Home / Sport / Dzeko zyrtarisht i Sitit

Dzeko zyrtarisht i Sitit

Edin Dzeko është zyrtarisht pjesë e Mançester Sitit, pasi ka nënshkruar një marrëveshje prej katër vitesh e gjysmë nga gjermanët e Volfsburgut.

Sulmuesi boshnjak mund të bëjë debutimin me skuadrën e re qysh në përballjen me Volverhemptonin të shtunën e ardhshme, pas operacionit të mbyllur me sukses mes Sitit dhe Volfsburgut për shumën e 32,5 milionë eurove (27 milionë stërlina).

“Isha lidhur me Sitin që në verën e kaluar, por Volfsburgu nuk donte të më shiste deri tani”, pohoi 24-vjeçari të premten në faqen zyrtare të Mançester Sitit në internet. “Ka pasur shumë spekullime nëpër gazeta, por unë i kam pasur përherë idetë e qarta. Gjithnjë kam dashur t’i bashkohem Sitit”.

Duke shprehur fjalët më të mira për klubin e ri, sulmuesi ballkanas vijoi: “Ata kanë luajtur mirë në këtë sezon, i kam parë vazhdimisht në televizor. Tashmë spekullimet kanë marrë fund dhe unë dua të jap më të mirën”. Dzeko ka qenë i lidhur me një lëvizje të mundshme te Juventusi, por ai i mohoi këto zëra duke sqaruar se dëshira e tij ka qenë të luajë në “Eastlands”.

“Të gjithë vënë në dukje faktin që Siti ka shumë para’, por për mua kjo nuk ka rëndësi”, pohoi futbollisti i kombëtares boshnjake. “Për mua rëndësi ka ambicia. Kam folur me trajnerin Mançini dhe më tha që ky ishte klubi më i mirë për mua. Siti lufton për kreun në Premierligë dhe mua kjo më intereson. Jam i emocionuar që do të luaj përkrah lojtarëve si Tevez dhe Ture, të cilët i kam parë në televizor, si dhe që do të jem në një skuadër me futbollistë si Boateng apo Kompani, të cilët i kam pasur kundërshtarë”.

Dzeko shpërtheu menjëherë te Volfsburgu pas transferimit në verën e vitit 2007. Ai shënoi pesë gola në 11 ndeshje duke ndihmuar skuadrën gjermane të arrijë vendin e pestë në kampionat dhe pjesëmarrjen në Ligën e Evropës. Ai u bë golashënuesi më i mirë në historinë e Volfsburgut, duke realizuar 84 gola në të gjitha kompeticionet. Mançester Siti, që aktualisht mban vendin e dytë në Premierligë, ka blerë nëntë lojtarë nën drejtimin e Roberto Mançinit, ndërsa me afrimin e fundit konfirmon synimin për të fituar titullin kampion.

Gjithashtu lexo

Osmani: Bëmë gabime në mbrojtje, do të ndryshojmë në lojën e ardhshme

Trajneri i Shkëndijës së Tetovës, Qatip Osmani nuk e ka përjetuar mirë humbjen nga Milani. …

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *