Home / Sport / Zyrtare: Leonardo, trajneri i ri i Interit

Zyrtare: Leonardo, trajneri i ri i Interit

Tashmë është zyrtare: braziliani Leonardo është trajneri i ri i Interit, duke zëvendësuar spanjollin Rafa Benitez.

Përmes një njoftimi zyrtar, klubi zikaltër ka bërë me dije se “Leonardo ka nënshkruar një marrëveshje që e lidh me Interin deri më 30 qershor 2012”. Ish-milanisti do ta fillojë aventurën e tij të re më 29 dhjetor, me rinisjen e stërvitjes në Apiano Xhentile.

“I gjithë Interi – thuhet në komunikatë – i uron mirëseardhjen trajnerit të ri. Do të jetë ai që do të udhëheqë skuadrën kampione bote dhe Evrope. Për Leonardon urimet më të sinqerta, me bindjen se do të dijë të vërë klasin, përvojën prej kampioni dhe mentalitetin e vet në dispozicion të klubit dhe skuadrës, për të arritur së bashku rezultatet që i gjithë Interi dhe interistët duan ende”. Prezantimi zyrtar i 41-vjeçarit pritet të bëhet të dielën e 26 dhjetorit.

Së bashku me trajnerin, fare pranë kampionëve është edhe qendërmbrojtësi italian Andrea Ranokia. Pasditen e sotme u zhvillua një takim mes drejtorit sportiv të Xhenovas, Stefano Kapozuka, agjentit të lojtarit, Tulio Tinti dhe zëvendëspresidentit të Interit, Rinaldo Gelfi.

Xhenova ka në bashkëpronësi me Interin kartonin e 23-vjeçarit deri në fund të këtij sezoni. Por nevoja për një qendërmbrojtës detyron klubin zikaltër të sjellë menjëherë në “San Siro” lojtarin, duke parë dëmtimin e rëndë të Valter Samuel. Argjentinasi iu nënshtrua më 10 nëntor një operacioni në gju dhe është i padisponueshëm për gjithë pjesën e mbetur të sezonit.

Gjithashtu lexo

Ylli i Shkëndijës: Nuk kemi çfarë të humbasim ndaj Milanit

Ardian Cuculi ka thënë se Shkëndija do të tentojë të bëjë lojën e saj dhe …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *