Home / Lajme / Rajon / Shkodër 10 mijë hektar tokë nën ujë . Berisha: Banorët të evakuohen

Shkodër 10 mijë hektar tokë nën ujë . Berisha: Banorët të evakuohen

2 dhjetor-
Kryeministri Berisha ka bërë thirrje për evakuim të menjëhershëm të banorëve të cilët ndodhen në zonat e përmbytura. I pranishëm sot paradite në mbledhjen e Shtabit të Emergjencave në qytetin e Shkodrës kreu i qeverisë tha se Evakuimi është kryefjala

SHKODER- Shkodra zgjohet më e përmbytur se dje. Rreshjet e shiut kanë nxjerrë nga shtrati ujrat e lumenjve Buna dhe Drin që rrethojnë kryeqendren veriore. Në lagjen Xhabije, hyrja e qytetit, uji ka vërshuar rreth 500 metra brenda qytetit.
Nuk lejohet lëvizja e automjeteve të vogla Xhabije. Nen ujë e gjithë zona nga lagjia Xhabije ne hyrje të Shkodrës deri tek Harku i Berdicës pjesë e aksit nacional Shkodër- Tiranë. Izolohet Shiroka, Zogaj dhe rruga drejt Muriqanit. Kryeministri: Banorët të evakuohen. Permbytjet jo nga Drini por nga lumejt e Alpeve.

SHKODER, BANORET PERDORIN VARKAT NE LAXHEN XHABIJE
Ora 15.00 Nga mesdita banorët e lagjes Xhabije në qytetin e Shkodrës kanë nisur të përdorin varkat për të kryer nevojat e tyre. Ata janë të detyruar të përdorin varkat për të kaluar nga njëra anë në tjetrën të rrugës apo deri afër Urës së Bunës.
Qarkullimi i të gjitha llojeve të mjeteve motorike është i pamundur në këtë lagje.

ORA 14:30-SHKODËR, “LIVADHES” IZOLOHET NGA UJI. BANORËT: NUK KA VARKA TË EVAKUOHEMI

Banorët e lagja “Livadhes” kërkojnë ndihmë për tu evakuuar, por ushtria mungon, ndërsa ndihma e parë janë varkat me lekë.
Banorët konstatojnë për TVNews24 se mbi 200 shtëpi në “Livadhes” janë izoluar nga uji dhe asnjë forcë e ushtrisë nuk ndodhet në zonë për ti ndihmuar. Banorët shprehen se zona nuk është përnbytur asnjëherë, dhe kjo është e para herë që ndodh një situatë e tillë. Të ndodhur nën një situatë të tillë, banorët thanë për News24 se varkat janë shpëtimi i vetëm për tu larguar nga zona. “Por në këtë situatë ku ne po përpiqemi të shpëtojmë dicka nga banesat tona, na ofrohen varka me lekë, që disa banorë të zonës po i shfrytëzojnë këto kohë”.
Banorët bëjnë thirrje të dërgohen varka nga shtabi i emergjencës dhe të kryhet urgjentisht evakuimi i tyre, pasi gjendja u paraqitet më e vështirë për moshat e treta dhe fëmijët.

BERISHA NE SHKODER: PERMBYTJET JO NGA DRINI POR NGA LUMEJT E ALPEVE
Ora 13: 30 Kryeministri Berisha ka bërë thirrje për evakuim të menjëhershëm të banorëve të cilët ndodhen në zonat e përmbytura. I pranishëm sot paradite në mbledhjen e Shtabit të Emergjencave në qytetin e Shkodrës kreu i qeverisë tha se Evakuimi është kryefjala.

“Ka një emergjencë totale, do të thoja. Kryefjala e të gjithë përpjekjes sonë duhet të jetë evakuim, evakuim, evakuim”- nënvizoi kryeministri ndërsa informoi se ushtria dhe policia kanë vënë në dispozicion të gjithë mjetet e transportit, prej tyre 30 varka, ndërsa po kontaktohet dhe me kompani të tjera private për të siguruar më shumë mjete transporti.

“Të mos harrojmë se kjo është një situatë e krijuar pothuajse totalisht nga lumentë e Alpeve, nuk ka qenë Drini me degët e tij”- tha kryeministri Berisha. Ai informoi se në kaskadën e Drinit janë derdhur gjatë natës mbi 4400 metër kub për sekondë dhe se shkarkimet ishin të detyrueshme. Kryeministri shtoi se KESH ka bërë të pamundurën që ti monitorojë ndonëse kanë qenë shumë të mëdha”

SHTABI I EMERGJENCAVE JEP SHIFRAT E PERMBYTJES
Ora 13.00 Shtabi i Emergjencave jep shifrat e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet deri në mesditën e sotme ( e enjte). Janë 10 mijë ha tokë të përmbytura, 1544 shtëpi të rrethuara nga uji, 744 shtepi te permbytura, 317 familje te evakuara, 8440 gjë e gjallë e evakuar. Shifrat rikthejnë situatën e përmbytjeve të janarit.

Ora 12. 45 NE HYRJE TE SHKODRES NIVELI I UJIT RRITET ME 30 CM NGA MENGJESI
Korrespondetja e NEËS24 deklaron se situata sa vjen e rëndohet. Në lagjen Xhabije, në hyrje të qytetit niveli i ujit në mesditë mund të shkonte deri në 80 cm, ndërsa në mëngjes ishte 50 cm. Ndërsa tek zona e Urës së Bunës niveli shkon në 2 metër dhe është e pamundur lëvizja me makina, qoftë dhe të ushtrisë, mbi urë. Për shkak të bllokimit të Urës së Bunës mbeten të izoluar Shiroka, Zogaj, dhe rruga që lidh Shkodrën me Muriqanin.

DEPUTETI PS: SHTETI TE NDIHMOJE BANORET E TRUSHIT
Ora 12. 00 Deputeti i Partisë Socialiste Tom Doshi nëpërmjet NEWS24 i bën apel qeverisë për të ndihmuar banorët e fshatit Trush. Sipas tij janë të shumtë banorët që nuk janë evakuar.
“Situata është më e keqe se në janar. Niveli i ujit është më i lartë dhe banorët të ciët kanë shtëpi dykatëshe janë ngjitur në katin e dytë së bashku me kafshët.”- përshkruan situatën deputeti socialist, në një prononcim telefonik për NEWS24.
“Kërkojmë ndihmën e qeverisë. Unë jam prezent. Nuk ka varka, as një Trush dhe as në Darragjat. Banorët vuajnë dhe nga mungesa ushqimore dhe janë pa ujë të pijshëm, pasi kjo përmbytje i ka zënë të papërgatitur.

BERISHA NE SHKODER, MBLIDHET SHTABI I EMERGJENCAVE
Ora 10. 36 Kryeministri Berisha, ministri i Brendshëm, Lulzim Basha dhe zv ministri i brendshëm, Ferdinand Poni kanë udhëtuar sot në mëngjes drejt Shkodrës. Situata e përmbytjes sa vjen e rëndohet. Kreu i qeverisë merr pjesë në mbledhjen e Shtabit të Emergjencave që po zhvillohet në prefekturë

XHABIJE, BANORET ZHVISHEN PER TE KALUAR RRUGEN
Ora 10.00 Hyrja e Shkodrës sot është zgjuar më me shumë ujë. Në lagjen Xhabije,uji ka vërshuar rreth 500 metra brenda qytetit. Dikush ka përveshur deri në gju pantallonat, Dikush tjetër ka veshur me cizme të gjata deri në gju. Ka dhe nga ato që marrin këpucët në dorë dhe pasi kalojnë ujin i veshin sërish. Një tjetër ka vendosur këpucët në koshin e bicikletës, dhe po kalon rrugën këmbëzbathur duke shtyrë bicikletën.
Në hyrje të lagjes Xhabije një postbllok policie nuk lejon automjetet të shkojnë më tej. Nga lagjia Xhabije, deri te harku i Bërdicës, pjesë e aksit nacional Shkodër- Tiranë, ( disa kilometra më tutje) lëvizja e mjeteve të vogla është tërësisht e pamundur.

SHKODRA DREJT IZOLIMIT
Ora 7. 45 Shkodra zgjohet më e përmbytur se dje si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm, që kanë nxjerrë nga shtrati ujrat e lumenjve Buna dhe Drin si dhe kanë tejfryrë liqenin.NEWS24 raporton se sot në mëngjes në hyrje të qytetit, në lagjen “Xhabije” është rritur niveli i ujit dhe për automjetet e vogla është i pamundur lëvizja.

“Që prej mbrëmjes së të enjtes një postbllok policie është vendosur në lagjen Xhabije dhe nuk lejonte kalimin e automjeteve të vogla në këtë zonë.“- raporton Eljona Kodra, korrespondetja e NEWS24 nga qyteti i Shkodrës.

Edhe komunikimi i Shkodrës me Tiranën përmes aksit nacional Shkodër- Tiranë është i pamundur. Nga hyrja e Shkodrës deri te vendi i quajtur “Harku i Bërdicës”, pjesë e aksit Shkodër- Tiranë e gjitha zona është e përmbytur. Shtëpitë që ndodhen në këtë zonë lundrojnë mbi ujë, ndërsa banorët ndihen të traumatizuar për fatin e tyre.
Tani komunikimi me Tiranën mund të bëhet nëpërmjet një rruge të dytë, që kalon nga Vau i Dejës, por që ka një infrastrukturë jo shumë të mirë.

Ndërkohë gjatë natës në lagjen Livadhe disa banorë kanë telefonuar në bashki për të kërkuar ndihmë për evakuim.
Të zhytura në ujë lagjet “Livade”, “Ajasëm”, Bahcallëk“Tophanë” dhe në rrugën “Pedonale”.
E IZOLUAR SHIROKA E ZOGAJ
Të izoluar janë dhe banorët e dy pikave turistike Shirokë, Zogaj, pasi ura e Bunës e cila lidh qytetin me këto dy fshatra është mbuluar nga uji. NEËS24 raporton se këtu niveli i ujit arrin në 1.5 m. Është i pamundur kalimi jo vetëm për mjetet e vogla por dhe për automjetet e mëdha.
E bllokuar dhe pika kufitare e Muriqanit, që lidh Shkodrën me Malin e Zi, pasi uji ka bllokuar pjesë të aksit nacional Shkodër- Muriqan. Vazhdojnë të jenë të izoluara komunat Dajc, Velipojë e Oboti, Darragjati, Bërdica.
AKSET RRUGORE TË BLLOKUARA
Shkodër-Tiranë, Shkodër-Velipojë, Shkodër-Obot, Shkodër-Dajç, Shkodër-Bërdicë, Bogë-Shalë, Breglumi-Theth, në rrethin e Pukës i bllokuar aksi Fushë Arrëz-Iballë, në rrethin e Malësisë e Madhe i bllokuar aksi Tamarë-Vukaj.

BANORET PA DRITA
Nuk mjafton vetëm uji që ka përmbytur banorët në lagjet e Shkodrës si dhe disa komunave në zonën e Nënshkodrës. Prej tre ditësh 60 % komuna e Bushatit vazhdon të vuajë nga mungesa e energjisë elektrike. Nuk ka energji as në Obot, Darragjat, Shirq e Velipojë. Ndërprerje të energjisë ka pasur dhe brenda në Shkodër, në lagje kryesore si Perash, Kiras, Mark Lula, Partizani

Shtabi i emergjencave informoi mbrëmë se janë përmbytur 7780 hektarë tokë bujqësore, ndërsa 1190 shtëpi janë të rrethuara nga uji. Evakuohen 302 familje.
Dje qeveria shpalli gjendjen e fatkeqësisë natyrore në zonën e Shkodrës, prej ditësh e goditur nga moti i keq
(s.g/BalkanWeb)

Gjithashtu lexo

Vdes ish-kryeministri Bajram Rexhepi – (VIDEO)

Ish- kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi ka ndërruar jetë pas një sëmundje për të cilën …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *