Home / Sport / Shqipëri-Përmbledhje: Ngjarjet kryesore sportive në vend në 2010-ën

Shqipëri-Përmbledhje: Ngjarjet kryesore sportive në vend në 2010-ën

Ja një përmbledhje e zhvillimeve kryesore të sportit në vend gjatë vitit që lamë pas.

19.01.2010 – Shuhet legjenda Panajot Pano

Pas një infarkti kardiak, ndërroi jetë në moshën 71-vjeçare Panajot Pano, i cilësuar si futbollisti më i mirë shqiptar i shekullit të 20-të. Ai u shua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku ndodhej për një vizitë familiare tek e bija. Ish-sulmuesi që mori famë tek ekipi i Partizanit lindi më 7 mars 1939 në Durrës dhe gjatë karrierës 18-vjeçare si futbollist luajti 24 ndeshje me fanellën e kombëtares. Me Partizanin, Pano fitoi katër kampionate dhe pesë kupa. Ai është nderuar me çmime si “Mjeshtër i Madh”, “Urdhri i Punës i Klasit të Parë”, “Urdhri Naim Frashëri i Klasit të tretë”, “të dytë” e “të parë” dhe medaljen “Urdhri i Meritës” për 100 vjetorin e FIFA-s. Por nderimin më të madh Panajot Pano e ka marrë më 6 mars 2009, kur u dekorua nga presidenti Bamir Topi me titullin “Nderi i Kombit”, hera e parë që një futbollist merr një nderim të tillë.

20.01.2010 – Reali vjen në Tiranë, në “Qemal Stafa” fiken dritat

“Galaktikët” u shpallën fitues të edicionit të tretë të trofeut “Taçi Oil”, pasi mundën 2-1 Gramozin në miqësoren e zhvilluar në stadiumin “Qemal Stafa”. Daniel Xhafa kaloi Gramozin përpara, ndërsa Kaka dhe Benzema i dhanë fitoren Realit. Por më tepër se për fushën e lojës, kjo përballje do të mbahet mend për faktin që pjesa e dytë e ndeshjes filloi me më tepër se një orë vonesë për shkak të një defekti elektrik. “Qemal Stafa” mbeti për më se një orë në errësirë, ndërsa vendin e ish-drejtorit Perikli Dhales, i shkarkuar, e zuri Gazmend Sallaku.

09.03.2010 – Armand Duka rizgjidhet në krye të FSHF-së

Armand Duka u rizgjodh për të tretën herë në postin e numrit një të futbollit në Shqipëri, duke siguruar edhe një tjetër mandat 4-vjeçar. Duka siguroi gjithsej 49 vota, duke u zgjedhur që në raundin e parë të votimit. Kandidati tjetër, Refik Halili, mori 15 vota, ndërkohë që për Rudi Vatën shkoi vetëm një votë. Procesi i votimit, i mbajtur gjatë Asamblesë së jashtëzakonshme zgjedhore në qytetin e Durrësit, shkoi normalisht dhe pa asnjë incident. Ashtu siç kishin premtuar, të dy kandidatët e tjerë, Halili dhe Vata, pranuan humbjen.

20.03.2010 – Shuhet Naim Kryeziu

Klubi italian i Romës i dha lamtumirën e fundit legjendës shqiptare, Naim Kryeziu, i ndarë nga jeta në moshën 92-vjeçare. Ceremonia u zhvillua në sheshin “Euklid” të kryeqytetit italian, ku ishin të pranishëm drejtues të klubit dhe futbollistë. Naim Kryeziu ka qenë sulmues i skuadrës verdhekuqe në vitet 1939-1947 dhe në 122 ndeshje realizoi 27 gola. Bashkë me Amadeo Amadein, ai formoi dyshen e famshme që i dha titullin e parë Romës në vitin 1942. I lindur në Gjakovë më 4 janar 1918, Kryeziu ishte një prej atyre futbollistëve që shkruan historinë e skuadrës verdhekuqe. Ai kaloi në Itali bashkë me shqiptarin më të famshëm aty, Riza Lushta dhe të dy u regjistruan në ISEF. Më pas Kryeziu u zbulua nga drejtuesit e Romës dhe shumë shpejt u bë pjesë e skuadrës së parë. Sulmuesi shqiptar mbahej mend sidomos për shpejtësinë e tij, pasi e bënte 100-metërshin në 11 sekonda, ndërkohë që kishte një gjuajtje të fuqishme. Pasi la verdhekuqtë, Naim Kryeziu u ble nga Napoli, ku mbylli karrierën në vitin 1952. Më pas iu kushtua karrierës si trajner dhe arriti të siguronte ngjitjen në kategorinë e parë të skuadrës Almas Roma. Në sezonin 1964-1965 ai u bë trajner i skuadrës së parë. Më vonë u bë pjesë e stafit drejtues të klubit italian dhe si vëzhgues talentesh, zbuloi Xhuzepe Xhaninin. Naim Kryeziu u duartrokit në kor dy vjet më parë, gjatë 80-vjetorit të Romës, së bashku me Amadein. Për nder të tij skuadra verdhekuqe e luajti ndeshjen e radhës kundër Udinezes me një shirit të zi në krah.

08.04.2010 – Romela Begaj, nënkampione e trefishtë e Evropës

Peshëngritësja Romela Begaj, e vetmja femër që përfaqësoi Shqipërinë në delegacionin prej katër sportistësh, koleksionoi tri medalje të argjendta në Kampionatin Evropian që u zhvillua në Minsk të Bjellorusisë. 24-vjeçarja shkroi një tjetër faqe të lavdishme të peshëngritjes shqiptare në arenën ndërkombëtare, teksa u shpall nënkampione e trefishtë e Evropës në peshën 58 kg. Begaj ngriti në dygarësh 207 kg, duke lënë pas polaken Marieta Gotfid (206 kg). Peshëngritsja që trajnohet nga trajneri Hektor Shaqiri ngriti në shkëputje 96 kg (medalje argjendi), ndërkohë që në shtytje e fiksoi shtangën në 111 kg (gjithashtu medalje argjendi), me 207 kg në dygarësh, duke siguruar medaljen e tretë të argjendtë. Në garën e meshkujve, Erkand Qerimaj u kthye nga Minsku me medalje bronxi.

22.04.2010 – Dinamo, 18 herë kampione e Shqipërisë

Dinamo u rikthye tek titulli kampion pas vetëm një sezoni mungesë. Ky ishte titulli i tretë kampion në drejtimin e presidentit Besnik Sulaj, pas dy të parëve të fituar në sezonet 2001-2002 (trajner Faruk Sejdini) dhe 2007-2008 (Ilir Daja). Trajneri i Dinamos, Shkëlqim Muça, riktheu titullin në 60-vjetorin e themelimit të klubit blu, ndërkohë që vetë tekniku fitoi titullin e katërt si trajner, pas atyre me Tiranën në sezonet 1994-1995, 1999-2000 dhe 2006-2007. Muça iu bashkua 10 trajnerëve të tjerë që kanë shpallur kampione Dinamon. Spikat rekordi i Zihni Gjinalit, jo vetëm me 6 trofe – askush më shumë se ai në Shqipëri -, por për faktin që i ka fituar si trajner-lojtar. Trajnerë të tjerë që kanë fituar titullin kampion me Dinamon kanë qenë nga 2 herë Skënder Jareci dhe Durim Shehu. Ndërsa teknikët që janë shpallur një herë kampion me dinamovitët janë: Zyber Konçi, Sabri Peqini, Stavri Lubonja, Fatmir Frashëri, Bejkush Birçe, Faruk Sejdini dhe Ilir Daja.

10.05.2010 – Besa fiton Kupën e Shqipërisë

Besa u shpall fituese e edicionit të 58-të Kupës së Shqipërisë, pasi mposhti 2-1 Vllazninë pas 120 minutave në një “Qemal Stafa” entuziast. Golin fitues e shënoi Paulin Dhëmbi në minutën e 97-të, pasi koha e rregullt përfundoi në barazim 1-1. Sulmuesi i Vllaznisë, Bekim Bala, realizoi në minutën e 65-të, por Renato Arapi barazoi për Besën minutën e 85-të. Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i dorëzoi kapitenit të Besës, Orges Shehi, trofeun e Kupës së Shqipërisë, në shoqërinë e presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Pas asaj të vitit 2007 (ku mundi 3-2 Teutën), kjo ishte e dyta Kupë për Besën. Për trajnerin kavajas, Shpëtim Duro, trofeu i parë në karrierë.

17.08.2010 – Besa fiton Superkupën e Shqipërisë

Besa u shpall fituese e Superkupës së Shqipërisë, pasi mundi 3-1 Dinamon kampione në finalen e luajtur në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit. Besa vinte në këtë takim si fituesja e Kupës së Shqipërisë, ku mposhti në finale Vllazninë me rezultatin 2-1. Dinamo kaloi e para në avantazh me Elis Bakajn katër minuta nga fundi i pjesës së parë, ndërkohë që kavajasit përmbysën rezultatin me Poçin (64’ me penallti), Dhëmbin (74’) dhe të riun Shtini (85’).

19.10.2010 – 80-vjetori i FSHF, Platini viziton Tiranën

80-vjetori i krijimit të Federatës Shqiptare të Futbollit (6 qershor) solli për të dytën herë në Shqipëri kreun e UEFA-s, Mishel Platini. Ndalesa e parë e vizitës së francezit ishte kompleksi sportiv “Skënder Halili”, ku përuroi fushën e re stërvitore me bar sintetik të të rinjve të Tiranës. Në ceremoni merrnin pjesë kryetari i Bashkisë, Edi Rama, presidenti i FSHF-së, Armando Duka etj. Më pas Platini zhvilloi një takim me kryeministrin Berisha, në qendër të të cilit ishte ndërtimi i stadiumit të ri në kryeqytetin shqiptar. Në konferencën e përbashkët për shtyp pas takimit, kryeministri Berisha informoi se presidenti Platini po shqyrton mundësinë që ky stadium të përurohet në mënyrën më madhështore dhe më të denjë, me një superkupë të luajtur me këtë rast. Kjo ishte e dyta herë që Mishel Platini vjen në Tiranë në rolin e presidentit të UEFA-s, pas Asamblesë së Përgjithshme të FSHF-së më 12 nëntor 2008. Asokohe vizita e tij zbuti jo pak atmosferën e rënduar midis qeverisë shqiptare dhe Federatës Shqiptare të Futbollit.

17.11.2010 – Rekord i kombëtares, e 58-ta në renditjen e FIFA-s

Përveç fitoreve radhazi në miqësoret e zhvilluara dhe nisjes shumë të mirë të eliminatoreve, Shqipëria regjistroi një tjetër rekord pozitiv gjatë 2010-ës. Në renditjen mujore të FIFA-s me të gjitha përfaqësueset e globit, kuqezinjtë e Josip Kuzhes mbanin vendin e 58-të si asnjëherë më parë. Rekordi i mëparshëm ishte ai i vitit 2004, kur u ngjitëm deri në vendin e 62-të.

24.11.2010 – Peshëngritje, Shqipëria ar e argjend në Evropianin e Qipros

Tri medalje ari dhe tri argjendi për Shqipërinë në kampionatin evropian të peshëngritjes për të rinj dhe U-23 në Limasol të Qipros. Briken Calja dhe Daniel Godelli shkëlqyen në peshën 69kg, duke u ngjitur në të dyja stilet dhe në dygarësh në dy vendet më të larta të podiumit. Calja mori tri medalje ari: shkëputje, shtytje dhe dygarësh, ndërsa Godelli e ndjek me tri argjendi. Të dy shtangistët ngritën të njëjtën peshë në të dy stilet (140 në shkëputje, 170 në shtytje dhe 310 në dygarësh), duke bërë që pesha më e vogël trupore të favorizojë Calen.

Gjithashtu lexo

Tifozët shqiptarë nga Tetova pushtojnë rrugët e Milanos, çfarë po ndodh para ndeshjes? (VIDEO)

Grupimi i tifozëve të Shkëndijes, “Ballistët” që shquhen edhe si një nga tifozeritë më të …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *