Na besuat organizimin e Kupës së Botës në vitin 2018 dhe ju premtoj se nuk do të zhgënjeheni për këtë vendim. Le të bëjmë historinë së bashku”.

Ndërkohë, për të parën herë Kupa e Botës do të diskutohet edhe në Lindjen e Mesme. Katari fitoi këtë të drejtë, duke triumfuar kundrejt alternativave të SHBA-ve, Australisë, Koresë së Jugut dhe Japonisë. Sheiku Mohammed bin Hamad Al-Thani shprehu mirënjohje për nderin që iu bë vendit të tij me organizimin e evenimentit më të madh futbollistik të globit.

Ai siguroi se Katari do të përmbushë të gjitha pritshmëritë në organizimin e Botërorit pas 12 vitesh. “Faleminderit që besuat në ndryshim, që e përhapët këtë lojë dhe që i dhatë Katarit një mundësi”, pohoi ai. “Do ju bëjmë të ndjehemi krenarë për ne dhe për Lindjen e Mesme. Këtë jua premtoj”.

Ceremonia e prezantimit të kandidaturave dhe e shpalljes së vendeve organizatore të Botërorëve 2018 dhe 2022 ishte një nga evenimentet më të mëdha mediatike në Zvicër. 70 televizione transmetuan drejtpërsëdrejti, ndërkohë që ngjarja e rëndësishme u mbulua nga rreth 1 mijë reporterë nga e gjithë bota.

Gjithashtu lexo

City: 300 mln euro për Messi-n – (VIDEO)

Klubi anglez, Mançester Sity është i gatshëm të bëjë çmendurinë e radhës në tregun e …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *